DITA – Shënim
Në 25 vjet “marrëdhënie të reja” mes trupës pedagogjike dhe studentëve të shkollave tona të larta publike, vjen një moment që je i bindur se i ke dëgjuar të gjitha.
Ke dëgjuar e ke qenë dëshmitar për pedagogë të paaftë që nxjerrin studentë brryla, të cilët më vonë bën vaki dhe janë bërë eprorë të të parëve.
Ke parë e dëgjuar për pedagogë që u jepnin studentëve si detyrë të përkthenin copa librash të autorëve të huaj, copa që mblidheshin dhe botoheshin në shqip si produkt shkencor i vetë pedagogut. I cili pastaj pikërisht këtë libër ua jepte si lëndë ose si provim studentëve të vet, që e kishin përkthyer, e mbase dhe ngelte ndonjërin prej tyre.
Ke dëgjuar për pedagogë që nuk e kanë humbur rastin për t’u kërkuar seks studenteve të hijshme. Diku ja kanë dalë, madje më shpesh se diku; dhe disa shembuj janë bërë proverbialë nëpër Tiranë, pasi sharmi i parezistueshëm u ka ndihur edhe në karrierën politike.
Ke dëgjuar, më shpesh se rastet më sipër, për pedagogë që nuk të kalojnë pa paguar tarifën, pavarësisht sesa ke lexuar e mësuar. Dora-dorës, historia mori erë dhe paratë nuk merreshin në dorë. Në lojë hynë sekserët, pra ndërmjetësit, që bashkë me paratë e “presorit” marrin dhe TVSH-në e tyre.
Por ky enumeracion siç e kuptoni, nuk ndalet këtu. Sepse edhe për “standardet shqiptare”, pakkujt do t’i shkonte mendja se ka edhe më shumë se kaq: Që sekseri, për të kaluar provimin të të marrë jo vetëm paratë, por të kërkojë edhe seks! Pra, paketa e plotë, dy në një. Profesor, mos u lodh të keqen, se i bëj të dyja unë, edhe paratë, edhe atë punë!
Kjo ndodhi në Kamëz, siç ka ekspozuar këto ditë Fiks Fare. Por fakti që një sekser vendosi të “përziejë punën me qejfin” nuk e bën më humoristik e lojcak këtë fenomen. Jo, e bën më të hidhur dhe më të zi.
Sepse tregon që pas çdo denoncimi me zë e figurë në media, pas çdo pezullimi nga puna dhe arrestimi “shembullor”, pazari i shkollës së lartë nuk është ndalur. Përkundrazi.
Dhe reforma në arsim, apo më saktë reforma e radhës, megjithëse ka kryer një të mirë të madhe publike duke spastruar disa universitete zejtari private, nuk e kap dot një student që për 18 vjet rresht është në universitet; as qindra e mijëra studentë që paguajnë sepse kanë shkuar brryla në shkollë të lartë; e as dhjetra pedagogë që marrin para dhe të mësuar me këtë stil, nuk japin notën as për ata që mësojnë. Sepse e keqja vjen nga larg dhe ka hyrë thellë.
Ç’duhet bërë? Ne do ta kishim një propozim modest, por me rrezikun që të marrim mbi vete zemërimin e dikasterit të Financave: T’ua bëjmë rrogën mësuesve, sa gjykatësve dhe prokurorëve të reformës në drejtësi!
Mbase atëherë Universiteti i Kamzës do nxjerrë vetëm doktorantë të shquar, si kryetari i bashkisë Mziu, me diplomë të firmosur “shumë mirë” nga vetë rektori Musabelliu, asokohe dekan. Dhe kryebashkiaku Mziu, që i shpëtoi burgut për çështjen e parë, atë të parave të tenderave, di diçka më tepër për atë favorin e dytë që kërkonte sekseri kamzali.

Ky problem eshte ne cdo universitet publik.Tek juridiku eshte modeli por njelloj jane edhe te tjeret.Pedagoget nuk shkojne per te dhene mesim,duhet tu bleshe librat dhe te paguash ne varesi te notes qe deshiron.Publikun e shkateruan.