Mbytja në rezervuar e dy të rinjve, procedohen penalisht 3 persona

Elton Tafaruci

Policia ka vijuar me verifikimet në lidhje me ngjarjen e ndodhur në fshatin Qatrom, ku humbën jetën dy kushërinj. Lidhur me këtë ngjarje ka filluar procedimi penal ndaj Administratorit të Shoqërisë e cila ka shfrytëzuar tokën, ndaj ish-Kryetarit të Komunës Drenovë, si edhe Administratorit të kësaj Njësie Administrative, të cilët akuzohen për “shpërdorim detyre” .

Në vijim të hetimeve të kryera, në lidhje me ngjarjen e ndodhur më datë 19.08.2016, në fshatin Qatrom, në të cilën humbën jetën shtetasit A.T dhe R.T, duke u mbytur në vendin e quajtur “Gropa e Danielit”, ju sqarojmë se :

Specialistët e Seksionit  për Hetimin e Krimeve të Korrupsionit, në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, filluan procedimin për veprën penale: “Shpërdorimi i tokës”ndaj shtetasit:

V.K, 53 vjeç, banues në Korçë, me detyrë Administrator i një  shoqërie private, në fushën e qeramikës.

Nga verifikimet e kryera kjo shoqëri, ka rezultuar me mangësi në dokumentacionin e paraqitur, si edhe në mënyrën e shfrytëzimit të tokës, pikërisht në  gropën ku humbën jetën, dy kushërinjtë.

Gjithashtu ka filluar procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale: “Shpërdorimi i detyrës” në ngarkim të shtetasve :

F.S, 57 vjeç, banues në Korçë,  me detyrë ish-Kryetar i Komunës Drenovë dhe

M.M, 31 vjeç, banues në fshatin Qatrom, me detyrë Administrator i Njësisë Administrative Drenovë.

Shtetasit e lartpërmendur, duke qenë me detyrë Kryetar dhe Administrator, dyshohet se nuk kanë marrë masat e nevojshme, për kontrollin e aktivitetit të ushtruar, në territorin e kësaj njësie.

Materialet për veprime të mëtejshme hetimore, i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *