Kokëdhima: Deputetët të “emërohen” nga anëtarësia e PS-së

redaktor

Koço Kokëdhima u shpreh përpara socialistëve të Vlorës se reforma në PS duhet thelluar edhe më tej, që vendimmarrja e forumeve drejtuese të partisë të ndahet me anëtarësinë e thjeshtë për të gjitha nismat e rëndësishme të partisë. Gjatë mbledhjes së shtabit drejtues të PS-së Vlorë, pasditen e të martës, Kokëdhima theksoi se edhe përzgjedhja dhe renditja në toplistë e deputetëve duhet të bëhet nga anëtarësia e partisë me “një anëtar, një votë” .

“Unë kam insistuar gjithmonë që kjo reformë të thellohet më tej dhe këtë gjë do ta bëj me këmbëngulje deri në fund. Të thellohet që vendimmarrja e PS-së të ndahet me anëtarësinë e thjeshtë për të gjitha çështjet e rëndësishme. Për aq kohë sa forumet drejtuese të PS-së janë në një gjendje shumë të diskutueshme përsa i përket standardeve politike, kulturore, ideologjike e organizative, nivelit të përgjegjësisë dhe demokracisë së brendëshme, roli i anëtarësisë të partisë duhet të jetë shumë më i lartë në vendimmarrjet politike të PS-së. Sa figura deputetësh janë të papëlqyeshme për njerëzit, sa shumë deputetë nuk gëzojnë asnjë respekt dhe asnjë vlerësim nga zgjedhësit e megjithatë ata ndërrojnë qarqet çdo katër vjet dhe vazhdojnë të rrinë në parlament. Si vijnë këta njerëz, si bëhen deputetë këta njerëz? Secili nga ne ka në imagjinatë shembuj të ndryshëm dhe emra që nuk do mund të përzgjidheshin kurrë në lista nqs do pyeteshin zgjedhësit. Si e bëjnë të mundur këta persona që hop dhe të jenë në krye të nivelit të përfaqësimit të qytetarëve. Arsyeja është shumë e thjeshtë: sepse nuk diskutohet me bazën e partisë dhe me qytetarët. Ja pse insistoj unë në këtë çështje”-u shpreh Kokëdhima gjatë fjalës së tij përpara anëtarëve të PS-së Vlorë.

Ai tha më pas se mënyra e votimit  duhet të jetë me “Një anëtar një votë” që do të rendisë kandidaturat që kanë dalë nga baza e partisë në listën përfundimtare të deputetëve për qarqet.

Kokëdhima sqaroi edhe synimet e procesit reformues që ka nisur prej kohësh në radhët e anëtarësisë së rajonit Vlorë-Gjirokastër dhe që ka për synim pikësëpari fuqizimin e Partisë Socialiste.

“Kokëdhima është më i majtë se të gjithë ata që thonë që do shkojë këtej, do shkojë andej, është më socialist se të gjitha ata që predikojnë se në cilën parti do të vejë Kokëdhima. Unë do të insistoj për ta zhvilluar dhe për ta bashkuar të majtën e Shqipërisë. E majta në Shqipëri i ka të gjitha kushtet dhe të gjithë luksin të planifikojë qeverisje dhe zhvillim afatgjatë të vendit. Nëse ne bashkojmë dhe modernizojmë të majtën mund t’ja dalim të mos i shndërrojmë institucionet e shtetit si tani, në inkubatorë votash përrmes punësimeve partiake e jashtë kërkesave profesionale. PS-ja ka detyrimin që t’u japë mundësi qytetarëve që të luajnë rol për fatin e tyre, t’u japë mundësi qytetarëve dhe anëtarëve të thjeshtë të PS-së që të marrin pjesë në politikëbërje dhe në qeverisje”- u shpreh ai, duke shtuar: “Asnjë punë nuk ndreqim dot në qoftë se do presim nga Zoti, n.q.s. nuk e bëjmë si duhet përfshirjen e qytetarëve dhe të anëtarësisë së gjerë të partisë në vendimmarrjen substanciale politike. Nuk i zhdukim dot varfërinë, krimin dhe korrupsionin, mërzitjen e mungesën e shpresës, pasigurinë dhe prapambetjen e gjithanëshme, padrejtësitë e pabarazinë ekstreme, nuk i zhdukim dot sekserët e emërimeve, koncesioneve, kullotave, hipotekave, sekserët e ALUIZNI-t apo ata të provimeve në shkolla, sekserët e gjykatave, sekserët e ajrit dhe të shpirtit në qoftë se nuk merr pjesë gjerësisht në politikëbërje dhe në qeverisje anëtarësia e thjeshtë e partisë ”-u shpreh Kokëdhima.

“Braktisja” e mbledhjes

Shekulli shkruan sot se disa media të sponsorizuara për të cenuar imazhin e koordinatorit të PS-së, Koço Kokëdhima, inskenuan një të ashtuquajtur “bojkotim” të mbledhjes së PS-së nga ana e anëtarësisë së degës. Në momentin që Kokëdhima ka marrë fjalën, kryetari i FRESSH-it të Vlorës, Klajdi Myzaferaj, njëkohësisht edhe Drejtori i Qendrës së Formimit Profesional në Vlorë, ka përgatitur largimin e tij dhe të tre vartësve nga salla. Myzaferaj është shprehur se nuk dëshiron që të dëgjojë Kokëdhimën dhe ka kërkuar që edhe të pranishmit e tjerë të dalin nga salla. Por përveç tre pasuesve të tij, asnjë person tjetër nuk ka dalë nga salla.

Më pas Asambleja Socialiste e Vlorës ka vijuar punimet e saj normale me fjalën e Kokëdhimës. Ish-deputeti është fokusuar tek reforma në parti dhe tek zgjedhjet e vitit të ardhshëm, duke kërkuar që të jetë vetë baza ajo që do të propozojë kandidatët për deputetë dhe jo të emërohen persona nga Tirana, të cilët nuk kanë lidhje me zonën. Anëtarët e Asamblesë Socialiste të Vlorës kanë deklaruar se duhet që të dëgjohet zëri i tyre sepse vetëm në këtë mënyrë mund të arrihet një përfaqësim sa më i mirë në parlamentin e ardhshëm si dhe garantohet shtimi i votave.

 

 

 

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *