Si duhet trajtuar infeksioni i veshit të jashtëm

Dita

Një ndër patologjitë e shpeshta të shfaqura gjatë kësaj stine janë edhe infeksionet e veshit të jashtëm. Përhapja e tyre shfaqet në masë edhe tek moshat e vogla, kjo edhe si shkak i frekuentimit të pishinave dhe plazheve, ku higjiena shpesh herë nuk është në nivelet e duhura.  Sëmundja, e cila njihet ndryshe edhe si “veshi i notarit”, kërkon kujdes maksimal për të mos lejuara ripërsëritjen e tij. Mjekja infeksioniste, Ilda Xhelili, tregon faktorët që çojnë në shfaqjen e këtyre infeksioneve, simptomat, si dhe masat që duhet të merren për të parandaluar ndërlikimet shëndetësore.

 Çfarë është infeksioni i veshit të jashtëm dhe nga se shkaktohet?

Veshi i notarit, ose otiti akut ekstern, është një infeksion i lëkurës që mbulon pjesën e jashtme të veshit dhe kanalin e jashtëm të tij. Otiti i veshit të jashtëm është zakonisht një infeksion bakterial i shkaktuar nga lloje të ndryshme bakteresh, ku ndër më të shpeshtit raportohen të jenë streptokoku, stafilokoku, ose pseudomonas. Zakonisht ky infeksion shkaktohet nga ekspozimi i tepruar ndaj ujit, siç ndodh për shembull gjatë notit, apo sporteve të tjera të ujit (zhytje, surfing, etj). Kur uji mblidhet në kanalin e veshit, (i cili shpesh është i bllokuar nga dylli), lëkura mbetet gjatë e lagur, duke shërbyer si një ambient i përshtatshëm për shumimin e baktereve. Gjithashtu edhe ngacmimi i vazhdueshëm i kanalit të veshit (siç ndodh gjatë pastrimit me kunja) shihet si faktor rrisku për një infeksion bakterial të kanalit të jashtëm të veshit.

 Cilat janë simptomat klinike të veshit të notarit?

Simptoma e parë është ndjesia e rëndimit të veshit, si edhe kruarja e tij. Veshi gjatë kësaj kohe do të bymehet (edematizohet), si pasojë e grumbullimit të ujit. Në këtë fazë veshi do të jetë shumë i dhimbshëm, sidomos gjatë lëvizjeve të kokës. Edema mund të jetë aq e theksuar saqë mund të bllokohet fare kanali i veshit, duke bërë që pacienti të fryhet në fytyrë apo në qafë. Po ashtu nyjet limfatike të qafës (gjëndrat e qafës) mund të zgjerohen, duke e bërë kështu të vështirë, ose të dhimbshme hapjen e nofullave. Pacientët mund të përjetojnë edhe humbje të përkohshme të dëgjimit në veshin e prekur. Përveç formës akute (të menjëhershme) të veshit të notarit, kemi edhe formën kronike të tij (forma afatgjatë). Forma kronike e veshit të notarit, është po ashtu një infeksion i kanalit të jashtëm të veshit, por që vazhdon për më shumë së katër javë, ose mund të ndodhë më shumë se katër herë në vit. Kjo gjendje mund të shkaktohet nga

 një infeksion bakterial si në formën akute, nga ekzemat e lëkurës së veshit, nga infeksionet fungale (mykotike) nga acarimet kronike të lëkurës së veshit të jashtëm (siç është përdorimi i aparateve të dëgjimit apo pastrimi në kunja pambuku), alergji të ndryshme, rrjedhjet kronike të veshit si rezultat i infeksioneve më të thella të tij, apo edhe thjesht nga zakonet nervore të shoqëruara me kruarje të shpeshta të veshit. Natyrisht që më të predispozuar për infeksione të tilla janë personat me dobësim të sistemit imunitar siç janë për shembull ata që vuajnë nga diabeti, sëmundje të ndryshme malinje, SIDA, etj.

Çfarë rekomandohet në kushtet e shtëpisë për këtë patologji?

Në radhë të parë për të gjithë, por në mënyrë të veçantë për notarët dhe të apasionuarit e sporteve të tjera të ujit, rekomandohet të mbajnë veshë të thatë. Përveç kapeleve të posaçme të llastikut është e rekomandueshme të përdorin tapa të posaçme veshësh, të cilat pengojnë depërtimin e ujit në brendësi të veshit. Në mungesë të tapave mund të përdoret pak pambuk me vazelinë që futet pa sforco në vrimat e të dy veshëve. Kjo rekomandohet jo vetëm gjatë ushtrimit të sporteve të ujit, por edhe kur bëhet dush. Rekomandohet, shmangia e pastrimit të veshëve me kunjat e pambukut. Veshët duhet të thahen me peshqir aq sa lejohet në mënyrë natyrale me gisht. Personat që përdorin aparate dëgjimi duhet të kenë kujdes që të përdorin aparate, të cilat nuk shkaktojnë acarimin dhe dëmtimin e lëkurës së kanalit të jashtëm të veshit. I rekomandueshëm është edhe përdorimi i tharëses së flokëve, kur dalim nga dushi, ose nga uji për të mbajtur veshin pa lagështi. Këta persona duhet të bëjnë vizita të shpeshta te mjeku për të kontrolluar mundësinë e pranisë së dyllit në të. Asnjëherë mos u përpiqni të pastroni dyllin e veshit me mjete rrethanore. E theksoj edhe një herë veshët thjesht duhen fshirë me peshqirë pa ushtruar forcë mbi ta. Në rastet problematike, mjeku përcakton gjendjen e kanalit të veshit dhe jep mjekimin përkatës.

Cila është ecuria e sëmundjes sw veshit të notarit?

Veshi i notarit është zakonisht një gjendje e shërueshme që zgjidhet shpejt me trajtimin e duhur nga mjeku specialist. Në shumicën e rasteve, trajtohet lehtë me mjekime lokale. Kurse rastet kronike mund të kërkojë trajtim më intensiv. Zakonisht këto situata nuk komplikohen. Mjaft të prekshëm nga ky fenomen janë fëmijët, të cilët shfaqin më tepër problemin e dhimbjes së veshit, apo të interesimit të sistemit limfatik (gjëndrat e qafës ). Nëse gjenda rëndohet dhe nuk jepet ndihma e duhur, mund të lindin komplikacione, ku më i shpeshti është vazhdimi i infeksionit në drejtim të veshit të mesit. Prandaj futja e ujit në vesh në asnjë moment nuk duhet të nënvlerësohet.

 

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *