Kërcënohet juristi i OSHEE, dëshmitar kundër Ismailajt

Dita

Kërcënohet me telefonatë nga burgu shefi i Zyrës Juridike të OSHEE-së, Romeo Karaj, për të hequr dorë nga çështja që ka dërguar në Arbitrazh dhe dëshmia kundër biznesmenit Kastriot Ismailaj në gjykatë. Policia e Shtetit i ka vendosur të paktën 5 roje sigurie juristit prej disa ditësh, ndërsa burime nga dikasteri blu thanë se shkak është bërë denoncimi i zyrtarit se një person i panjohur, por që vuan dënimin për vrasje në një burg të sigurisë së lartë, e ka telefonuar duke e kërcënuar që të tërhiqet nga dëshmia kundër Ismailajt. Dje ishte seanca e radhës për çështjen DIA-CEZ në Gjykatën e Tiranës, teksa Karaj ishte i shoqëruar nga truprojat. Gjyqi u shty për shkak se biznesmeni Kastriot Ismailaj, pretendoi se audio në sallë kishte probleme. Dje ishte caktuar dhënia e dëshmisë nga juristi Karaj. OSHEE pretendon kthimin e 8 mln eurove nga DIA, që i përfitoi pas kontratës me CEZ-Shpërndarja duke mos kryer asnjë shërbim, por operoi me dokumente fiktive dhe mori 5 mln euro pagesë.

Padia e juristit Karaj

Shtatë muaj më parë, në nisje të procesit CEZ-DIA, juristi Romeo Karaj dorëzoi një padi dhe kërkoi nga Gjykata që të bashkonte dosjen penale me atë civile. Ai kërkonte nga biznesmeni Kastriot Ismailaj dëmshpërblimin e kompanisë OSHEE për 8 mln eurot që i detyrohej. “DIA ka përfituar me pa të drejtë nga CEZ 5 mln euro duke mos kryer shërbimin për të cilin fitoi tenderimin dhe bëri marrëveshjen. Bashkë me detyrimet e interesat shkojnë në 8 mln euro”, pretendoi Karaj. Gjykata vendosi që dosja të mos bashkohej dhe Karaj bëri një padi tjetër të mëvetësishme në Arbitrazh. Ismailaj ndodhet në dy procese gjyqësore për mashtrim dhe pastrim parash. Për të heton Prokuroria e Tiranës dhe ajo e Krimeve të Rënda. Në dosjen e parë për mashtrim, dëshmitar është edhe juristi i OSHEE-së, Romeo Karaj, që dje ishte thirrur për të folur në gjykatë. Karaj u paraqit bashkë me truprojat e Zyrës për Mbrojtjen e Dëshmitarëve dhe shkak ishte kërcënimi që kishte marrë, që të mos e bënte këtë dëshmi kundër biznesmenit.

Ismailaj shtyn seancën
Interesimit të medias juristi iu përgjigj se do të flasë vetëm pasi të japë dëshminë e tij para togave të zeza. Por dje Karaj nuk mundi të dëshmojë, edhe pse ishte i pranishëm në seancë. Shkak u bë shtyrja e gjyqit, pasi i pandehuri Kastriot Ismailaj pretendoi se “në kafazin tashmë me xham të blinduar, s’mundet të dëgjonte asgjë që thuhej në sallë”. Gjyqtarja Vjollca Spahiu pranoi të shtyjë seancën për të sistemuar sistemin audio në sallë, ç’ka në kushtet aktuale ishte e pamundur dëgjimi i palëve. Dëshmia e Karaj do të dëgjohet javën e ardhshme, në seancën e radhës.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *