Për Nënë Terezën, sikur të mundja…

Dita

Dy herë kam qëndruar statujë përpara ekranit. Kur dëgjova i ngrirë, pa lëvizur asnjë qelizë e trupit, veç zemra, këngën simfoni-himn i këngës labe: “Janinës ç’i panë sytë!” Në rastin e dytë, para ekranit në Konektikat, në SHBA, ngriva duke ndjekur vizitën e Papës në Tiranë, frymën e jashtëzakonshme që shprehu populli im dh Ati i shenjtë kur zgjati meshën, zbriti nga mjeti e u fut në mes të turmës së ndërgjegjshme. I trembesha ndonjë provokimi të organizuar për të vërtetuar “lidhjet imagjinare tonat me fondamentalistët dhe tezën e tyre se shqiptarët s’dinë të bëjnë shtet”. Ngrirjen e tretë e pres në 4 Shtator, kur të përcjellim shenjtërimin e Nënë Terezës. Jam pagan, besoj perëndite pellazge që i këndojnë himn jetës mbi tokë dhe dymbëdhjetë elementeve të natyrës që i ngrinin në shkallën e perëndive. Po tek shenjtërimi i Nënë Terezës shoh vlerat e cilësitë e kombit tim, që dhe kur detyrohet të shkojë në luftë, shkon për t’i kënduar himn jetës. Nëna e madhe Gonxhe Bojaxhi, s’është gonxhe në shkretëtirë, por një lule në shpirtin e gjerë e të madh të kombit që e lindi dhe e rriti, kombit që shtrihet nga Gjiri i Artës deri te Molla e Kuqe, në Kosovën-frymë nga lindja e Shkupit në bregun e Semanit.

Shumë herë jeta ka vërtetuar, në lashtësi e në kohët e sotme frymën ndihmuese të këtij populli, portrete si brenda vetes, dhe për të huajt. Figura legjendë, historike a njerëz të zakonshëm kanë materializuare këtë mrekulli të shpirtit të popullit, që e trashëgojmë nga lashtësia deri në ditët e sotme. Nënë Tereza është, siç thoshin latinët, “sumumi”, ose shuma e shumave, maja e artë e shpirtit të gjerë shqiptar që për fat të keq, për rrethana historike, ekonomike, gjeografike, edhe pse vendi më i pasur i Evropës, është me popullin më të varfër të kontinentit.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *