Kurum Internacinal do të paguajë për blerjen e katër HEC-eve. Pas shumë negociatash dhe aludimesh për dështimin e këtyre privatizimeve, si të gjithë privatizimet e tjera të bëra këto vite në vendin tonë, kësti i parë i të ardhurave nga privatizimi e 4 hidrocentraleve të vegjël do të arkëtohet në buxhetin e shtetit brenda dy ditësh. Palët kanë rënë dakort nëpërmjet një marrëveshje se si do të paguhet ky fond, por edhe atij që i takon “Kurumit” për rimbursimin e TVSH-së nga ana e shtetit shqiptar, nëpërmjet Ministrisë së Financave. Gjithashtu, qartësohet se kjo marrëveshje do të bëhet efektive sapo të miratohet nga Këshilli i Ministrave. Sipas marrëveshjes, fondi prej 109.5 milionë euro i përfituar nga privatizimi i 4 HEC-eve, do të derdhet në numrin e llogarisë së qeverisë shqiptare pranë Raiffeisen Bank. Por, edhe në këtë pikë janë përcaktuar dy detaje, ose më saktësisht pagesa në dy këste. Kështu, kësti I parë prej 52 milionë euro do të paguhet brenda datës 10 Maj, ndërsa pjesa tjetër prej 57,5 milionë do të paguhet deri në datën 15 Maj. Në momentin e pagesave, kontrata ka përcaktuar se Ministria e Financave do të ngrijë fondin e përcaktuar për rimbursimin e TVSH-së së kompanisë “Kurum” prej 3 miliardë lekë, në një llogari të posaçme. Po kështu banka e përfshirë në këtë transaksion ka marrë një kopje të kontratës së firmosur midis Ministrisë së Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës dhe “Kurum”, nga ku konfirmohen edhe të gjitha datat e pagesave që do të kryhen. Afro dy muaj më parë Kuvendi miratoi kontratat e shitjes së hidrocentraleve Bistrica 1, Bistrica 2 dhe Ulëz e Shkopet, kompanisë turke “Kurum Internacional” kundrejt vlerës 109,5 milionë euro. Këto katër vepra energjetike prodhojnë në vit rreth 550 mijë Megavat në orë dhe kanë një fuqi të instaluar prej 80 Megavat. Kalimi i tyre në administrim privat erdhi pas një procesi tenderimi ku të paktën 4 raunde rezultuan të dështuara, çka detyroi qeverinë shqiptare që në mes të procesit të ndryshonte kriteret e garës. Megjithatë, nuk duket se janë vetëm këta faktorët që kanë ndikuar në mosrealizimin dhe shtyrjen e mëtejshme të tenderit. Tenderi i parë duhet të zhvillohej gjatë muajit mars, por ai u shty, pasi ministria vlerësoi si tepër të ulëta ofertat që arrinin deri në 80 milionë euro. Ndërsa, në tenderin e dytë të muajit shtator, kompanitë nuk dorëzuan oferta, por kërkuan një përmirësim të kushteve të dhënies me koncesion. Tenderi i trete për dhënien me koncesion te 4 hidrocentraleve Bistrica 1 dhe 2 dhe Shkopet-Ulëz që duhej të zhvillohej më datë 10 dhjetor nuk u zhvillua dhe u shty për në datë 21 dhjetor. Arsyet e dështimit të herepashershëm të këtij tenderi ishin kriteret e forta të vendosura nga qeveria shqiptare për dhënien me koncesion te veprave energjetike, por edhe te mospermbushjes se tyre nga kompanite pjesemarrese. Keshtu kompanitë duhet të linin garanci 10 milionë euro për pjesëmarrje, duhej të kishin një përvojë minimale prej 20 vjetësh në këtë sektor, si dhe të kishin në pronësi një ose më shumë vepra energjetike me një fuqi të lartë prodhimi.
