5 persona kanë rënë në prangat e policisë së Dibrës për trafikim të lëndëve narkotike, ndërsa u kapën me 10.3 kg kanabis.
Kapja e tyre u bë pasditen e së martës në Shupenzë të Bulqizës, gjatë finalizimit të operacionit policor të koduar “Vjeshtë 2016”.
Policia kishte marrë informacione në rrugë operative se disa persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin po transportonin lëndë narkotike.
Si rezultat i këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit:
1-Bledar Gjoka, 43 vjeç, banues në Laç, drejtues i mjetit me targa AA 959 IO, Golf -5, në pronësi të shtetasit Ervis Karaj, i arrestuar gjatë operacionit.
2-Xhevahir Rexhepi, 48 vjeç, lindur dhe banues ne Laç, person i cili udhëtonte me mjetin me targa AA 959 IO.
3-Shefki Totraku, 40 vjeç, lindur në Selishtë, Dibër dhe banues në Tiranë, i cili drejtonte automjetin me targa AA 486 MN, markës Peugot.
4-Ridvan Likaj, 29 vjeç, lindur dhe banues ne Laç, i cili drejtonte automjetin me targa AA 450 EM.
5-Ervis Karaj, 27 vjeç, lindur dhe banues në Krujë, person i cili udhëtonte me automjetin me targa AA 450 EM.
Policia sqaron se “shtetasit Bledar Gjoka e Xhevahir Rexhepi kishin lënë takim me Shefki Totrakun dhe porsa janë takuar në hyrje të Shupenzës, në një lokal janë arrestuar në flagrancë nga Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në DVP Dibër, pasi nga kontrolli i ushtruar në automjetet e tyre rezultoi se në bagazhin e automjetit me targa AA 959 IO, që drejtohej nga Bledar Gjoka u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale dy thasë plasmasi të mbushur me lëndë narkotike në formën e boçes, me peshë 10.3 kilogramë Cannabis Sativa”.
Nga veprimet e shpejta profesionale dhe hetimore të kryera paraprakisht në vendngjarje nga Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, është bërë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë edhe i dy shtetasëve të tjerë, të cilët ishin ulur po në të njëjtin lokal por në tavolinë më vete, ku njëri prej tyre rezultoi pronari i automjetit ku u gjet lënda narkotike.
