Kur Presidenti i SHBA-ve nderon një shqiptar

Dita
Mideast Iran America's Gulf Allies

Nga Nuri Dragoj

Presidenti i SHBA-ve Barak Obama ka nderuar me çmimin për arritjet gjatë jetës biznesmenin shqiptar Muhamet Malo. Në vlerësim thuhet:

“Të nderuarit Muhamet Malo, me vlerësimin e mirënjohës për Korporatën për Shërbimin Kombëtar dhe Komunitar si dhe nderimin nga zyra e Presidentit të Shteteve të Bashkuara, me Çmimin e Presidentit për Arritjet Gjatë Jetës në angazhimin e tyre gjatë gjithë jetës për të ndërtuar një vend më të fuqishëm me anë të shërbimit komunitar”.

malo
Muhamet Malo

Pasi e uron për çmimin dhe e falenderon që ndihmoi në adresimin e nevojave urgjente “në komunitetin tuaj dhe vendin tonë”, Presidenti Obama ne letrën e tij thekson se në një fjalim përurues ai ka deklaruar që “ne kemi nevojë për një epokë të re të përgjegjësisë, një pranim nga ana e çdo amerikani që ne kemi detyra ndaj vetes, shtetit tonë dhe botës. Këto janë detyra që ne nuk i pranojmë me qejf, por i pranojmë me nder, të vendosur në njohjen se nuk ka asgjë të kënaqshme për shpirtin se të japim çdo gjë tonën në një detyrë të vështirë. Shërbimi yt vullnetar dëshmon llojin e angazhimit për komunitetin tuaj, që e shtyn shtetin amerikan një hap më afër premtimit të madh.  Vendi ynë po përballet me krizën më të vështirë ekonomike të historisë së tij. E vetmja mënyrë që ne mund të ripërtërijmë shtetin amerikan është të punojmë të gjithë së bashku. Individët, sektori privat dhe qeveria duhet të kombinojnë arritjet e tyre për të bërë një ndryshim real dhe të qëndrueshëm, që çdo person të ketë mundësinë për të përmbushur potencialin e tij ose të saj. Ndërkohë qeveria mund të hapë më shumë mundësi për ne, për t’i shërbyer komunitetit tonë dhe është në dorën e çdokujt prej nesh që t’i kapi këto mundësi. Ju falenderoj për përkushtimin tuaj në shërbim, dhe që po bëni çdo gjë që mundeni për të krijuar një të nesërme më të mirë”.

Këto janë pak a shumë rreshtat e firmosura nga presidenti Obama, dërguar z. Muhamet Malo, biznesmenit të sukseshëm shqiptar. Malo është njeri që e njeh mirë historinë e Shqipërisë dhe jetën politike shqiptare, demokrat i lindur, familjar i devotshëm, për të cilin familja përbën thesarin më të shtrenjtë të jetës, kampioni i mundjes që gruan e konsideron shoqe të mirë, fëmijët i edukon me një sjellje princore, të urtë e të ditur, të bindur ndaj ligjit dhe rregullit. Metit i qesh fytyra kur dëgjon për arritje të mira në vendin e vet, kur sheh lëvizje patriotike që i dalin zot fateve të atdheut dhe është ndër ata patriotë që e duan me zemër flamurin kombëtar, që e duan Shqipërinë. Ka lexuar mjaft libra dhe e njeh historinë e vendit të vetë, i dhimbset Çamëria, gëzohet për arritjet në Kosovë dhe mezi pret të realizohet bashkimi i trojeve shqiptare.

Shpresonte që me rastin 100-vjetorit të Konferencës së Ambasadorëve në Londër, e cila copëtoi trojet arbërore, shqiptarët të shpreheshin për bashkimin e trupit të prerë dhe të kërkonin një Londër të dytë. I qesh fytyra dhe zemra kur dëgjon për projekte dhe lëvizje në dobi të Shqipërisë dhe i nxit ato me dëshirën që bota ta kuptojë se ky vend ka zot. Dhe siç thotë Meti, duhet të punojmë ditë e natë, pasi Shqipëria duhet bërë dhe do të bëhet. Ai e sheh Shqipërinë si i vetmi vend ku i pëlqen të jetojë dhe ku ndjehet i qetë. Balta e këtij vendi është më e dashur, sepse aty prehen eshtrat e të parëve, se nuk ka thënë kot Çajupi “Ku është balta më e ëmbël se mjafta? Në Shqipëri”.foto-1

Ka kaluar një jetë plot vështirësi. Ndonëse sot nuk i mungon ekonomia, përsëri jetën e bën të thjeshtë. Me bashkëshorten e tij, Mirandën, i gjen kudo në aktivitete humanitare, në ndihmë të jetimëve apo azilit të pleqve. Ndihmat që jep i burojnë nga zemra, dhe zemra e tij rritet e bëhet sa një mal kur sheh në sytë e njerëzve me halle një fije shprese, kur sheh buzëqeshjen e tyre, në këmbim të ndihmës që u afrohet. Kontributi i Muhamet Malos ka vazhduar me donacione për sportin në përgjithësi e në veçanti për dashurinë e tij të parë, sportin e mundjes. Në vitin 1996 u fut në tregun e lirë me kompaninë “Lloto Sport” dhe investimi u plotësua me kanalin e vetëm televiziv sportiv “Telesport”, që filloi në vitin 2001, një ndërmarrje që e ka lidhur pazgjidhshmërisht Metin me Sportin. Edhe Kompania “Dajti Expres” bën pjesë në investimet modeste të njeriut të mirë Muhamet Malo. Ndërsa kontributi i tij për Olimpikun Special shqiptarë, është një nga kontributet më humane për njerëzit në nevojë.

Kampion në mundje

Mundësi i famshëm i ekipeve shqiptare, njeriu i mirë Muhamet Malo, të cilit guximin ia fali Kolonja, urtësinë ia mëkuan prindërit, besnikërinë ia fali vendlindja, refleksin ia dhuroi natyra dhe zakonin e bamirësisë ia mësoi vuajtja njerëzore, është nga njerëzit më të përshtatshëm në botë, që vërteton universalizmin e proverbit popullor, “trimëria qëndron në urtësinë, ashtu si mençuria në thjeshtësinë”. Te ai u shpalosën reflekset e dukshme të njeriut që, më vonë do të ngjitej në podiumin e kampionit të mundjes.

I ka qëndruar dhe i qëndron besnik idealizmit ndaj pasionit të tij djaloshar, që jo vetëm nuk përfiton asgjë nga sporti i mundjes, por investon vazhdimisht për rritjen graduale të sportistëve të rinj. Për të hyrë zyrtarisht në botën e sportit burrëror, duhet patjetër një ngacmim spontan, një ngjarje e rastësishme ose një njohje me profesionistët që kanë bërë karrierë në atë fushë. Kështu ndodhi edhe me Muhamet Malon. Ai ishte akoma pionier, kur u takua me profesionistin e talentuar të asaj kohe, mundësin e ekipit të Studentit, Pirro Shalari. Ishte një takim nga ato që mbeten përgjithmonë në mbresat e jetës njerëzore. Sepse takime të tilla quhen përcaktuese për të ardhmen.

Muhameti e kishte shtëpinë pranë kompleksit stërvitor të ekipit “Studenti”. Në moshën 13-vjeçare, ajo palestër e vjetër i dukej si parajsa e botës. Në atë kohë te Meti filloi të ndërtohej ideja se pallatet madhështore të mbretërve, vilat luksoze dhe piramidat presidenciale nuk ishin asgjë përpara madhështisë së kësaj palestre. Kështu që ëndrra e tij filloi të përqendrohej në një pikëzim të vetëm: të bëhej një sportist i talentuar në sportin e mundjes. Deri atëherë, ëndrra për t’u bërë mundës kishte trokitur te një pjesë e madhe e brezit të tij, por te shumë prej tyre ajo ëndërr shkriu menjëherë, ndërsa te Muhameti, dëbora e bardhë e ëndrrave gjeti mjedisin e duhur për të mos shkrirë kurrë.

Në vitin 1971, kur ishte vetëm 14 vjeç, ai nisi një stërvitje të disiplinuar, duke u renditur zyrtarisht në armatën e sportistëve që do të mbanin më vonë peshën kryesore të këtij sporti tërheqës. Natyrisht, atëherë ishte një kohë e vështirë për kushtet teknike, si dhe për furnizimin me veshmbathje sportive apo uniforma klasike. Gjithçka nisi me një uniformë të përdorur nga paraardhësit e tij dhe me një palë tuta të vjetra. Por në atë bluzë, disi të përdorur e me vrima, do të viheshin njëra pas tjetrës medaljonet e fitoreve të njëpasnjëshme, ku tapeti i mundjes u kthye në një det ku ai “lundronte” midis kundërshtarëve, shumicën e të cilëve i rrëzonte me tuç që në sekuencat e para. Rol vendimtar kishte mjeshtëria e trajnerit Ridvan Agushi, që punoi pa rezerva për Muhametin, ndërkohë që ishte vetë Muhameti, i cili i konvertoi këto sakrifica, në trofe fitoresh, duke e shpërblyer kësisoj lodhjen e trajnerit të tij. Ai u përgatit 2 vjet rresht, për të dalë në ring, por pas daljeve të para, nuk u përmbajt më.

Një vit më pas dhe pikërisht në vitin 1974 shënohet fillimi i sukseseve për të përfunduar në vitin 1985. Përveçse e ngjiti ekipin “Studenti” për të rinj në kategorinë e parë, shënoi dhe emrin e Muhamet Malos në listën e kampionëve të kategorisë së dytë. Në vitin 1975 u rendit i dyti në radhët e mjeshtërve të kategorisë së parë. Në vitin 1976 Meti ishte kampionë i peshës së tij, por më shumë se titulli, vlera e tij qëndron në thyerjen e mitit për të pathyeshmin e asaj kohe, kampionit absolut Migjen Ramës. Meti do të kryente ushtrinë më 1979, për t’u kthyer më pas përsëri te “Studenti”. Midis mbijetesës dhe “parajsës” i është dashur të thyente edhe një mit tjetër, sikur ishte nxjerrja nga tapeti e kampionit të padiskutueshëm të peshës nën 74 kg, rivalin e ekipit të tij, Suvorov Nikollin, një mundës “i pamëshirshëm”.

“Gara ka qenë më e ashpër brenda ekipit se sa në kampionat”, – tregom Meti. Më është dashur të përballojë një mundës-kampion që e mbante atë vend prej shumë vitesh. Padyshim fitorja qe siguri për të besuar për më tej dhe ajo që ka më shumë rëndësi ishte se “mora vlerësime pozitive dhe jo përbuzjen e shokëve, në një kohë që isha i ri në atë ekip”. Partizani ishte kampionë në 8 pesha, nga 10 që kishte gara dhe lufta brenda ekipit qe shumë e madhe. ” Ai u rikthye sërish te “Studenti” dhe meritoi vendin e kampionit absolut për peshat 74 – 84 kg, në vitet 1980-1982.

 

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *