Dibër, Ahmetaj: Mbështetje për kreditimin e fermerëve

Elton Tafaruci

Fushata e kandidatit të koalicionit Aleanca për Shqipërinë Europiane, Muharem Rama vijoi në fshatin Grevë të njësisë administrative Melan, në Dibër, ku u zhvillua një takim me fermerë të zonës në një plantacion mollësh. Të pranishëm në këtë takim ishte dhe Ministri i Financave, Arben Ahmetaj dhe ai i Energjitikës dhe Industrisë, Damian Gjiknuri.

Kandidati Rama u ndal tek programi për rritjen e subvencioneve në bujqësi e blegtori, investimet në vaditje e kanalizime ashtu sikurse edhe për regjistrimin e fermave.

Gjatë bashkëbisedimit me fermerët, Ministri i Financave, Arben Ahmetaj tha se tanimë është mekanizmi i duhur që ata të përfitojnë kredi investimi me subvencionim nga Buxheti i Shtetit. “Është fondi i garancisë që kemi bërë me BERZH-in, që jep mundësi për kredi të vogla apo edhe të mëdha. Kredi me interes të subvencionuar nga Buxheti i Shtetit, pa kolateral në mënyrë që të zhvillohen fermat e vogla apo të mëdha, qoftë bujqësore apo qoftë blegtorale. Mos harroni edhe një element tjetër, ato ujëmbledhësa deri më dje nuk dihet se kush i ka patur, nuk dihej se kush kujdesej. Sot, e ka me përgjegjësi qoftë ligjore e qoftë financiare bashkia. Bashkia e Dibrës por edhe gjithë bashkitë e Shqipërisë, këtë vit që vjen marrin gati 25 milion dollarë më shumë se ç’kanë marrë vitin e kaluar”, u shpreh Ahmetaj.

Ndërkaq, ministri Ahmetaj u ndal edhe tek debati mbi Rrugën e Arbrit, duke konfirmuar se qeveria e majtë është e vetmja që e ka marrë seriozisht këtë çështje. “Mos harroni se është një premtim prej 20 vitesh që për herë të parë konsiderohet si një projekt serioz në tryezë të qeverisë. Unë nuk kam nevojë ta përsëris por e kam me shumë dëshirë ta theksoj se kjo qeveri ka për ta bërë rrugën e Dibrës, Rrugën e Arbrit”, nënvizoi Ahmetaj.

Koordinatori socialist për Qarkun e Dibrës, Damian Gjiknuri komentoi premtimet e kandidatit të opozitës për pagesën e faturave të energjisë së qytetarëve përmes buxhetit të bashkisë. “E kam dëgjuar kandidatin tjetër që bën premtime që nuk i mban dot e që janë thjesht mashtrime. Dibranët e kuptojnë shumë mirë se sa ke mundësi. Thotë tani se unë do tu paguaj energjinë elektrike me buxhetin e bashkisë. Kjo është një gënjeshtër, një mashtrim i gjallë. Kjo tregon se ti nuk ke asnjë program për Dibrën e jep premtimet që i ka në dorë qeveria qendrore”, nënvizoi Gjiknuri.

Share This Article
1 Comment
  • Tani nga fushata qe po bejne ministrat rilindjote nuk eshte e qarte nje gje. Keta thone se duhet votuar Rrema pasi qeveria ka ne plan te ndertoje Rrugen e Arbrit. Lind pyetja: po perse nese fiton kundershtari cfare do te beje qeveria? Do te vendose te mos ta ndertoje nga inati se u votua i zgjedhuri i opozites??? Ore a e kuptoni se deri ne cfare niveli ka arritur budallalleku rilindjot!!!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *