Shumë flitet për luftën kundër korrupsionit në dogana, por duket se realiteti në terren është kokëfortë.
Rastet më të fundit vijnë nga dogana në Han të Hotit, ku policët në doganë i tregojnë ‘dhëmbët’ shoferëve të kamionëve, por ‘zbuten’ sapo u ngrohet dora më paratë që marrin në shkëmbim të lejes për të kaluar mallin.
Videoja e postuar nga “Jetaoshqef” tregon fare qartë atë që ndodh në këtë pikë doganore. Polici i bën presion shoferit se do e kthejë mbrapsht, por e lejon të kalojë kur merr paratë.
Por menjëherë, pas kësaj ngjarje, drejtoria e Standarteve Profesionale ka pezulluar inspektorin Muhamet Tola.
Gjithashtu ajo ka nisur verifikimet për rastin dhe ka filluar ecurinë disiplinore për përjashtim nga Policia e Shtetit për shkelje të rënda të “Kodit të Etikës” dhe “Korrupsion pasiv”.
Ndërkohë Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Punëve të Brendshme ka nisur hetimin penal për këtë rast.
