Bashkia e Tiranës ka hedhur poshtë akuzat Partisë Demokratike në lidhje me humbjen e jetës së një të riu ditë më parë në Landfillin e Sharrës për shkak të bashkisë.
Ne deklaratën për mediat, Bashkia e Tiranës, shprehet se “Ne jemi angazhuar për ta bërë qytetin më të jetueshëm për banorët e tij, por edhe për vizitorët dhe fale punës së saj, Tirana është një qytet më i pastër, me transport publik shumë më funksional, me çerdhe, kopshte dhe shkolla të rikonstruktuara, me rrugë dhe trotuare të ndriçuara, me sinjalistikë për drejtuesit e automjeteve, por edhe shumë më miqësore për këmbësorët dhe përdoruesit e biçikletave, por, nga ana tjetër, çdo ditë përballemi me sulme politike që pengojnë punën në kryeqytet”.
Bashkia sqaron se “Disa javë më parë, një djalë i ri ka humbur jetën në fushën e grumbullimit të plehrave në Sharrë. Institucionet përgjegjëse kanë bërë shoqërimet e të implikuarve, janë duke hetuar dhe shpresojmë që e vërteta e kësaj ngjarje të trishtë të zbardhet sa më shpejtë. Një qytet me 1 milion banorë si Tirana, ka mbi 100 kontraktorë të shpërndarë nëpër të gjithë territorin në rrugë, në ujësjellësa, ndërtesa, ura, mbikalime, infrastrukturë arsimore, grumbullim mbetjesh, pastrim e shërbim. Teksa Bashkia vendos rregullat, çdo ofrues sherbimesh në qytet përgjigjet përpara ligjit për çdo shkelje të këtyre rregullave. Ndaj, Bashkia e Tiranës ka qenë dhe vazhdon të jetë në krah të institucioneve ligjzbatuese, duke ofruar të gjithë ndihmën për një hetim të plotë të kësaj ngjarjeje e vënë përpara përgjegjësisë cilindo kontraktor që nuk ka respektuar këto rregulla”.
Bashkia e Tiranës deklaron se “Qytetarët e dinë mirë se Tirana ka humbur boll nga kjo forcë politike, e cila e la në një gjendje katastrofike. Sot Partia Demokratike i përket të shkuarës së Tiranës tone”.
Partia Demokratike edhe sot ka ripërsëritur akuzat ndaj Bashkisë së Tiranës nëpërmjet Sekretares së Marrëdhënieve me Publikun, Grida Duma, ku pohon: “Dëgjojeni pak thirrjen publike të këtij që sot hesht, censuron mediat e që po bllokon zbardhjen e të vërtetës për aferën e madhe kriminale e korruptive të landfillit të Sharrës”.
“Dua t’u bëj thirrje të gjithë atyre që sot e sigurojnë jetesën e tyre, duke ndërhyrë në koshat e bashkisë, që ta lënë atë punë të paligjshme, për të punësuar edhe 200 punonjës të tjerë, për ta çuar në 400. Ne mund të punësojmë pa fund njerëz që realisht duan të punojnë”.
