Qeveria e Kosovës dënon sulmin ndaj RTK

Elton Tafaruci

Qeveria e Kosovës e konsideron sulmin me bombë në godinën e RTK-së, si një sulm ndaj fjalës së lirë dhe medieve në Kosovë. Qeveria kosovare u ka bërë thirrje përfaqësuesve të subjekteve politike që të mos etiketojnë dhe të mos sulmojnë mediat publike dhe private.

 “Qeveria e Republikës së Kosovës dënon ashpër sulmin me mjet shpërthyes ndaj Radio Televizionit të Kosovës (RTK), të kryer mbrëmë në rrethana ende të pasqaruara.

Qeveria e Kosovë konsideron se ky është sulm ndaj fjalës së lirë dhe ndaj të gjitha mediave në Kosovë.  Qeveria e Kosovës fton organet kompetente shtetërore që të zbardhin këtë rast dhe të vënë para drejtësisë kryesit dhe nxitësit e këtij akti të shëmtuar.

Qeveria e Kosovës, po ashtu, i bën thirrje të gjithë përfaqësuesve dhe subjekteve politike që në diskursin e tyre publik të mos etiketojnë, sulmojnë dhe linçojnë mediat publike dhe private, në funksion të respektimit dhe të mbrojtjes së fjalës së lirë”, shkruan në komunikatën e dërguar për media.

Në lidhje me shpërthimin, ka reaguar edhe kryetari i Parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli, sipas të cilit, hedhja e mjetit shpërthyes përbën një veprim kriminal, duke shtuar se dhuna dhe frikësimi nuk mund të ndikojnë në lirinë e medieve.

“Hedhja e mjetit shpërthyes mbi Radio Televizionin e Kosovës, përbën një veprim kriminal që në vazhdën e veprimeve të ngjashme të kohëve të fundit, synon të cenojë rendin publik, sigurinë e qytetarëve dhe zyrtarëve të institucioneve publike. Ne jemi shtet demokratike dhe nuk mund të lejojmë asnjëherë që dhuna dhe metodat e frikësimit të ndikojnë në lirinë e mediave, agjendën shtetërore dhe debatin politik”, shkruan Veseli në Facebook.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *