Intervista / Derbi ballkanas? Alban Bushi: Zoti ndihmon atë që punon

redaktor

Entela Resuli – DITA

Kombëtarja Shqiptare e Futbollit është akomoduar prej disa ditësh në një nga hotelet në qendër të Tiranës. Në hollin e hotelit, ata bien në sy. Janë të veshur me uniforma dhe flasin vetëm për… sport. Të gjithë janë me telefona në duar. Duket se ky aksesor nuk i lë që të mërziten. Mes tyre ka dy gjuhë “zyrtare”, shqipja dhe italishtja.

E takuam këtë të enjte menaxherin e Kombëtares, Alban Bushi, i cili duket i qetë dhe me këmbë në tokë. Në 5 Shtator, në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër, Shqipëria do të përballet me Maqedoninë, e vlefshme për eliminatoret e Botërorit, Rusi 2018.

Bushi thotë se do të jetë një ndeshje e vështirë, ndryshe ai e quan një derbi ballkanas.

Me menaxherin e Kombëtares kemi folur edhe për situatën e ditëve të fundit, ku disa lojtarë kanë lënë fanellën kuq e zi të Shqipërisë për atë verdhë e blu të Kosovës. Për Albanin ata nuk janë tradhtarë. Ai po të ishte në vendin e tyre do të bënte të njëjtën gjë. Më poshtë, një bisedë me Alban Bushin, në pritje të ndeshjes së parë për eliminatoret e Botërorit.

-Alban, cila është gjendja e futbollistëve në prag të ndeshjes së parë kualifikuese me Maqedoninë?

E rëndësishme është që nuk kemi dëmtime. Lojtarët vijnë nga një fazë përgatitore shumë e fortë. Jemi në fillim kampionati, një pjesë kanë filluar ndeshjet, një pjesë jo, mendoj që nuk do të jenë në formën e tyre më të mirë siç kanë qenë në Europian, por jam i bindur se do të japin maksimumin për ndeshjen e parë zyrtare mbas Evropianit. Është shumë e rëndësishme për ne. Kemi bërë një punë shumë të madhe në Francë dhe gjatë gjithë kësaj periudhe që kur ka ardhur trajner De Biazi. Mendoj se kjo punë duhet të ketë vazhdimësi, pasi, nëse nuk ka vazhdimësi, hedhim poshtë dhe atë që kemi bërë.

-Kjo është skuadra më e mirë? Ka të tjerë që do të duhet të ishin në fushë..?

Këto janë zgjedhjet e trajnerit, janë lojtarët që janë më të mirët e momentit. Patjetër që ka dhe të tjerë që janë alternativa, por për momentin këta janë më të mirë se ata që nuk kemi thirrur.

-Cilat janë pritshmëritë e Kombëtares për kualifikueset e Botërorit, kemi shanse të përsërisim Euro 2016 për një tjetër kualifikim?

Unë mendoj se është e vështirë, po aq e vështirë sa ishte edhe përpara Europianit. Edhe po të më pyesnit përpara Europianit për shanset e kualifikimit, do të thoja që nuk është e lehtë, por ja që ne ia dolëm. Duke menduar në të njëjtën formë, ndeshje pas ndeshje, duke i marrë një e nga një, mendoj se kemi shanse. Pavarësisht se këtë herë është Italia dhe Spanja në grup, që janë ekipe shumë të mëdha dhe nuk kanë nevojë për komente, mund të kemi shanse. Them se na favorizon edhe programi që kemi me ata. Me ta luajmë, pothuajse dy ndeshjet e fundit të eliminatoreve, deri atëherë, nëse ekipi ka marrë pikët e plota, duke rrahur kundërshtarët tanë direkt, siç kemi Maqedoninë, Izraelin që janë shumë të forta, po ashtu edhe Lihtenshtejnin, do të jemi më të fortë dhe komodë në fushë.

-Ju thoni se do e kemi të vështirë me Maqedoninë?

Shumë të vështirë. Mos harroni se kjo ndeshje është derbi ballkanas, nuk do të jetë e lehtë për ta fituar. Duhet të jemi me këmbë në tokë, ta harrojmë ata që bëmë dhe të mendojmë për ndeshjet e tjera. Them se do e kalojmë me suksese, por është e vështirë.

-Bushi, vera e këtij viti u shoqërua me lajme të shumta për të ardhmen e De Biazit, mund të themi tashmë se trajneri italian do të mbetet kuqezi dhe në kualifikueset e Botërorit?

Çdo trajner kur arrin diçka dhe është i suksesshëm në punën që bën, dhe duhet thënë që De Biazi ka bërë një punë mjaft të mirë, normal që do të ketë kërkesa nga klube. Unë di që trajneri ka pas shumë kërkesa, por ai i ka refuzuar ato sepse mendon dhe është më komod me një ekip kombëtar. Ka më pak ndeshje. Ka kohë për t’i parë lojtarët dhe ka preferuar që të qëndrojë. Në Federatë nuk është se ka patur ndonjë kërkesë zyrtare për trajnerin, por vetë De Biazi ka marrë thirrje nga klubet të cilat i ka refuzuar duke menduar të vazhdojë me ne. Dhe në këtë botëror do të jetë me ne.

Menaxheri i Kombëtares, Alban Bushi dhe trajneri Gianni De Biassi
Menaxheri i Kombëtares, Alban Bushi dhe trajneri Gianni De Biassi

-Çfarë të mire solli Euro 2016 për kuqezinjtë, a u plotësuan pritshmëritë tuaja?

Pritshmëria jonë ishte që të zinim një vend sa më të mirë në grup. Nuk e kishim menduar ndonjëherë kualifikimin. As unë personalisht dhe as trajneri. Pasi kur sheh ekipe si Serbia, si Portugalia, në grup, stepesh pak, por ja që ne ja dolëm. Patëm edhe pak fat për mënyrën se si erdhën punët. Ndonjëherë fati shkon edhe me atë që punon. Unë mendoj se ia kemi bërë hyzmetin, që në organizim, në seleksionimin e lojtarëve por edhe në punën që ka bërë trajneri brenda ekipit.

-Ka patur shumë diskutime, po sipas jush a ishte ekzagjeruar pritja që iu bë ekipit në Shqipëri pas kthimit nga Franca, pasi paçka euforisë në fund të fundit, Kombëtarja erdhi e humbur në shtëpi?

Unë mendoj që Shqipëria ka bërë diçka shumë të madhe, të paparashikueshme dhe të papritshme nga askush. Mendo: Ti ke qenë gjithë jetës në vend të fundit dhe del befas në vend të parë. Ekipet dhe çdokush, i ngjit shkallët ngadalë, shkohet në klasë të parë, të dytë, të tretë e me radhë, ndërsa ne, nga klasa e parë, shkuam direkt në master. Është habi ta mendosh, ndaj për mua pritja ishte e drejtë. Një situatë e tillë bën edhe mirë, njerëzit duan të festojnë, pasi ne jemi një vend me shumë probleme. Kjo periudhë u bëri mirë edhe njerëzve të sportit. Ka më shumë fëmijë që e duan futbollin, e duan Kombëtaren. Duan të regjistrohen në kurse futbolli dhe kjo nuk është pak. Të gjithë kanë dalë të fituar nga kjo Kombëtare. Shqipëria la një imazh shumë të mirë në Francë, dhe jam i bindur që na shohin me një tjetër sy.

Ndonjëherë Zoti të jep aq sa punon. Unë mendoj se ne na dha mjaft, mund të merrnim edhe më shumë, por duhet të jemi të kënaqur. Nëse punojmë përsëri, me seriozitet duke i bërë hyzmetin çdo ndeshjeje ashtu si edhe vitin e kaluar, mund të shpresojmë përsëri, megjithëse, grupi është shumë i vështirë.

-Alban, në rolin e menaxherit të Kombëtares a keni kontakte me Federatën e Kosovës dhe cila janë raportet mes FSHF-së dhe FFK-së? Çfarë po ndodh tani? Janë disa emra që janë larguar, sa patriotik dhe sa sportiv është ky debat në syrin tuaj?

Derisa Kosova nuk ishte në FIFA shumë lojtarë, shqiptarë të Kosovës, vinin me Shqipërinë. Tani Kosova u bë pjesë e FIFA-s dhe një pjesë prej tyre zgjedhjen e parë kanë Kosovën dhe është më se normale. Dhe unë po të isha si ata ashtu do veproja. Nuk e quaj tradhti. Absolutisht jo. Ne kemi kërkuar nga lojtarët vetëm që të lajmërohemi tre-katër muaj më përpara, për çdo zgjedhje që do të bëjnë, që edhe ne të marrim masa. Janë shumë lojtarë që janë larguar, tre-katër deri më tani. Mund të largohen edhe të tjerë, nuk e dimë, por është kuptueshme dhe nuk ka vend për hatërmbetje. Edhe ne do të gëzohemi për Kosovën, nëse ajo shkon në Europian, pasi jemi një komb. Por nga ana tjetër ne po vazhdojmë seleksionimet, kemi shumë kosovarë në garë. Kemi mjaftueshëm lojtarë, pasi 20 lojtarë do kombëtarja. Do të ketë vend edhe për Kosovën edhe për ne.

-E dëmton Kombëtaren largimi i tyre?

Kombëtarja ka krijuar një grup të madh lojtarësh, nuk është si dikur… Mendoj që nuk e dëmton.

-A kanë ndikuar edhe zgjedhjet e De Biazit për të mos i marrë në Francë, në këto largime?

Unë mendoj se De Biazi bëri zgjedhjet e duhura për Evropianin. Lojtarët që ikën tani te Kosova, të marrim shembullin e Milot Rashicës, nuk është se kishte luajtur për ekipin kombëtar në eliminatore. Nuk kishte bërë asnjë ndeshje. Kishte luajtur vetëm në një miqësore. Trajneri bëri zgjedhjen më të mirë. Mori në Francë ata lojtarë që punuan për ta çuar ekipin atje.

-Çfarë ndodh me ju kur merrni informacionin dhe ju thonë se filan lojtar, po ikën?

Keq të vjen sepse ne kemi bërë një organizim dhe pritshmëri.

Kombetarja shqiptare e futbollit
Kombetarja shqiptare e futbollit

-Si e pritet largimin e Lorikut?

Kam luajtur 6 vjet me Lorikun. Ka dhënë shumë për ekipin Kombëtar. E realizoi edhe ëndrrën për të çuar Shqipërinë në Europian. Patjetër që do t’i mungojë ekipit. Ka qenë lojtari më i vjetër, me eksperiencë dhe me një pjekuri të rrallë. Nuk ka qenë konfliktual. Një lojtar dhe djalë për t’u marrë shembull.

-Alban, ti je brenda ekipit dhe i kupton situatat, a ka xhelozi mes lojtarëve?

Patjetër që duhet të kesh ego, pasi po nuk pati xhelozi nuk ka as arritje, por këto nuk duhet të ndikojnë në fushë. Në fushë futemi dhe jemi të gjithë vëllezër. Nëse futemi në fushë me idenë: Shiko unë nuk të jap golin ty, pse ta bësh ti golin, po ta bëj unë, atëherë prishet ekipi. Nëse kemi arritur këtu ku jemi, e kemi bërë këtë edhe falë grupit që kemi patur. Grupi sundon mbi individin. Ego ka, por jo deri aty sa të cenojë grupin.

-Një pjesë e mirë e lojtarëve janë rritur dhe stërvitur jashtë. Sa shqiptare është kjo Kombëtare?

Kjo është Kombëtare Shqiptare pasi ata janë shqiptarë. Mbas viteve ‘90 këtu u shkatërrua gjithçka, fushat e futbollit u zhdukën dhe fëmijët nuk kanë patur ku të luajnë, ku të stërviten dhe kjo nuk është për fajin tonë, por për fajin e sistemit. Kështu që nuk kanë dalë shumë talente nga Shqipëria, ka qenë e vështirë, ndaj kemi shkuar dhe i kemi parë jashtë. Nëse Shqipëria do të ishte si dikur, ku në çdo pallat kishte fusha, atëherë do të ishte shumë mirë. Dëshira është. Këto kohë ka filluar të lëvizë pak në vendin tonë, kanë filluar të bëhen ambiente sportive, fusha… ka shumë fëmijë që kërkojnë të regjistrohen dhe të marrin pjesë në kurse futbolli dhe ky është një lajm i mirë. Sporti i bën mirë jo vetëm fizikut, por edhe mendjes…

 

Botuar sot në DITA.

Share This Article
2 Comments
  • Kombetarja ka nevoje per drejtues te afte dhe jo mediatik si Gani Abazi me Bushin , Ka lojtor ky brez shum me te talentuar se shum prej lojtareve qe ishin ne miqsoren me Marokun .
    Trajnera per te pase me shum rezultat duhet te kemi Rudi Vaten , Sokol Kushten e Besnik Hasin, edhe ne superligen tone kemi shum lojtare me te forte se ata qe pame ne miqsore .

  • Po , more Alban , po , me ate mendje shkoni ju , se do ju ndihmoje Zoti . Ndeshjen e fiton kush eshte me i forte e luan me mire ; prandaj shtrengoni by..en , ate beni .

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *