Kongresmeni amerikan Elito Engel ka zhvilluar një takim me kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta, i shoqëruar nga ambasadori Donald Lu.
Duke i shprehur mirënjohjen për mbështetjen e dhënë ndaj Shqipërisë në vite, Meta vuri në dukje rolin e tij të veçantë në mbështetje të njohjeve ndërkombëtare të shtetit të Kosovës.
Duke biseduar mbi zhvillimet e fundit politike në vend, Kongresmeni Engel vlerësoi progresin e bërë nga Shqipëria dhe në veçanti miratimin e paketës kushtetuese për reformën në drejtësi.
Në këtë kontekst, Kongresmeni Engel vlerësoi rolin e rëndësishëm të Kryetarit të Kuvendit z. Meta për miratimin me konsensus të paketës kushtetuese gjatë muajit korrik.
Meta shprehu mirënjohjen për mbështetjen e fortë të SHBA në forcimin e institucioneve demokratike të Shqipërisë dhe në veçanti për reformën në drejtësi, e cila është kyçe jo vetëm për avancimin e vendit drejt Bashkimit Evropian, por edhe për luftën ndaj korrupsionit, krimit të organizuar, dhe për rritjen e besueshmërisë së investitorëve të huaj si dhe për përmirësimin e klimës së biznesit në Shqipëri.
Kryetari i Kuvendit Meta dhe Kongresmeni Engel biseduan edhe mbi zhvillimet e fundit në rajon duke evidentuar rolin konstruktiv të Shqipërisë, dhe në përfundim të takimit ndanë bindjen e përbashkët se miqësia e fortë dhe e natyrshme shqiptaro-amerikane është një bazë solide për zhvillimin dhe konkretizimin e partneritetit strategjik mes dy vendeve në të ardhmen
