Alienët e mbollën hashashin?

Dita

E nderuar “Dita”! Fushata për korrjen dhe grumbullimin e kanabisit përfundoi me sukses. Prodhimet ishin të bollshme. Në ndihmë të kultivuesve shkoi edhe policia. Korri sipërfaqe të tëra nga Jugu në Veri, dogji disa degë si shenjë që kishte qenë atje dhe shpërndau njoftimin se po punohet për të identifikuar dhe kapur kultivuesit. Në fund, si për të gjitha fushatat e suksesshme, një veprimtari disa milionëshe për arritjet (të kultivuesve apo të policisë?!!!). Këto janë fragmente nga kronikat. Nuk kemi të drejtë të hamendësojmë e të komentojmë se ç’ndodh prapa perdeve, po ndonjë mendim mund ta shprehim.

Toka pa pronar nuk ka. Me sa di unë ka vetëm dy lloj pronarësh, individë dhe shteti. Alienët nuk kanë regjistruar asgjë në hipotekë. Po shteti ka rojtarë që duhet ta njohin zonën me pëllëmbë, edhe një trung të prerë pa leje, edhe gjuetarët që gjuajnë në atë pyll, edhe çdo vatër zjarri…Për këto të mbjella mos i ka vënë në gjumë hashashi dhe nuk kanë parë asgjë, as kur u punua ara, as kur u mboll fara, as kur u ujit e as kur u rrit?!

Në fshat ka kryeplak dhe anëtarë të kryepleqësisë. Ata dinë dhe furriqet e pulave e zbulojnë autorët e çdo keci të vjedhur në errësirën e natës. Si ka mundësi të mos u ketë zënë syri parcelat e mbjella me hashash, veprimtari që nuk përfundon në një ditë a një natë, as në një javë e as në një muaj?!

Në Shqipëri ka mesatarisht një polic për 200 banorë afërsisht. Këta kanë detyrë të parandalojnë krimin, apo të vjelin prodhimin?! Me sa duket, kur kupola ka interes, vartësit nuk kanë as sy e as veshë. Kur kupola kërcet dhëmbët, hashashit i shkulen rrënjët.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *