Kryeministri Edi Rama në Spitalin Universitar të Traumës në Tiranë

Elton Tafaruci

Spitali Universitar i Traumës në Tiranë, njëkohësisht qendra e vetme e traumës në vend, sjell për pacientët një risi; protezat ortopedike, për të cilat ata nuk do të kenë nevojë të paguajnë, pasi janë falas.

Ky investim i qeverisë me vlerë rreth 1 milion dollarë, shtrihet në të njëjtën kohë edhe në shërbimin e ortopedisë në QSUT dhe spitalin rajonal të Durrësit.

Deri më sot pacientët që kishin nevojë për proteza, ishin të detyruar që t’i paguanin vetë ato me një çmim dy herë me të lartë sesa ai që shpenzohet aktualisht (nga buxheti i shtetit) për blerjen e tyre. Ndërsa tani protezat, përveçse cilësore dhe të garantuara për pacientët, do t’u kursejnë buxheteve të tyre familjare rreth 2 milionë dollarë në vit.

Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ishte sot në Spitalin e Traumës në Tiranë, për të parë nga afër shërbimin më të ri për pacientët që kanë nevojë për pajisjet mjekësore të implantueshme.

Gjatë vizitës, kryeministri u takua me një paciente, e cila i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale, duke vendosur një protezë falas. “Kisha 10 vjet që s’e bëja dot. Nuk e blija dot protezën. Por tani nuk kisha rrugë zgjidhje, nuk duroja dot më.”, u shpreh zonja, e cila për një kohë të gjatë i është dashur të përballojë dhimbjet fizike si pasojë e pamundësisë financiare për të blerë një protezë.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *