Nga Bedri Islami
Nga të gjitha parashikimet për fatin e demarkacionit, miratimit apo jo të Marrëveshjes ndërkufitare mes Kosovës dhe Malit të Zi, ndodhën ato që më së paku priteshin.
Shefi i qeverisë së Kosovës, Mustafa, tërhoqi vendimin e qeverisë, duke e justifikuar atë me kushtet e pafavorshme në të cilat ishte mbledhur Kuvendi dhe me presionin që po bëhej ndaj deputetëve për të mos e miratuar këtë Marrëveshje.
Në fakt, e gjitha ishte mbështjellë në kërkesat e deputetëve të Listës Serbe, të cilët, edhe tani, si më herët, nga çdo ndërlikim brenda faktorit shqiptar në Kuvend, përpiqen të nxjerrin gështenjat e pjekura për vete. Ata kërcënuan se nuk do të merrnin pjesë në Kuvend nëse nuk pranoheshin dy kërkesa tyre dhe, meqenëse nuk u pranuan, ata nuk shkuan.
Kjo ishte edhe përmbysje e “numrave” në Kuvend, për sa kohë që deputetët në atë sallë trajtohen më shumë si numra se sa si forcë mendimi e përgjegjshme.
Nuk pritej që protesta e Opozitës të ishte aq minore. Në fakt është protesta më e pazakontë e opozitës, e cila, zakonisht, ka mbushur të gjitha sheshet e Prishtinës dhe ka qenë njëra ndër forcat determinuese në përcaktimin e vendimeve, brenda e jashtë sallës. Dështimi i tyre i deritashëm është zgjedhja e Hashim Thaçit në postin e Presidentit të Kosovës, i cili, edhe atëherë, ia doli të përmbysë situatat në favorin e tij.
Si ndodh gjithnjë në Kuvendin e Kosovës, kishte edhe të arrestuara, kësaj here dy deputete të Lëvizjes VV, e po ashtu kishte edhe disa të arrestuar jashtë Kuvendit, mes të cilëve edhe një nga mendjet e vyera të mendimit politik në Kosovë, Sadri Ramabaja.
Në fakt, askush nga palët në përballje nuk mund të ndjehet e fituar. Të vetmit që mund të jenë të qetë për disa kohë janë banorët e zonave kufitare, të cilëve mund t’u kishin mbetur jashtë tokat, livadhe dhe burimet ujore të tyre.
Miratimi apo jo i Demarkacionit prej shumë kohësh ishte një çështje e nxehtë mes qeverisë dhe Opozitës. Ndoshta më e nxehta deri tani, pasi pas saj do të vijë një tjetër edhe më e zjarrtë, e njohur si Zajednica.
Demarkacioni ishte bërë guri i provës mes qeverisë nga njëra anë dhe Opozitës nga ana tjetër, rreth së cilës dhe në mbështetje të së cilës u radhitën disa nga figurat intelektuale të njohura të Kosovës, mes tyre edhe mendimtari i shquar, Rexhep Qosja.
Si pak herë më parë, krah tyre ishte edhe Organizata e Veteranëve të ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila, në shumë raste, ka patur një vijë sjellje pro qeveritare, megjithëse është tejet larg mendimit politik të dhe shefit të kësaj qeverie të tashme.
Duke qenë guri i provës, pra kufiri mes së cilës do të mund të vendosej për vazhdimin e një rrugëtimi politik, në dukje po europian, dhe një kundërveprimi politik, në dukje anti-perëndim, tani që ky gur ra, ai sjell edhe pyetjen themelore: çfarë do të ndodhë më tej?
Opozita e sotme, më shumë nga veprimet e dukshme të saj se sa nga mendimet politike të saj, duket e hasmëruar me Perëndimin. Në të vërtetë perëndimi nuk është hasmëruar me të, megjithëse nuk e pranon radikalizimin e Opozitës, kur gjërat mund të zgjidhen edhe sipas botëkuptimit të saj, që në këtë rast nuk është mentalitet ballkanik.
Qeveria, strukturat e shtetit dhe sidomos institucioni i Presidentit duken të përkëdhelurat e perëndimit në kohën e tashme, megjithëse nuk ka asnjë strukturë europiane apo atlantike që mund të jetë dakord me nepotizmin, korrupsionin dhe brutalitetin e herëpashershëm të kësaj qeverie të stërmadhe dhe të panevojshme në madhësinë e saj.
Figura të veçanta të kësaj qeverie, mes tyre ministri i jashtëm, Enver Hoxhaj, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, janë shëmbëlltyrat se përmes cilash cilësi mund e duhet të ndërtohet shteti i së nesërmes.
Pas ditës së djeshme, e gjithë ngrehina e pushtetit dhe e Opozitës ndodhen para një dileme: si do të vazhdohet?
Shtyrja, që deklaroi zoti Mustafa, më shumë se sa shtyrje , ishte një gjetje politike e minutës së fundit, për të rregulluar frymëmarrjen politike dhe, ndoshta, kjo do të ishte një fatkob për parlamentin, për të filluar allishverishet me Listën Serbe në Kuvendin e Kosovës.
Duke qenë një gjetje politike e momentit, ajo lë pas vetes pyetjen: a do të bjerë pas kësaj qeveria e Kosovës?
A është koha e duhur që Kosova të futet në një ciklim të ri zgjedhor, kur njëra ndër marrëveshjet më përcaktuese të qeverisë dhe të politikës së saj, “shtyhet”, ndoshta për të mos ardhur sërish?
Për cilët do të ishte më interesante dhe më e favorshme futja e Kosovës në zgjedhje politike të parakohshme?
A do të kishim koalicione të reja parazgjedhore dhe çfarë përmbysjesh mund të kishte skena politike shqiptare në Kosovë?
Nuk e besoj se qeveria do të tërhiqet, megjithëse është një koalicion i plasaritur. Nuk e besoj këtë, pasi, edhe në këtë kohë të vështirë, ajo që mund të mbajë në pushtetin politik Isa Mustafën, është pikërisht posti i tij qeverisës. LDK-ja është në pikun e rënies së saj të lirë dhe, pa asnjë droje, mund të profetizoj se në një zgjedhje të shpejtë politike, ajo do të mund të ishte partia e tretë në vendin e saj, duke rrëshqitur ngadalë – ngadalë drejt kthimit të saj në shoqatë politike.
PDK-ja , jam i mendjes, se nuk ka asnjë drojë tani për tani nga një fushatë e re politike, megjithëse është dëmtuar thellësisht nga afera e përgjimit të telefonave, nepotizmi i skajshëm që shfaqet aty, nëpërkëmbja e vlerave. Sidoqoftë ajo ende nuk ka probleme në thellësinë e saj dhe si një forcë militante, do mund të ruajë vazhdimësinë e saj.
Më të interesuarit për zgjedhje të reja politike duhet të ishte Opozita, sidomos Lëvizja VV.
Koha është e saj, por sheshi i sotëm, ndershmërisht, duhet të bëjë që mendimi politik i drejtuesit real të saj, Kurtit, të depërtojë jo përmes lëvizjes populiste, por përmes perceptimit të mendimit ndryshe dhe saktësisë. Qëndrimet e skajshme të figurave politike në drejtimin e saj nuk janë ogurmira. A do të provojë Lëvizja VV të krijojë situatën e zgjedhjeve të reja?
Me siguri që, po. Dhe është e drejta e saj të kërkojë një proces sa më të shpejtë, definitiv dhe permanent.
Megjithatë, megjithëse duket se koha është e saj, dita e zgjedhjeve në Kosovë, do të jetë më e largët se fundi i këtij viti dhe pranvera e vitit të ardhshëm.
Është e mundur që Opozita të presë edhe fillimin e punës së Gjykatës Speciale, në fundin e këtij viti apo fillimin e vitit të ardhshëm, gjithnjë me bindjen se forca kryesore qeverisëse, PDK, do të jetë ajo që do të dëmtohet më shumë. Në të vërtetë askush nuk e di se ku mund të jetë “dëmi” i ardhshëm, për më tepër, kur edhe në vetë strukturat e VV ka ish drejtues të strukturave të luftës, për të cilët përflitet se mund të jenë subjekt i Gjykatës Speciale.
AAK dhe Nisma, në strukturat e të cilave ka mjaft njerëz të devotshëm, me mendim të qartë politik, por si ndodh zakonisht, në periferinë e ngjarjeve, pasi, ose nuk janë militantë sa i duhen njerëzve, ose kanë ardhur nga e njëjta strehë ku është edhe korrupsioni, nuk besoj se do të jenë edhe aq të interesuara.
Më parë ata duhet të zgjidhin një problem themelor: do të jenë një subjekt i vetëm apo dy subjekte të shfaqura së bashku.
Kosova , duhet thënë, pas ditës së djeshme, megjithëse u duk një tërheqje normale, nuk është e njëjtë.
Tri gjëra u shfaqën dukshëm:
-Ende vendimi politik në Kosovë varet nga “dashja” ose “mosdashja” e Listës serbe.
-Demarkacioni u shty ose do të tërhiqet krejt, jo edhe aq nga protestat në rrugë apo për hatër të VV, se sa nga mendimi intelektual dhe lëvizja e njerëzve, të cilët, megjithëse kanë toleruar mjaft, tani do të thonin “mjaft”.
-Nëse ky “mjaft” do të rritej, do të ishte edhe fundi i qeverisë.
Së fundi, qeveria dëshmoi se është lehtësisht e lëkundshme dhe se ajo, as njerëzit e saj, nuk mund të mbledhë rreth vetes. Një deputet i PDK-së deklaroi disa ditë më parë se kundërshtarët më të parë ndaj demarkacionit janë brenda Pozitës dhe, sado të paktë në numër, përsëri ishin sinjal për një dobësim të vazhdueshëm të qeverisjes.

kosovareve sot u kekon atdheu i te pareve te mbrojn territoret e tyre le te bashkohen dhe ti tregojn boets qe me token shqiptare sbehen me pazare si 100 vjet me pare
Shqiptaret kudo jane duhetvti tregojne botes se nuk dalim trojet, gjakun, dhe flamurin r Shqipes.
Bota duhetcte mesohet ti zgjodhi konfliktet qe krijon duke vene ne pazar sovranitetin e vet dhe Jo sovranitetin e Kosoves dhe Shqiperise.
Bota duhet te mesoje ti vere fre cizmes se okupimit te teritoreve shqiptare.
Enugh is enough