Do bëhet kështu se kanë thënë Amerika dhe BE (!)

redaktor

 

Nga Nuri Dragoj*

 

A kemi sjellje prej “rajaje”? Çlirimi i politikës shqiptare nga inferioriteti kërkon punë, dinjitet dhe përkushtim ndaj Shqipërisë

Në jetën e përditshme, në biseda me politikanë apo intelektualë dëgjon shpesh shprehjet: “Do të bëhet se ka thënë Amerika”, “e di Amerika”, “po të dojë Amerika”, “nuk të lë Amerika”, “pengojnë kriteret e BE-së”, “s’ka integrim pa plotësuar kushtet” etj.

Është e vërtetë që SHBA kanë dhënë ndihmesë të jashtëzakonshme në shtetformimin shqiptar, për të cilën populli ynë i është mirënjohës. Këtë e dimë të gjithë. Por nuk duhet të mbyllim sytë dhe të presim çfarë do të bëjë Amerika. Pastaj, jo çdo gjë që thotë Amerika është në dobi të kombit shqiptar.

Ne nuk do ta harrojmë kurrë ndihmesën e dhënë nga Wilson, emrin e të cilit e mban një prej shesheve kryesore të Tiranës. Tashmë dihet që në Konferencën e Paqes së Versajës në Paris, pas Luftës së Parë Botërore, kur trojet shqiptare u vunë në tregun e shitjes, ai luajti rol me rëndësi. Fillimisht këshilltarët e bindën presidentin amerikan të firmoste planin anglo-francez për copëtimin e Shqipërisë dhe ai e nënshkroi.

Pra, jo çdo gjë që thotë një amerikan, siç është rasti i këshilltarëve të Presidentit të SHBA-ve, është e drejtë dhe në dobi të Shqipërisë. Përkundrazi, pasi u informua saktë për padrejtësitë që po bëheshin në kurriz të Shqipërisë, kur Kristo Dako, Fan S. Noli e patriotë të tjerë i bënë të ditur presidentit amerikan të vërtetën, kur Mehdi Frashëri kërkonte ndihmën e Tij për të mbrojtur “Shqipërinë e gjorë” nga kasapët e Europës, të cilët ishin bërë gati për ta therur, Wilson mbajti qëndrim burrëror.

Ai e kuptoi që zgjidhja e çështjes shqiptare po përplasej midis të drejtës së vetëvendosjes se popujve, interesave të Fuqive të Mëdha europiane dhe shteteve të vogla të Ballkanit. Prandaj e pengoi zbatimin e Traktatit të Fshehtë të Londrës, të datës 26 prill 1915, në bazë të nenit 7 të të cilit Italia nuk do të kundërshtonte ndarjen e Shqipërisë midis Malit të Zi, Serbisë dhe Greqisë, mjafton që ajo të mbante Vlorën dhe të ushtronte ndikimin e vetë në Shqipërinë e Mesme. Wilson iu kundërvu planit të hartuar nga kryeministri anglez David Lloyd George dhe ai i Francës Georges Clemenceau, të cilët i përmbaheshin paktit të Londrës dhe këmbënguli që Italia dhe Jugosllavia të shihnin interesat e tyre të përbashkëta, por çështja shqiptare të mbetej jashtë fushës së bisedimeve të palëve. Shkëputja e Shqipërisë nga “Çështja e Adriatikut” që kishte lidhje midis Italisë dhe Jugosllavisë, e shmangu përfundimisht mundësinë e ndarjes së territorit shqiptar.

Nuk mund të harrojmë ndihmesën e madhe të SHBA-ve gjatë dhe disa vite pas Luftës së Dytë Botërore, kur Greqia bënte të pamundurën të merrte Jugun e Shqipërisë. Athina kishte bekimin e Anglisë, por nuk mjaftonte vetëm mbështetja e saj, ndaj kërkoi me shkrim lejen gjermane e atë amerikane, por nuk i mori dot. Kjo lojë vazhdoi deri në vitin 1946 në Konferencën e Paqes së Parisit, ku sërish ishte dora amerikane që ndali rrezikun.

