Të gjithë duan të bëhen ministra, zëvëndësministra, deputetë e shefa doganash, tatimesh dhe shefa të rëndësishëm në sektorët e tjerë të ekzekutivit pavarësisht aftësive. Në fakt, kjo nuk është gjë tjetër përveçse krizë morali e cila buron nga mungesa e kulturës demokratike dhe mentaliteti primitivist shqiptar. Kjo merr theks të veçantë gjatë fushatave zgjedhore. Po pse vallë ndodh kështu? Përgjigja është e thjeshtë. Sepse ato poste prodhojnë para të paligjshme, korrupsion madje dhe vjedhje. Meqenëse askush nga vjedhësit e të korruptuarit nuk ka hyrë në burg dhe s’ka marrë asnjë dënim, oreksi është rritur e dinamizuar, madje disa shpenzojnë shumë për të marrë postin e dëshiruar.
Kur plotësojnë deklaratat e pasurisë e nxjerrin veten pa lagur, fukara dhe pa asnjë pasuri të paluajtshme. Duhet nënvizuar se njerëzit ia dinë të gjithëve pasuritë, ku i kanë vilat, hotelet apo bizneset, por problemi është se populli ende nuk është aq civil, me një drejtësi krejtësisht të korruptuar që shpesh me vendimet e tyre prodhojnë padrejtësi ndaj dhe kanë frikë t’i denoncojnë. Kjo është shkurt panorama e vendit tonë dhe e politikanëve tanë. Ambasada Amerikane inicion projekte që synojnë nxjerrjen e politikanëve të rinj, por viroza dhe veset e këqija përhapen shpejt ndër ne. Detyrat politike janë përgjegjësi të rënda në një vend me kaq shumë probleme. Thua të jenë patriotë e ta duan atdheun më shumë se të tjerët? S’e besoj.
Shqipëria dhe shqiptarët do qetësohen kur të heqin dorë njëherë e mirë e përgjithmonë nga ambiciet që i bëjnë keq Shqipërisë.
Përvoja e deritanishme ka treguar se vendin e kanë drejtuar njerëzit mediokër, joprofesionistë dhe pak politikëbërës. Prurjet në qeveri dhe në administratën civile shpesh kanë qenë produkt hesapesh sesa llogari qeverisjeje. Drejtuesit kanë qenë në përgjithësi fillestar kudo kanë drejtuar dhe pasojat kurdoherë kanë qenë fatale. Sigurisht edhe kryetarët e partive të mëdha gabojnë, por ato gjenden vazhdimisht nën presion dhe shpesh gabimet bëhen ndërgjegjshëm. Qejfprishësit duan përjetësisht deputetë, ministra, doganierë, paçka sesa profesionistë janë. Ky është shpjegimi i lëvizjeve të deputetëve apo i kandidatëve për t’u bërë të tillë, që shkojnë nga partia në parti edhe pse bindjet e tyre janë krejt ndryshe.
Letër e nënshkruar: Sadedin Çeliku
