Në një rrëfim për Ylli Polovinën për librin e tij “Të jesh apo të mos jesh PS”, Gramoz Ruçi, flet mbi largimin e tij nga Shqipëria gjatë trazirave të 1997.
Ai tregon se kishte zgjedhur për të ikur nga Shqipëria ditën kur Partia Demokratike mblidhte Këshillin Kombëtar të saj dhe askush nuk e kishte mendjen tek ai, por tek e ardhmja e posteve qeverisëse.
Në rrëfimin e tij, Ruçi tregon se si ka rinisur në vendin fqinj jetën e tij si refugjat ekonomik.
Nuk kanë munguar edhe kërcënimet me jetë për bashkëshorten e tij nga SHIK-u.
Sigurisht që unë u largova nga Shqipëria në kushtet e një depresioni shpirtëror. Pa familje, pa një bazë në vendin e huaj, ku jam dhe mbi të gjitha pa mjetet e dëshiruara financiare. Kam ikur ditën.
Dikush mendon që kam ikur natën, “ekspertiza” ka nxjerrë në Tiranë që unë kam dalë nga çatia e pallatit. “Ekspertët” e dashur nuk e kanë kuptuar dot se unë kam dalë nga dera dhe mu në mes të ditës. Dola nga dera e shtëpisë sime dhe pastaj nga hyrja kryesore e pallatit. Nuk kam dalë i maskuar.
Kam dalë si Gramoz. I vetmi dëshmitar dhe shoqërues ka qenë djali im dymbëdhjetë vjeç. Isha i survejuar nga dymbëdhjetë shikas. Si, qysh, tek?! Ata e kanë kryer shërbimin me shumë korrektesë, kishin mbi një muaj aty dhe kjo nuk ishte e lehtë. Duhet të përballonin vapën e qershorit dhe të korrikut, si ditën ashtu edhe në mërzinë e natës.
Nuk është punë e lehtë të përgjosh, të regjistrosh gjithçka, kush hyn e del, çfarë thuhet në shtëpi kush po i vjen e kush po i ikën, nga hyn e nga del. Sigurisht ishte një shërbim i padëshirë, por ata zbatonin detyrën….