Është e padiskutueshme ndihma e Presidentit Klinton për Pavarësinë e Kosovës, i cili e trajtoi çështjen me shumë drejtësi dhe dashuri, si për popullin e vet, emrin e të cilit e mban sot njëri prej shesheve kryesore të Prishtinës. Nuk mund të lihet mënjanë ish-Kryeministri anglez, Toni Bler, i cili gjatë periudhës së luftës në Kosovë, vizitoi Shqipërinë, për të parë nga afër kosovarët e viktimizuar e të dëbuar nga makineria genocidale serbe. Sipas tij, “Kosova nuk përfaqëson një konflikt të ditëve moderne, ajo përfaqëson një kujtesë të ngjarjeve më të hidhura të shekullit XX. Një popull i tërë, i identifikuar tërësisht nëpërmjet etnicitetit të tij, po persekutohet, po dëbohet nga shtëpitë. Gratë janë dhunuar shpesh dhe në mënyrë sistematike, ndërkohë që të afërm të tyre detyroheshin të shikonin skenat rrëqethëse. Fëmijët janë ndarë nga prindërit, burri nga gruaja…”.

Pse reaguan në këtë mënyrë këta njerëz të ndritur, jo vetëm për vendet e tyre, por edhe për popuj të tjerë, për gjithë njerëzimin? Sepse ajo që ka ndodhur me Kosovën dhe shqiptarët në tërësi, është një gjëmë e padëgjuar, një tragjedi e përgjakshme e përsëritur disa herë, terror dhe vrasje mizore, djegie qytetesh dhe fshatrash të panumërt, dëbim biblik, lot dhe gjak. Gjithçka prej ushtrive fqinje kryhej me gjakftohtësi, sadizëm dhe fantazi kriminelësh. Ajo që kanë parë sytë dhe dëgjuar veshët e shqiptarëve por edhe më gjerë, ajo që përjetoi qenia dhe etnia jonë, errëson mendjen dhe shkurton jetën e kujtdo që ka sadopak ndjenja njerëzore. Ishte kohë dëshpërimi, kohë e kujës kombëtare, ndaj Fuqitë e Mëdha u bindën që ato ngjarje e kishin shkakun thellë në histori, e kishin te Traktati i Shën Stefanit, Kongresi i Berlinit e më tej, por edhe më pas, te Konferenca e Ambasadorëve të Londrës së vitit 1913, e hap pas hapi deri në ditët tona.

Ndaj edhe Xhorxh W. Bush bëri të pamundurën për t’i dhënë pavarësinë Kosovës dhe realizuar integrimin e Shqipërisë në NATO. Gjatë vizitës së tij në Tiranë (2007), ai deklaroi prerë se, “pavarësia e Kosovës është në rrugë të pakthyeshme”. Sepse, sipas fjalëve të Toni Blerit, “Shqipëria ka po aq vend në këtë Europë sa dhe Britania e Madhe. Unë do të bëj gjithçka që mundem për ta bërë këtë Europë një realitet”. Dhe Shqipëria u bë anëtare e NATO-s.

Këto janë disa raste pozitive. Por nuk mungojnë dhe momentet kur nga goja e qytetarëve europianë dhe amerikanë dalin dhe gjera të padëshiruara për Shqipërinë. Ishin krerët e Anglisë, Gjermanisë dhe Francës, të cilët me bekimin e Rusisë copëtuan trojet shqiptare në Kongresin e Berlinit (qershor 1878). Ishin po këto fuqi, në të njëjtën linjë që e ripërsëritën copëtimin e mëtejshëm të trojeve shqiptare në Londër 1913. Interesat bënë që krerë të Italisë të suleshin drejt trojeve shqiptare në Luftën e Parë dhe të Dytë Botërore. Ish drejtori i CIA, George Tenet, kohë më parë pohoi se ishte me origjinë nga Himara. Dhe kjo është normale, pasi vërtetë andej është. Por thuhet se ai ka thënë njëkohësisht që është “nga një fshat grek Himara”. Pra Tenet jeton me ëndrrën e “Vorio-Epirit”. Nuk dihet nëse është i paguar për të lëshuar një shprehje të tillë, apo i buron nga shpirti kjo ndjenjë progreke. Sidoqë të jetë, ai e dëmton çështjen shqiptare dhe nuk do të thotë se, meqë është amerikan, madje dhe kreu i një institucioni të rëndësishëm, ne duhet t’i bindemi, t’i nënshtrohemi.

