Një gol me penallti i Bathës në kohën shtesë i dha fitoren Partizanit në hapjen e sezonit të kampionatit. 3 pikë shumë të vuajtura për të kuqtë pas një ndeshje ku dominoi në qarkullimin e topit por jo shumë në raste përballë një Luftëtari, që i rikthyer në Superiore tregoi se mund të luajë si i barabartë mes të mëdhenjve.
Në “Elbasan Arena”, të kuqtë pas aventurës Europiane kërkonin të tregonin forcën dhe në kampionat përballë një skuadre debutuese si Luftëtari. Mënyra më e mirë për të nisur një ndeshje është duke sulmuar dhe të kuqtë këtë bënë duke rrezikuar që në minutën e pestë më Torasën por goditja e tij fluturimthi nuk e gjeti kuadratin. Në të 11-tën portën e kërkoi dhe Abazaj për Luftëtarin por dhe ai në mënyrë të pasaktë.
As Vila 3 minuta më pas nuk mundi të zhbllokojë ndeshjen ndërsa në të 36-tën, futbollisti i Partizanit pati dhe një mundësi me kokë por goditja e tij u prit nga Miraka. Luftëtari kërkoi dhe zgjidhje teknike si kjo e Zogaj në të 39-tën, por veprimi i bukur ndaj Ibrahimit nuk u konkretizua me një harkim të mirë. Pjesa e parë u mbyll me dy raste për Partizanin, atë të minutës së 41-të, kur Trashi pa goditjen e tij të pritej nga Miraka dhe atë të minutës së 45-të, kur Ekuban harkoi drejt zonës por Beqiri largoi rrezikun.
Pjesa e dytë nisi si fundi i së parës me Parës me Partizanin sërish këmbngulës por Miraka u tregua dhe një herë në gadishmëri. 3 minuta më pas, Partizani pati mundësinë më të mirë me Trashin por topi i goditur prej tij nuk ju drejtua rrjetës. Me zgjidhjet që nuk po vinin brenda në zonë, Batha provoi nga largësia por topi i tij kaloi ngjitur me shtyllën.
Luftëtari kërkonte të tregonte se nuk kishte ardhur rastësisht në Superiore dhe në të 78-tën, Bregu rrezikoi seriozisht portën e Hoxhës. Partizani gjithsesi në krahun tjetër rriti presionin duke kërkuar fitoren e parë të epokës Sormani në një ndeshje zyrtare, por Fejzullahu në të 84-trën nuk mundi dot të shtyjë në rrjetë një pasim të Bardhit.
Ky i fundit që ndryshoi lojën e të kuqve me hyrjen e tij mori përsipër të ndryshonte të fitonte dhe rezultatin duke fituar një 11-metërsh që pritet të krijojë jo pak polemika pas një pengimi të Boyon, që u largua dhe me të kuq nga kryesori Koci. Nga pika e bardhë, Batha nuk gaboi duke i dhënë më në fund fitoren e parë në një ndeshje zyrtare trajnerit Sormani, për një fillim kampionati me 3 pikë pas një ndeshje ku ndoshta Luftëtari meritonte dicka më shumë.
