Tim Cook, kreu i gjigantit amerikan ”Apple”, e cilësoi sot një kotësi politike vendimin e Brukselit që i ka kërkuar grupit rimbursimin e 13 miliardë eurove Irlandës me akuzën për përfitime tatimore.
“Ky është një vendim i parëndësishëm politik”, u shpreh ai në një intervistë për të përditshmen irlandeze ”Irish Independant”.
Ai u ndal kryesisht në shumën e përcaktuar nga Komisioni Evropian në lidhje me normën e tatimit mbi fitimet evropiane në 2014, e vlerësuar në 0,005 për qind nga ana e Brukselit.
“Ata kanë përcaktuar një shifër nuk e di se me çfarë baza. Në periudhën në të cilin Komisioni u shpreh që duhet të paguajmë këtë normë tatimore, në fakt ne kemi paguar 400 milionë dollarë. Besojmë se kjo shumë e paguar nga ana jonë përbën kontributin më të madh financiar në Irlandë për këtë vit”, sqaroi ai.
Cook mbrojti me fanatizëm tezën se nuk ka përfituar nga një trajtim preferencial fiskal nga ana e Irlandës.