Kandidati për President i SHBA-ve në ditët e sotme, Donald J. Trump, gjatë fushatës së vet ka deklaruar se na duhet t’i kërkojmë ndjesë Serbisë, në një kohë që njihen krimet e pashembullta të serbëve ndaj kosovarëve dhe boshnjakëve. Mbase edhe ai ka dëgjuar mendimin e ndonjë këshilltari, i cili nuk e njeh mirë historinë e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Shqipërisë, ose i lexon ato sipas dëshirës së vet, sipas porosive që mund të ketë marrë. Meqë Trump është kandidat për President i Amerikës, nuk do të thotë se deklarata e tij është e drejtë. Ne e dimë që Departamenti i SHBA-ve ka politikë të qëndrueshme dhe presidenti nuk mund të dali nga korniza politike e përcaktuar prej tij, por dimë gjithashtu që individi luan rol me rëndësi në shpejtimin apo ngadalësimin e proceseve politike apo historike.

E njëjta gjë duhet thënë edhe për krerë të BE-së, Komunitetit Europian apo lider të shteteve të ndryshme, që në radhë të parë mbrojnë interesat e tyre kombëtare dhe të grupimeve përkatëse, pasi politika dhe diplomacia janë lojë. Fitorja i përket atij që tregohet më i aftë, më i shkathët e në ndonjë rast më të fortit. Ne duhet t’i dëgjojmë, por jo në çdo rast t’i mbështesim. Kur e do puna duhet të punojmë për t’i bindur që nuk është ajo e vërteta, madje dhe “t’i detyrojmë” të thellohen dhe të bëjnë më të mirën në dobinë tonë. Natyrisht, kur kemi të drejtë. Por më parë duhet të jemi të ndërgjegjshëm për faktin që monopolin e së vërtetës nuk e ka askush. Ajo nuk gjendet në mendjen e njerëzve të fuqishëm në pushtet apo shteteve të mëdha, pasi e vërteta ekziston pavarësisht nga ekzistenca e tyre

Në fundin e shekullit të kaluar dhe në fillimin e qindvjeçarit të ri, vendet e zhvilluara europiane reflektuan ndaj shqiptarëve një qëndrim dashamirës që buroi nga brerja e ndërgjegjes së tyre në lidhje me vuajtjet që i shkaktuan kombit shqiptar, duke i përdorur kufijtë e tij si garniturë, për menytë e diktaturave barbare. Kjo kthesë e qëndrim i tyre, dëshmoi edhe një herë, se kanibalët e sistemeve kriminale janë të përkohshëm, ndërsa popujt, të përjetshëm.

Rivendosja e së drejtës dhe paqes në Europë dhe korrigjimi i padrejtësive ndaj popullit shqiptar, do të ndikojë ndjeshëm në zhvillimin politik, ekonomik e shpirtëror të tij. Deri dje shqiptarin e shihnin si një malësor të ashpër e të pakomunikueshëm, i cili gjithmonë mbante në kokë një qefin të bardhë, që shërbente për të mbështjellë trupin e tij pas vdekjes. Gjithë jetën koka e tij qëndronte mbi një gur; gjithë vdekjen, nën një gur. Midis këtyre dy gurëve, midis jetës dhe vdekjes, ai vuajti gjithmonë, por nuk e humbi identitetin e vet. Dhe midis këtyre dy gurëve, në vigjiljen e vitit 1990-të, brezat e shqiptarëve konstruktuan ëndrrën e madhe, për integrimin në familjen Europiane.

SHBA-të, por edhe Europa e ndihmuan kombin shqiptar për të realizuar e mbrojtur të drejtat e tij. Ky veprim ishte para së gjithash një korrigjim i mangësive të kontinentit tonë dhe një shpresë për të vendosur të drejtën e paqen në rajon. Shqiptarët kanë përjetuar robëri mjaft të egra. Por edhe ne duhet të bindim veten, se mbi të gjitha është koha e bashkimit, koha e qëndresës së fundit për t’u realizuar si komb. Shqiptarët ende s’e kanë thënë fjalën e tyre kulmore në histori. Tashmë ka ardhur momenti ta thonë. Ndonëse është një histori therorësh dhe vetëflijimesh, sikur të kemi ardhur në këtë mjedis të mrekullueshëm të natyrës për të krijuar kontrastin tronditës dhe më dramatik që mund të përfytyrojë mendja njerëzore. Nga faqja e dheut janë zhdukur pa nam e nishan dhjetëra kombe, në një kohë që ne jemi gjallë, mbase që të dëshmojmë për veten dhe për qytetërimet e harruara. Ne mbijetuam që t‘i bëjmë ballë së keqes dhe të shpresojmë se në këtë përleshje të dritës me errësirën, filozofia e jetës do të ngadhënjejë mbi filozofinë e vdekjes.

 

Të shkundemi nga ndjenja e inferioritetit

Një nga problemet e politikës shqiptare, i mbartur nga një qeveri në tjetrën për dekada të tëra, është kompleksi i inferioritetit. Kjo mund të shihet edhe si karakteristikë e popujve të vegjël në tërësi, por te ne duket se është më e theksuar. Në politikën shqiptare mund të ndikojë ndjeshëm edhe një zyrtar i thjeshtë, mjafton që të vijë nga vendet e BE-së. Mund të grinden politikanët tanë një vit me radhë, pa e gjetur gjuhën, por mjafton të vijë një europian apo amerikan dhe t’u thotë se kjo punë do të bëhet kështu e ashtu, që ata heshtin dhe problemi të quhet i zgjidhur. Politikan që qeshin pa vend apo mbështesin thënien e të huajt pa logjikë, zyrtarë të lartë që presin çfarë do të thotë ambasadori amerikan, anglez apo gjermanë, për të thënë nesër se kështu tha x e y ambasador, nuk i duhen Shqipërisë. Urojmë që këta ambasadorë e diplomatë të huajë që mbështesin liderët shqiptarë njëri pas tjetrit, të mos jenë të paguar. Nuk ka çfarë na duhen fjalët e mira, nëse punët shkojnë keq. Nuk i shërben Shqipërisë një artikull i paguar 300 mijë euro në New York Times për “turizmin shembullor”, kur turistët suedezë zbresin në Sarandë, mbledhin dy orë mbeturinat dhe hipin sërish në traget pa parë asgjë, veç plehrave, dhe pa pirë asnjë kafe.

Politika është në atë vend që është, për të mbrojtur në radhë të parë interesat e vendit. Nga momenti që këto interesa shiten për të patur një mik më shumë, apo për të siguruar një mbështetje të jashtme në konfliktin e brendshëm politik, kjo pa dyshim është e neveritshme. Nëse politika shqiptare, do të zbatonte parimin numër një që duhet të udhëheqë aktivitetin e çdo politikani, mbrojtjen e interesave kombëtare, do të ishte më e lehtë arritja e konsensusit, e bashkimit të nevojshëm. Por politika e ka “harruar” misionin e saj primordial dhe parimin kombëtar. Shtrohet pyetja: Kjo “harresë” ndodh në favor të qëllimeve të vogla egoiste për qëllime të pushtetit, apo kemi të bëjmë me probleme të tjera më madhore?

Herë nga padija e herë nga varfëria, herë nga frika dhe herë nga pamundësia për të reaguar, kombi shqiptar e la në heshtje ose e shtyu zgjidhjen përfundimtare të identitetit të vet për brezin tjetër. Dhe çdo brez i lë tjetrit, bashkë me lavdinë e disa luftërave heroike, ndonjëherë edhe një thes me turp, për moszgjidhjen përfundimtare të çështjes së identitetit. Në lidhje me këtë Tolstoi thotë: “Asnjë individ apo grup individësh, nuk është i pafajshëm për fatkeqësitë e veta”.

Politika shqiptare e mbërthyer nga mosmarrëveshjet “nuk po gjen kohë” për t’u marrë me çështjen kombëtare. Për fat të keq, ata që kanë patur në dorë fatet e vendit, nuk kanë guxuar të kërkojnë të drejtat e kombit tonë me të njëjtin ton që kërkojnë të tjerët, siç veprojnë për shembull grekët me të drejtat e minoritetit të tyre në Shqipëri, këmbënguljen e malazezëve për zgjerim të trojeve në dëm të shqiptarëve, presionin e Beogradit për ta bërë Mitrovicën veriore serbe. Ndoshta fqinjët kanë midis nesh intelektualë apo pushtetarë, të cilët i joshin me anë të parasë apo kurtheve të tjera dhe i detyrojnë të hedhin vallen sipas muzikës që dirigjohet prej tyre! Ky grup njerëzish që vihet në shërbim të të huajve, si mercenar, sot me para dhe nesër po qe nevoja edhe me armë, paraqet një rrezik serioz për kombin, në rast se me të vërtetë do të vazhdojë të rritet. Duke folur për këtë kategori njerëzish, që vihen në shërbim të të huajve, Gjergj Fishta thoshte se “… nuk ka vetëm individë, por edhe grupe qytetarësh të këtij lloji, që shtohen anembanë”. A mos edhe sot është e njëjta gjë?

Inferioriteti nuk duket vetëm në raste të tilla. Nuk gjen vend të dytë në botë, kur në takime zyrtare të nivelit të lartë, udhëheqësit të flasin në gjuhë të huaj. Me protokoll ata janë të detyruar të flasin gjuhën e kombit të vet, jo vetëm kur takimet zhvillohen në Shqipëri, por edhe jashtë. Sepse vetëm në atë gjuhë mund të shprehin më qartë mendimin që duan të përcjellin. Asnjë udhëheqës maqedonas apo malazez nuk është parë e dëgjuar të flasë në gjuhë të huaj, kudo që kanë qenë. Për shtete të tjerë më të mëdhenj as që bëhet fjalë. Diku për të treguar se udhëheqësit tanë dinë gjuhë të huaja, gjetkë për shkak të një servilizmi tejet tronditës, krerët e shtetit bëhen urë para të huajve. Kemi dëgjuar kryeministra a ministra të flasin në gjuhë të huajë copa-copa, sa vështirë të merren vesh, duke u kthyer në qesharakë. Shpesh herë shqiptarët janë të detyruar të dëgjojnë nga goja e përkthyesit se çfarë thonë udhëheqësit e tyre. Këtë nuk e bën vetëm një president, apo vetëm një kryeministër, por të gjithë, kush më shumë dhe kush më pak.

Ne heshtëm, apo e thënë më butë nuk bëmë sa duhet kur kosovarët dhe çamët ndiqeshin me dhunë prej trojeve të tyre shekullin e kaluar. U përçamë, kur andartët grekë shkatërruan shumicën e fshatrave të jugut, në vitet 1913-1914; kur mijëra shqiptarë u ndoqën nga trojet e veta në Kosovë e Çamëri, edhe në vitet 1920-1937, e kështu, në mënyrë vijuese gjatë Luftës së Dytë Botërore. Tashmë ka zenë vend teoria e globalizimit, të cilën palët e interesuara e përdorin si opium për të vënë nën narkozën përfundimtare diplomacinë e përgjumur të Shqipërisë, me shpresë se gjatë procesit të stërgjatur të integrimit mund të realizojnë planin shekullor të “Vorio-Epirit”, apo për të ngushtuar maksimalisht territorin e Kosovës që kufizohet me Malin e Zi dhe Serbinë. Sa më tepër civilizohet shoqëria njerëzore, aq më të rafinuara strukturohen taktikat dhe strategjitë e vjetra të gllabërimit. Nëpër trenat modernë, së shpejti mund të shfaqen hapur gjeneralët e vjetër të mesjetës dhe nga avionët e diplomacisë së re, mund të pëlcasin minat me sahat, të cilat janë kalkuluar prej kohësh që të shpërthejnë kur ne të jemi vënë në gjumë, nën ndikimin e opiumit se po shkojmë në BE dhe se “kufijtë do të shuhen”.

