Lexova me çudi, që për 5 Majin e vitit 1991 ( të kthehesh prapa në memorje, në atë vit të vështirë), z.Guri Shyti paska parë lule vetëm në varret e ish byroistëve. Çdo 5 Maj, para viteve të “Demokracisë”, tek “Nënë Shqipëri” , shkonin në mënyrë të organizuar fëmijët e çerdheve, të kopshteve e të shkollave, pale të rriturit. Kjo bënte pjesë në programin e edukimit patriotik të Rinisë e më gjërë. Kjo bëhej për të mos harruar sakrificat e popullit, e aq më pak të gjakut të rënëve për Liri. Pyes z.Guri, mirë të tjerët por as të afërmit e dëshmorëve nuk i ke parë të vinin lule??!! Po nënat e tyre shamizeza nuk i ke dalluar, se para 25 vitesh, që ti kujtohesh sot, ato ishin akoma gjallë! Sa per merakun se do mbushej vendi me anëtarë byroje, pas vdekjes, mendoj se bën kinse se harron.
Atje, me vendim të byrosë së kohës, varroseshin vetëm figura me kontribut të veçantë, ashtu si dhe sot Presidenti i akordon njerëzve të shquar, pensione të veçanta, të ndryshme nga ne njerzit e thjeshtë. Sa për zhvarrimet, qëllimi nuk ishte “të vinin Drejtësi” për dëshmorët, por sinjali për fillimin e përpjekjeve monstruoze, por të planifikuar mirë, për të hedhur poshtë Luftën e Lavdishme dhe gjakun e dëshmorëve. Po pse nuk na thoni, a keni demaskuar vallë hedhjen në plehrat e Shkodrës, të Monumentit të 5 Heronjve të Vigut nga PD, apo të qindra Lapidarëve të ndërtuar në kujtim të gjakut të dëshmorëve, të cilat sot o janë të shkatërruara o janë në gjëndje të mjeruar?!
Në vazhdim të shkrimeve të z.Stefani dhe ju, në mënyrë dredharake, hidhni poshtë gjakun e dëshmorëve, duke bërë sikur e keni me Udhëheqjen e tyre. Me respekt, V.Konda
