Motori kryesor i rritjes ekonomike edhe për ne si një vend në zhvillim është aktiviteti i kredidhënies. Në bazë të një vrojtimi të kryer nga Banka e Shqipërisë gjatë muajve janar-mars 2013, individët dhe bizneset nuk presin të investojnë gjatë këtij viti dhe pritshmëritë e tyre për të marrë kredi janë në nivelin më të ulët të 10 viteve të fundit. Rënia drastike e tregut të kredive bankare është një nga “kallashnikovët” që do të vrasë rritjen ekonomike për këtë vit, së bashku me indiferencën (po vrastare) të qeverisë për të ndihmuar bankat dhe biznesin në zgjidhjen e ngërçit të kredive të këqija.
Rekordi në prill 2013 i kredive të këqija me 26 përqind të totalit të kredive në sistemin bankar është mina me sahat e pasigurisë së sistemit, e cila pritet të shpërthejë. Nga anketa e Bankës së Shqipërisë, e zhvilluar me 1271 familje në qarqe të ndryshme të vendit dhe me mbi 700 kompani të mëdha biznesi, dëshmohet frenimi, stepja e bizneseve dhe qytetarëve, pasiguria e lartë për të investuar. 84 përqind e sipërmarrësve (mbi 8 në çdo 10 biznesmenë) janë shprehur për vrojtimin se nuk do të marrin një kredi në gjashtëmujorin e ardhshëm. Ky nivel tregon qartë se biznesi është në krizë dhe nuk synon të bëjë asnjë investim.
Pakënaqësinë dhe mosdashjen për të marrë para hua nëpër banka e sjell edhe fakti që kushtet e huadhënies bankare janë shtrënguar dukeshem, si për bizneset dhe për individët. Sipas qëllimit për të cilin përdoret kredia, bankat kanë shtrënguar njëlloj standardet si për kredinë e akorduar ndërmarrjeve të mëdha për kapital qarkullues, ose për qëllim investimi, ashtu edhe për kredinë e dhënë individëve për blerje banese apo për konsum.
Nga një tjetër vrojtim i Bankës Qendrore rezulton se faktorët që kanë ndikuar në këtë sjellje të sistemit bankar janë problemet specifike të sektorit ku operon biznesi, situata e kredive me probleme dhe situata e përgjithshme makroekonomike. Ndërsa për individët, faktor shtesë janë edhe zhvillimet negative në tregun e pasurive të paluajtshme. Politika shtrënguese e bankave është reflektuar me rritjen e komisioneve dhe rritjen e kërkesës për kolateral. Ndërkohë, një pjesë e mirë e bizneseve që kanë marrë kredi apo hua jo-bankare, konfirmojnë se një përqindje e mirë e të ardhurave të tyre shkon për të shlyer këto borxhe. 27 përqind e të intervistuarve nga bizneset e mëdha deklarojnë se 20-50 përqind e të ardhurave të tyre mujore shkojnë për të paguar këstet e huave.
Më shumë se gjysma e bizneseve deklarojnë se kanë një borxh për të paguar. Në rast se do të bëhej një anketë me bankat, shumica dërrmuese e bankierëve do të shpreheshin se sipërmarrjet nuk kanë asnjë dëshirë për të marrë kredi të reja. Në të njëjtat ujëra pesimizmi si bizneset janë edhe individët ku, sipas anketës së Bankës së Shqipërisë, rezulton që 70 për qind e tyre nuk presin që gjate këtij viti të ndryshojë aftësia e tyre paguese e kredive të marra. Shifrat e raportit të stabilitetit financiar tregojnë se 26 e familjeve shqiptare huamarrëse deklarojnë përkeqësim të aftësisë së tyre paguese.
Pra, me fjalë të tjera, në katër shqiptarë që kanë marrë kredi familjare, një ndodhet në vështirësi në rritje për ta shlyer kredinë. Ndërsa 12 përqind prej tyre kërkojnë rinegocim të huasë. Një tjetër tendencë është edhe huamarrja informale, ku sipas bankës qëndrore, më shumë se gjysma (54 përqind) e parave borxh sigurohet në Shqipëri nga burime informale, ndërsa 46 për qind është hua bankare dhe pothuajse bankare (institucionet rurale të kreditimit). Nga të dhënat e mësiperme të Bankës së Shqipërisë dallohet qartë mungesa gati totale e kërkesës për kredi dhe investime nga sektori privat (bizneset dhe individet) në vend.
Duke i shtuar këtij fenomeni shtrëngimin në maksimum të kushteve të kredidhënies nga bankat dhe situatën e turbullt politike me zgjedhjet problematike që po afrohen, duhet pohuar se kredidhënia tek ne ndodhet në asfiksim të plotë.