 

 

*Autori është Doktor i Shkencave Historike

 

Share This Article
6 Comments
  • Megjithese edhe ju vet keni disa pasaktesi ose me sakt tregoheni pak servil e frikacak, prapseprap duhet te pranojme se idea dhe qellimi i shkrimit tuaj eshte shume i drejte. Nuk mund te kete asnje vend ne bote, qofte edhe me i vogel nga vendi yne, qe te jete kaq inferior para te huajve. Dhe, cudia me e madhe eshte: vete ne shqiptaret jemi ne te vertete shume here me larte nga niveli kulturor, politik, ideologjik, shkencor etc se te gjithe keta mbeturina ambasadoresh qe vijne ne Shqiperi. Edhe qytetari me nivelin mesatar tek ne eshte me i ditur nga keta injorante qe vijne nga jashte. Kjo ndodh mbasi vet niveli i popullit tone eshte shume me i larte nga niveli i popujve qe ata perfaqesojne.Kjo eshte shume e vertete. Une dua tu tregoj nje rast shume kuptimplote dhe qe eshte plotesisht i vertete.Nje shoku im qe ka lindur dhe e rrit ne internim, qe u fut ne ambasada per te lene vendin qysh ne fillimet e demokracise ne fillim fare dhe qe tani jeton jashte, na tha nje dite: kur erdha ne fillim ketu, i lutesha zotit cdo dite te me bente qytetar te ketij vendi per ta harruar te kaluaren time te hidhur. Tani jam qytetar, kam edhe biznese, jetoj shume mire, takohem dhe flas shpesh me vendas dhe, tani qe i njoh shume mire, ulem dhe prap i prehem zotit duke i thene cdo dite “te falem o zot qe me bere shqiptar dhe jo ndonje si keta”. Eshte shume e vertete qe ne ketej jemi shume me superior ne dije e kulture se vendasit qe jane pothuajse analfabet. Edhe po te degjosh bisedat e atyre me te diturve ne televizion, e kupton se sa vlejne ata, sa dine ata : shume here me pak edhe nga politikanet me te rendomte ne Shqiperi.Tani, si ka mundesi qe ky populli yne, i cili eshte nga me te diturit te besoj se ai qe vjen nga jashte eshte perendi dhe ai qe eshte shqiptar dhe qe eshte shume me superior se ai, nuk vlen per asgje?! Te huajte urdherojne dhe ndryshohet kushtetuten e vendit sa here deshirojne ata dhe populli kenaqet duke menduar se din c’bejne keta mendjendriturit e huaj. Pse ndodh kjo? Eshte faji i popullit? Jo, populli s’ka kurre faj. Faji eshte i horrllekut te politikaneve dhe jo i paditurise se tyre. Ata,per interesat e tyre i duan keta foreigner,edhe pse e dine mire se sa vlejne ata. I perdorin ata per te mashtruar popullin se kane frike nga populli. Jane keta vete qe kane krijuar mitin ne popull se te huajte jane me te ditur, jane te drejte dhe e duan demokracine, prandaj gjithmone duhet te bejme sic thone ata. Dhe te huajte, duke pasur edhe vete perfitime, luajne rolin qe tashme dihet: e trajtojne popullin dhe politikanet tane si kalamaj, bertasin dhe ulurijne, kercenojne dhe premtojne se do te behet me mire. Une nuk dua fare te komunikoj me keta politikane servila, por doja t’i thosha qytetareve shqiptare qe mos i hyjnizoni te huajte, mos besoni aspak tek “drejtesia” e tyre dhe i beni me hir ose pahir te zgjedhurit tuaj te jene te denje per vendin, te ruajne autoritetin dhe tu tregojne vendin te huajve kur ata nderhyjne ne punet e brendeshme. Keshtu do te rilindin edhe nje here ndjenja e krenarise kombetare, e qytetare ne vend. Populli yne duhet te zerin vendin qe i takon ne familjen e kombeve si i barabarte.

