Nga nafta dhe gazi sigurohen të ardhura të larta për ata që i kanë në përdorim vendburimet. Dhe ata që e kanë zbuluar dhe e kanë vënë në shfrytëzim s’paskan të drejtë të gëzojnë mundin dhe djersën e tyre prej shumë vitesh.
Puna e vështirë e naftëtarëve asnjëherë nuk është shpërblyer realisht. Këtë peshë të rëndë të punës nuk ka familje naftëtarësh të mos ta ketë ndjerë. Naftëtarët shkonin në punë me turne dhe çdo familje e priste me merak kthimin e tyre në familje. Ashtu siç ndodhte kur shkoje në luftë. Punohej në grykat e puseve në lartësi të ndryshme të kullave, në ambiente të ndotura, në kushte të vështira të motit, në shi, në baltë etj.
Janë me dhjetëra raste të humbjes së jetës nga naftëtarët, me qindra e qindra të sëmurë nga sëmundjet profesionale dhe gjymtime të ndryshme. Aroma e naftës dhe gazit ka qenë bashkëudhëtare e jetës së naftëtarëve nga fëmija deri tek i moshuari. Nuk ka zona nafte e gazi ku të mos ketë pasur viktima, vdekje apo plagosje të shkallëve të ndryshme. Po të rënda kanë qenë përndjekjet, burgosjet deri në pushkatim të shumë specialistëve dhe drejtuesve të sektorit të naftës dhe të gazit. Pra krahas punës së rëndë dhe me përgjegjësi qëndronte presioni i burgut. Edhe sot pas 25 vitesh demokraci, si dhe dje, janë të harruar, askush nuk e vlerëson punën e tyre të madhe, heroizmin, sakrificat që kanë bërë shkencëtarët tanë mendjendritur bashkë me mijëra naftëtarë. Ne naftëtarët nga vendburimet e naftës nga Kuçova, Patosi, Vlora, Marinza, Fieri, Visoka, Drenova etj, duam vlerësimin e djersës së ballit që na takon.
Një grup naftëtarësh të vjetër:
Veis Siqeca, specialist elektrik; Inxh. Prof. Dhimitër Gjini, shkencat e naftës dhe të gazit; Nazmi Naska, mjeshtër i shpimeve të puseve të naftës.
