Kur evropianët ishin të padëshiruar….

redaktor

Pas çlodhjes dhe pushimeve verore, evropianët do të përqendrohen sërish mbi zgjidhjen e krizës së migrimit. Synimi, është miratimi i një sistemi të përhershëm shpërndarje, në të gjithë vendet anëtare, të personave që kërkojnë mbrojtje ndërkombëtare, si edhe krijimi i një liste të përbashkët, të vendeve të origjinës së sigurt, për të harmonizuar qëndrimin në nivel evropian.

Që prej nisjes së krizës së migrimit, dy sisteme rishpërndaje në urgjencë, janë miratuar përgjatë muajit shtator të vitit 2015. Po në të njëjtën periudhë, kemi edhe iniciativën e bërë publike nga Komisioni Evropian për gjetjen e një zgjidhje të përhershme, në sistemin e rishpërndarjes., që mund të aktivizohet në raste krizash të menjëhershme. Objektivi kryesor, do të ishte gjetja e një përgjigje strukturore ndaj situatave të krizave, që edhe vetë Komisioni i vlerëson me natyrë të përkohshme. Italia dhe Greqia, do të jenë vendet, që do të lehtësohen nga barra e mbajtjes së flukseve në territorin e tyre.

Është pikërisht kjo iniciativë ligjore, që pritet të marrë një formë përfundimtare në muajt në vijim, dhe që ka hasur në kundërshtim nga vendet e Vishegradit. Nga ku veçohet Hungaria, që ka parashikuar mbajtjen e një referendumi në muajin tetor (02.2016) në mënyrë që të përdorë “vendimin popullor” për të kundërshtuar politikat, që mund të miratohen në nivel evropian, nga ku buron dhe detyrimi për aplikim dhe zbatim. Qytetarët hungarezë do të pyeten në këtë referendum :“A dëshironi të lejoni Bashkimin Evropian të mandatojë rivendosjen e qytetarëve jo hungarezë në Hungari, pa aprovimin e Asamblesë Kombëtare ?” 

Por, ç’pasoja ligjore mund të ketë rezultati i këtij referendumi ? Shpjegimi, që ofrohet nga Komisioni Junker është i qartë se, “Rezultati i një referendumi mbi një iniciativë, apo vendim të ardhshëm të Parlamentit Evropian, Këshillit apo Komisionit, i mbajtur në një vend anëtar, nuk është as detyrues për institucionet e BE dhe as nuk mund të prekë detyrimet e vendit anëtar, nën ligjet e Unionit.”

Paralelisht me iniciativën ligjore të mësipërme, pritet edhe hartimi i një liste të përbashkët të vendeve me origjinë të sigurt, për të gjithë BE. Pra, një harmonizim në nivel evropian, se kush konsiderohet një vend i sigurt. Nëse shikojmë projekt-raportin paraprak, në këtë listë figuron Shqipëria, Serbia, Mali i Zi, Maqedonia, Bosnjë-Hercegovina, Kosova dhe Turqia. Synimi, është që ky harmonizim në nivel evropian, të imponohet në kuadrin kombëtar të të gjithë vendeve anëtare. Kjo listë, do të jetë subjekt i rishikimeve të vazhdueshme, në raport me evoluimin e situatës në çdo vend të caktuar, si edhe do të jetë subjekt i konsultimeve të vazhdueshme me organizmat monitorues të të drejtave të njeriut. Sigurisht, që është një iniciativë që pritet të shkaktojë përplasje me juridiksione të caktuara kombëtare, teksa vlerësimet e tyre, ndryshojnë nga njëri vend në tjetrin. Gjithsesi, duhet theksuar se pavarësisht hartimit të një liste të harmonizuar, të vendeve me origjinë të sigurt, kjo nuk parashikon një proces automatik refuzimi të kërkesave për mbrojtje ndërkombëtare, por shqyrtim të detyruar rast pas rasti. Vështirësia qëndron kryesisht, tek koha e shkurtër për kthimin e përgjigjeve, kryesisht ato negative, e imponuar nga logjika e trajtimit mbi një vend të sigurt dhe vështirësia për kërkuesin, që të bind autoritetet në lidhje me mbrojtjen e nevojshme ndërkombëtare.

Memoria historike

Historia evropiane e shekullit të XX, është periudha, që ka dokumentuar lëvizjet më të mëdha të refugjatëve dhe të personave pa shtetësi, për shkak të luftërave dhe konflikteve në Kontinent. Dy luftërat Botërore, gjenocidet, luftërat civile, revolucionet, por edhe zhvendosjet e detyruara të popullatave nga formulimi i Traktateve të Paqes, dhe ri-konfigurimi i kufijve, do të shënonin një nivel rekord refugjatësh, prej 40 milionë personash.

Por, shekulli i XX, do të jetë edhe periudha, që njohu një progres gradual juridik, në përkufizimin dhe njohjen e statusit të refugjatëve, kryesisht të personave pa shtetësi, të drejtat ligjore të të cilëve ishin mohuar nga vendet e tyre. Krijimi i Pasaportës Nansen (korrik 1922), në kuadrin e një Marrëveshje Ndërkombëtare, nën kujdesin e Lidhjes së Kombeve, do të ishte një progres i ndjeshëm, që bëri të mundur pajisjen me dokumentacion lëvizje të personave të përzënë nga regjimet dhe pa të drejta juridike, si rusët e përndjekur nga bolshevizmi. Rreth 450 mijë refugjatë do të pajisen me pasaporta, përgjatë periudhës së dy luftërave botërore. Për të ardhur më pas, në një progres të thelluar me krijimin e Komisariatit të Lartë të Refugjatëve (1950) dhe Konventën e Gjenevës një vit më vonë (1951), ku do të kemi një përkufizim më të qartë dhe të inkuadruar të personave në nevojë për mbrojtje ndërkombëtare.

Teksa shekulli i XX, do të njohë jo vetëm flukset e larta të refugjatëve në Kontinentin Evropian, por do të jetë dhe shekulli i inkuadrimit juridik ndërkombëtar të statusit të refugjatëve, një vëmendje tërheq edhe shekulli i XIX, i konsideruar gjerësisht si shekulli i migrimit. Përgjatë shekullit të XIX, migrimi do të fillojë të prekë gradualisht të gjithë rajonet e Evropës. Me destinacion kryesor Amerikën, apo në kolonitë, që zotëronin vende të caktuara. Të parët, që u nisën përgjatë viteve 1830, janë britanikët, ose drejt Amerikës, ose drejt kolonive të Kurorës së Oqeanisë dhe më vonë duke ju drejtuar Afrikës. Më pas, irlandezët, do të migronin në masë si para 1840, por edhe gjatë krizës së madhe të urisë (1845-1852). Pas tyre, do të vijojnë gjermanët dhe skandinavët, duke shkuar në drejtim të Amerikës. Më pas, do të ishin polakët dhe çifutët nën dominimin rus, dhe më pas evropianët e jugut, kryesisht italianët. Dokumentimet historike, vlerësojnë se, përgjatë një shekulli mes 1820 dhe 1920, do të jenë 55 milionë evropianë, që do të linin kontinentin.

Motivimi i këtyre migrimeve ngjall më shumë interes, pasi të dhënat historike, pasqyrojnë jo vetëm arsye, që lidhen me joshjen që ofronte politika e hapur e migrimit, që po aplikonte Amerika, ikja nga depresioni ekonomik, apo arsye të ndryshme të karakterit personal, duke filluar qe nga kërkimi i një aventure të re,  deri tek etja për pasurim, por këto të dhëna flasin edhe për ikje në masë prej persekutimeve politike dhe fetare, si edhe zhvendosje të organizuara drejt kolonive të ndryshme, duke zbatuar politika të caktuara shtetërore për të “hequr qafe” minoritete dhe grupe të veçanta problematike nga pikëpamja politike dhe shoqërore.

Politika, që vijnë të dokumentuara jo vetëm përgjatë shekullit të XX, por që gjejnë shtrirje edhe më herët. Janë një sërë të dhënash historike në kohë, që flasin për zbatim të strukturuar të këtyre politikave që prej shekullit të XVI. Pra, jemi në periudhën ku grupe të shumta migrimi, nisin të migrojnë kryesisht nga vendet, që kontrollonin rrugët detare si Gadishulli Iberik, Ishujt Britanikë, Holandë, Francë. Destinacioni kryesor është Amerika, më vonë Afrika dhe Oqeania.

Rasti i Anglisë tërheq vëmendje, pasi vlerësohet se klasa politike ishte shumë e interesuar për të krijuar qetësinë e brendshme, ku tensionet politike dhe sociale të lidhura sa me reformat fetare, sa me luftërat mes pretendentëve të fronit, sa me synimin për të dominuar Irlandën, apo edhe administrimi i pasojave, që solli eksodi i madh rural, do të shoqëroheshin me një shtyrje drejt emigracionit të largët të grupeve fetare kundërshtare, të kundërshtarëve politikë, por edhe të kategorive të varfra, si edhe fëmijët e braktisur. Pra, kemi vëzhgimin e një fenomeni, që del nga kuadri i pastër i motivacionit qytetar për emigrim, por që shfaqet si një mjet i kontrolluar nga politika dhe në shërbim të saj, me synim sa qetësimin e situatave të brendshme politike, duke larguar rivalët dhe kundërshtarët, por edhe një lloj pastrimi nga pjesë të shoqërisë të konsideruar si problematikë, pasi ishin të varfër. Një fenomen, që do të vëzhgohej edhe në një sërë vendesh të tjera, por me nuanca që ndryshojnë në varësi të rrethanave politike dhe ekonomike.

Rasti i Spanjës, ka ngjallur gjithashtu interes, pasi edhe pse konfirmohet të ketë pasur një objektiv të qartë politik, për popullimin e tokave të kolonive të saj me shtetas spanjollë (1492) paralelisht me këtë iniciativë brenda Mbretërisë dokumentohet të ketë nisur një ndërmarrje e vërtetë spastrimi etnik. Çifutët dhe myslimanët, janë të detyruar të konvertohen në katolikë, ose përzihen nga vendi. Paralelisht me këto përzënie, flukset e migrimit drejt kolonive u organizuan në mënyrë shumë të përzgjedhur. Fillimisht, nisjet ishin të ndaluara për të konvertuarit e rinj, dhe të gjithë njerëzve të dyshuar për herezi. Në vitin 1570, ndalimi i migrimit u shtri edhe ndaj romëve. Dëshira e Mbretërisë ishte popullimi i kolonive të saj vetëm me migrantë ku pastërtia e gjakut dhe e besimit katolik të mos vihej në dyshim. Por, projekti i popullimit të kolonive me një popullatë spanjolle homogjene dështoi, duke mos u realizuar përfundimisht.

Fenomen i hershëm

Por, kjo lloj politike që gjen zbatim sistematik, përgjatë epokës së kolonive, shtrihet edhe më herët historikisht. Historianët vlerësojnë, se Athina në periudhën e qytet-shteteve, tregohej mikpritëse, ndërsa Sparta kufizonte në maksimum hyrjet e të huajve në territorin e saj, duke u përballur me riskun e njohjes së një problemi dobësie demografike dhe ekonomike.

Do të jenë pikërisht studimet, mbi sjelljet politike të qytet-shteteve përballë migrantëve, që do të shfaqin forma veprimi të natyrës praktike, siç janë gjetja e zgjidhjes ndaj nevojave ekonomike të qytet-shtetit, mbajtja e rendit të caktuar, etj. Të tilla politika, janë vëzhguar përgjatë këtyre periudhave edhe me nisjen e qytetarëve drejt tokave të reja. Duke krijuar koloni mbi brigjet turke ose mbi brigjet e Mesdheut Perëndimor, qytetet zgjerojnë zonën e tyre të influencës, por evakuojnë njëkohësisht “tepricën” e qytetarëve gjatë periudhave kritike apo rivalitetesh politike, që mund të ndërmerrnin një kthesë të luftës civile. Pra, gjejmë që në këtë periudhë, rolin e dyfishtë që do të luante migrimi përgjatë historisë së kombeve modernë në Evropë: duke lejuar importimin nga jashtë të popullatës, prezenca e së cilës ishte e nevojshme nga disa pamjaftueshmëri të popullatës kombëtare dhe eksportimi jashtë në periudha të tjera, të një pjese të popullatës kombëtare, të konsideruar si tepricë, duke rrezikuar të vendos në dyshim rendin ekzistues në nivel politik, social dhe ekonomik. Pra, kemi periudhën e shfaqjes së migrimeve si element rregullator, që dispononte shteti me synim zgjidhjen e tensioneve të brendshme. Formimi i kombeve-shtete, në modele monarkie, duke nisur nga epoka e Mesjetës tenton kufizimin e flukseve të migrimit. Ato, që migrojnë vlerësohen se i përkasin minoriteteve: grupeve fetare të persekutuar, aristokratëve të zhgënjyer, etj. Motivimet e lëvizjeve gjithashtu janë më tepër të natyrës politike dhe kulturore se, sa të natyrës ekonomike./im.ta/DITA

Share This Article