  • Ka dhe nje cudi tjeter alla shqiptare.
    I njejti popull nen Enver Hoxhen e shpalli Ameriken dhe Perendimin si armikun me te madh dhe u armatos deri ne dhembe per ti luftuar. Po ne, pra i njejti popull, sot jeminshpallur.me pro amerikanet dhe me pro-BE ne planet. Dicka nuk shkon me ne.
    Keto kapercime nuk jane normale

    • Amerika ju imponua popullit shqiptar si armiku me i math nga komunizmi. Sot te Amerika ka shprese te tepruar pikerisht se komunizmi e beri armikun me te math.

  • Artikulli zhvillon disa probleme, por cekici rreh tek ajo qe, shqiptaret vijojne te jene inferiore ndaj te huajve edhe tashti 72 vjet nga perfundimi i L2B dhe “26 vjet tranzicion drejt demokracise”.

    Pervoja e vendeve demokratike te sukseshme tregon pa diskutin se, kyci i ecjes perpara te nje individi, familje, lagje, fshati, qyteti dhe ne fund shtetit eshte:

    Prona Private

    qe do te thote nese, cdo njesi e sipertreguar ka nje prone ai/ajo ka nje motiv per te mbijetuar, ecur perpara dhe te tregoje aftesite e tij dhe me kohe te kerkoje ti zhvilloje ato, si dhe per 4e mbrojtur vendin me arme, pra me jeten e tij.

    Zhvillimi i vendit ne kete menyre eshte shumatore e fuqise mendore dhe fizike te te gjitha njesive nga individi deri tek shteti dhe jo e nje sistemi burokratik apo me keq akoma nje diktature (fashiste, naziste, komuniste…iste). qe do te thote e nje njeriu-Diktatori,Tirani.

    Pra rrekete, perrejte ushqejne lumenjte dhe gjithe energjite derdhen ne det- kupto ne shtet.

    Nje shtet i forte dhe funksional eshte ai qe ndihmon shtetasit e tij me infrastrukture (rruge, ujesjlles, mbledhje prodhimesh…) dhe mbledh taksa per mbojtjen e vendit, shkolla, spitale etj.

    Ne fillim te viteve ’90 kur me ligjin 7501 ju nda toka fshatareve nga udheheqja e kohes thuhej me mburrje: nuk u marrim asnje takse fshatareve?!

    Me cfare do mbahej sheti? Duke zgjatur doren per ndihma nga te huajt, sic ndodhi?! Cfare prstigji kerkon?!

    Pra shoqeri e lire do jete kur cdo familje/njeri do kete nje cope toke te mjaftushme per te jetuar, nje dyqan, nje hotel, nje kioske, secili sipas aftesive.

    Prona eshte shume e rrjedhshme/fleksible.

    Nese dikush e ka ate por loz ne makinen e bingos apo pi raki, e humbet ate menjehere, por buk humbet nderron pronar, ajo kalon tek ai qe eshte me i zoti per vehte dhe per shoqerine.

    Vini e c’po ndodh ne Shqiperi- prej 26 vjetesh njerzit nuk marrin dot pronat e ligjshme dhe i drejtohen Bruselit, qe ndeshkon shtetin, kupto shqiptaret

  • TENET,ISHTE NE KESHILLIN E LARTE TE KISHES ORTODOKSE GREKE,DHE KJO E MBESHTETI TE BEHEJ AI QE U BE…I PABESE SI TE GJITHE ORTODOKSET EKSTREMIS LINDOR,KA THENE BROCKULLA PREJ KALAMAU,,,

  • Hajde more Shpiragu sa i kulturuar qe je ja kalon cdo abasadorve.Or koqe kanari, dinjiteti dhe integriteti njerezor jane personale, ne Shqiperi eshte veshtire te gjesh te tille homo sapiens, pa le po na duket vetja edhe shume te ditur si puna e ketij Shpiragut.hahaha

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *