Më lini të qaj për një fëmijë 10 vjeç. Ai do të varroset sot i pangrënë. Do të përcillet në banesën e fundit me shumë plagë në shpirt. Plagë të hapura më shumë se mjerimi, nga dhuna barbare e babait dhe njerkës së tij. I mituri I.Xh. thanë se u mbyt dy ditë më parë në lumin Drin i Zi.
Trupi i pajetë i vocërrakut nga fshati Mazhic i Bulqizës u gjet paraditen e djeshme në afërsi të fshatit Katund i Ri të Dibrës.
I mituri u gjet pas shumë orë kërkimesh nga banorët e tri fshatrave, të cilët po e qajnë pa gjetur ngushëllim.
Dhe jo vetëm atë, por edhe 7 motrat dhe vëllezërit e tij, të cilët, nëse nuk do të ndërhyjë urgjentisht shteti, rrezikojnë të kenë të njëjtin fat.
Pas lajmit të konfirmuar zyrtarisht edhe nga policia për mbytjen e 10-vjeçarit, “fshihet” një histori tejet e dhimbshme. Histori që vjen nga një zonë, ku varfëria ekstreme i shndërron njerëzit në ‘kafshë’.
Vetë të afërmit e të miturit dhe banorët e fshatit Mazhic, me rrëfimet e dëshmitë e tyre pohuan dje për “Gazeta Shqiptare” se babai i fëmijës që u mbyt në lumë është kafshë dhe jo njeri. Ata pohuan se djali i rritur pa nënë mund të mos jetë mbytur duke u larë në lumë, por mund t’i ketë dhënë fund jetës për shkak të traumës dhe depresionit.
Se vetëm tri ditë para ngjarjes, ai ishte rrahur në mënyrë çnjerëzore nga i ati i tij, Shpëtim Xholeshi. 50- vjeçari e ka shtrirë përtokë djalin që kishte me gruan e parë dhe ia ka shkelur kokën me këmbë.
Ky fakt është bërë me dije nga gjyshja 80-vjeçare e të miturit. Por, edhe nga njerka, e cila u shpreh se fëmijët e thjeshtrës i rrihte më pak se i ati i tyre.
DËSHMIA E GJYSHES PËR NGJARJEN
Mëngjesin e së hënës, unë dhe nipi im 10 vjeç shkuam në pyll për dru. Morëm me vete edhe dy kuajt. Rreth orës 10:30 i thashë djalit të djalit të më sillte njërin nga kuajt për ta ngarkuar. Por, ai iku deri tek ura pa më thënë gjë se ku do të shkonte. E kërkova gjithandej, por nuk e gjeta. Mendova se mos ishte fshehur gjëkundi prej frike. U ktheva në shtëpi, ndërsa ai nuk u kthye. Të gjithë dolëm për ta kërkuar.
Banorët e fshatit tonë dhe të Katundit të Ri (i përket rrethit të Dibrës) dolën një për një prej shtëpie dhe bashkë me ne kërkuan deri mëngjesin e sotëm (djeshëm). E gdhimë në bregun e lumit Drin, pasi aty gjetëm dy kuajt, të cilët i kishte marrë nipi”,- thotë Hëne Xholeshi.
Ndërkaq, e moshuara tregoi se djali i saj, Shpëtimi (babai i viktimës) ishte martuar dy herë dhe se me gruan e parë, të cilën e kishte ndarë, ka 4 fëmijë dhe po 4 fëmijë ka edhe me të dytën. Gjithashtu, 80-vjeçarja u shpreh se familja e saj prej 11 anëtarësh mbahej me pensionin e saj dhe pensionin e dy fëmijëve invalidë të të birit. E moshuara qante për humbjen e nipit, ndërsa krah saj dëneste mbesa e saj më e madhe, motra e 10-vjeçarit.
DËSHMIA E NJERKËS
Dje ajo qante. Njerka e 10- vjeçarit tha: “Unë jam nusja e dytë e Shpëtim Xholeshit, por ai plehra më bërtet edhe mua. Më thotë ik tek nëna jote. Më shan dhe rreh fëmijët. Me të kam 4 fëmijë. Ai na torturon mua dhe fëmijët”.
E pyetur nëse i rrihte 4 fëmijët e tjerë që burri kishte me gruan e parë, ajo u shpreh: “Unë nuk i torturoj. Unë i dua, por ai (burri) i torturon më shumë. Kur i them unë mos i prek fëmijët, Shpëtimi më thotë: ‘Se nuk të pyes ty. Unë i ruaj me bukë. Ti nuk ke punë me fëmijët e mi’. Ai i rreh përditë fëmijët. Pi nëpër lokale dhe bëhet tapë. Para tri ditësh, erdhi vjehrra e më tha: ‘Oj nuse, yt shoq e mbyti djalin krejt. Ia ka shtypur kokën me këmbë dhe mezi ia kam nxjerrë nga duart’”.
Ndërsa, banorët e fshatit ku ndodhi ngjarja pohuan se 50- vjeçari Shpëtim Xholeshi është baba diktator dhe i pamëshirshëm, pasi në vijimësi ka ushtruar dhunë fizike e psikologjike mbi fëmijët e tij, të cilët duhet të merren urgjentisht në mbrojtje nga shteti.
Gjithashtu, banorët thanë se i kanë ndihmuar me bukë, vaj e sheqer dhe me çfarë kanë mundur familjen e varfër Xholeshi./GSH/

vetem kur vdesin njerezit shkruajn gazetat sa turp ku ishit deri dje zoterinj gazetar merruni me shum me varferin qe ka pllakosur vendin dhe krimin ne familje bolle ne nxirni njerez te degjeneruar qe drejton vendin
Nje keshille gjuhesore:
Ne gjuhen e bukur shqipe “thjeshter” u thone femijeve te gjetur, pra njerka nuk rreh femijet e thjeshtres, po rreh thjeshterit qe jane femijet e “shemres”. Ju lutem mesoni shqip!