Pas dy vitesh kërkesa të vazhdueshme nga ndërtuesit dhe agjencitë e tregut imobiliar, qeveria futi në zbatim rivlerësimin e pasurisë. Taksa e rritur prej 15% e tatimit mbi fitimin bllokoi tregun dhe uli fitimet për shitësit.
Më të penalizuarit në këtë proces ishin qytetarët, pasi vlera e tregut të pasurive të patundshme u rrit ndjeshëm e në të njëjtën kohë, edhe taksa.
Në datën 28 gusht, në Fletoren Zyrtare botohet urdhri i dy ministrave, Arben Ahmetaj dhe Ylli Manjani për të futur në fuqi rivlerësimin e pasurive. Qëllimi i kësaj nisme ishte nxitja e shitjeve në tregun imobiliar, i cili që pas viteve të krizës ekonomike, rënies së interesit për të blerë apartamente për shkak të migracionit të brendshëm dhe taksës së rritur të tatimit mbi fitimin po jetonte ditët më të këqija.
Një faktor tjetër që shoqëroi nismën ligjore të ministrit të Financave, ishte edhe rënia e përqindjes që fitojnë konsumatorët që kanë depozita në banka. Në kohën që interesi mesatar i tyre ka shkuar 0.73%, konsumatorët jo vetëm që nuk fitojnë, por edhe nëse marrin disa interesa të vogla në fund të vitit, paguajnë për to një tatim mbi të ardhurat po ashtu prej 15%.
Një alternativë e mirë për shumë prej tyre ishte edhe blerja e pasurive të patundshme. Çmimi i truallit dhe shtëpive në vite është rritur vazhdimisht, duke të siguruar një fitim më të mirë. Po ashtu, agjencitë imobiliare thonë se shumë individë drejtohen në zyrat e tyre në kërkim të një banese të dytë, pasi fitimi nga qiratë është më i mirë se mbyllja e parave në banka.
“Miratimi i këtij projektligji do të ketë efekte të drejtpërdrejta në nxitjen dhe formalizimin me vlerën e tregut të pasurive të paluajtshme. Nisur edhe nga përvoja ndër vite, rivlerësimi i pasurisë së paluajtshme ka përbërë një ndër aktet ligjore më me interes për qytetarët, duke sjellë një rritje të konsiderueshme të këtyre rivlerësimeve, shoqëruar edhe me regjistrime të shumë transaksioneve pranë zyrave të regjistrimit të pasurive të paluajtshme”, – thuhet në relacionin e hartuar nga ministria e Financave.
Interesi për të investuar në ndërtim, ka rënë për të gjitha kategoritë e punimeve, si për biznese, ashtu edhe për shtëpi apo rezidenca banimi ku shkak janë bërë dy faktorë: rënia e blerjeve dhe ulja e lejeve të ndërtimit të miratuara për shkak të bllokimit që bëri Këshilli Kombëtar i territorit. Nëse në vitin 2010, ndërtesat e reja arritën në shifrën 96 857, në vitin 2015, ky numër arriti në minimumin historik me vetëm 10 838 ndërtesa.
Për herë të parë, numri i rezidencave të banimit në 2015-n ishte më i ulëti në vite, duke pasur një peshë prej 10% në ndërtimet private, dhe ky raport është 9 herë më i vogël nëse krahasohet me investimet në infrastrukturë nga institucionet publike.
Të dhënat e Hipotekës tregojnë për një numër të madh të objekteve të parivlerësuara, të cilat afërsisht arrijnë numrin e 4 milionë pronave të regjistruara në hipotekë.
Kryeregjistruesi Ilirjan Muho ka deklaruar se numri i pasurive të cilat presin të përfshihen në këtë proces është i konsiderueshëm, pasi këtu mund të përfitojnë edhe ata të cilët kanë bërë më parë një rivlerësim, por çmimi i zonës ku ata kanë pronën ka ndryshuar.
“Numri i pasurive është i konsiderueshëm, duke qenë se ato janë toka dhe ndërtesa që do të rivlerësohen. Ne llogaritim që numri i pasurive të paluajtshme në vendin tonë mund të variojë afërsisht në 4 milionë pasuri dhe nëse qytetarët do ta gjykojnë të arsyeshme ta rivlerësojnë pasurinë e tyre, procesi ua krijon këtë mundësi.
Zyrat e regjistrimit janë të gatshme të presin të gjitha aplikimet që do të depozitohen nga qytetarët dhe procesi do të jetë i suksesshëm për përfitimin që ata do të kenë. Pasuria do të marrë një vlerë tjetër”, shprehet Muho.
Sa pasuri përfituan nga ky proces në 2011-n…
Pesë vite më parë, në prag të zgjedhjeve vendore, qeveria ‘Berisha’ mori vendim për të bërë një amnisti për qytetarët dhe bizneset. Pjesa e parë e kësaj amnistie do të ishte falja e taksave të pronës nëse paguaje një vlerë të vogël të saj.
Ndryshe nga sot, në 2011-n, ai që barazonte vlerën e pronës me çmimin fiskal të miratuar nga qeveria, ose me atë të tregut do të paguante 1% të diferencës mes çmimit të blerjes me atë që deklaronte. Sot kjo pagesë është 2%. Për bizneset, rivlerësimi u bë me vlerën 2%, ndërsa sot me 3%.
Por edhe pse u ofruan këto lehtësi, vetëm 46 228 prona arritën të rivlerësoheshin. Kabineti i asaj kohe zgjati afatin edhe me 6 muaj në mënyrë që të përfitonin sa më shumë qytetarë. 1.87 miliardë dollarë pasuri përfituan nga rivlerësimi, në një kohë që buxheti i shtetit mblodhi 18 milionë dollarë të ardhura nga ky proces.
Nëse këto pasuri do të shiteshin në të ardhmen pa u rivlerësuar, nga tatimi mbi fitimin e pronës, në atë kohë 10%, buxheti do të vilte 180 milionë dollarë. Qytetet të cilat patën interesin më të madh, ishin Tirana me 13 507 prona, e më pas Durrësi, Fieri, Korça, Shkodra e Vlora.
Si të bësh rivlerësimin
Lefter Sila është një agjent imobiliar, i cili ka mbi 20 vite që punon në këtë treg. Ai e sheh rivlerësimin e pasurive si një shans i dytë, që nuk duhet humbur, si për qytetarët dhe për bizneset. Në vite ai ka pasur gjithmonë ankesa nga shitësit e pasurive, pasi taksa që ata paguanin qe shumë e lartë.
Lefteri thotë se kushdo duhet të shkojë dhe të bëjë rivlerësimin sot, në mënyrë që edhe nëse nuk shet pasurinë e tij, do të përfitojë më shumë nesër. “Si profesionist i tregjeve të pasurive të paluajtshme, mendoj se rivlerësimi është një hap shumë pozitiv për qytetarët. Kjo nxit tregun e pasurive të paluajtshme pasi nëse një qytetar shet një pronë dhe paguan 15% të diferencës mes çmimit të blerjes dhe të shitjes, sot ai bën rivlerësimin dhe paguan vetëm 2%. Fiton 13% që është një vlerë e konsiderueshme”, thotë Sila.
Që nga data 1 shtator, sportelet e hipotekës presin qytetarët dhe bizneset që të plotësojë formularin për të rivlerësuar pronat. Aplikantët duhet të kenë me vete kontratën e shitblerjes dhe një kopje të certifikatës së pronësisë.
Ata që kanë dëshirë ta bëjnë këtë proces përmes punonjësve të zyrave vendore të regjistrimit të pasurisë, duhet të shkojnë dhe të tërheqin formularin, më pas do të plotësojnë pikën 1 dhe 2 të tij, pjesën tjetër e plotëson nëpunësi i administratës. Vlera e pronës që ai do të përfitojë në këtë proces është me çmimet që ka vendosur qeveria në vendimin për hartën e pronës në Republikën e Shqipërisë.
Pasi paguan tarifën 700 lekë për aplikim, dhe derdh në bankë 2% të shumës mes diferencës së çmimit që është në kontratën e blerjes me atë të përcaktuar në hartën zyrtare, brenda 48 orësh merr tapinë e re, me vlerën e njehsuar.
Në të ardhmen nëse janë në fuqi të njëjtat tarifa për vlerën e tokës, ai nuk detyrohet të paguajë tatim mbi fitim, por nëse ato rriten, atëherë do të paguajë vetëm një diferencë të vogël mes çmimit të rivlerësuar dhe atij që vendoset në kontratën e shitjes.
“Duhet të tërhiqen dy formularë në zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme nga qytetarët. Në momentin e paraqitjes, qytetari do të marrë një formular dhe do ta plotësojë sipas të dhënave që kërkohen aty. Më pas e depoziton në zyrën e regjistrimit të pasurisë. Pas aplikimit, fillon procesi i rivlerësimit, i cili në maksimumin e tij zgjat 48 orë”, thotë kreu i Hipotekës, Ilirjan Muho.
Por ka dhe nga ata persona të cilët kanë një vlerë më të lartë të pronës, për shkak të rritjes së kërkesave në zonën që zotërojnë pasurinë, apo për shkak të investimit që kanë bërë. Në mënyrë që të kenë një çmim sa më të mirë të pronës së tyre, të cilën janë të detyruar ta deklarojnë me vlerën reale të shitjes dhe jo me referencën fiskale, ata duhet të marrin një ekspert privat të licencuar.
“Nëse çmimet minimale fiskale ulen edhe nëse ai nuk e shet tani, por në të ardhmen, nuk do të paguajë gjë, nëse rriten atëherë do të paguajë vetëm 15% të diferencës mes çmimit të rivlerësuar dhe asaj me të cilën e shet. Por kjo vlerë është e vogël dhe e papërfillshme në krahasim me atë që ai kursen sot.
Në qoftë se vlera e pronës është afërsisht ajo e çmimit minimal fiskal, patjetër duhet të bëhet në zyrën e regjistrimit të pasurive të patundshme; nëse vlera e pronës është më e madhe se çmimi minimal fiskal, që të përfitohet sa më shumë duhet patjetër të bëhet me vlerësues privat”, thotë Lefter Sila.
“Në rast se rivlerësimi i pasurisë do të bëhet nga një ekspert i licencuar, formularit duhet t’i bashkëlidhet fotokopje e licencës së vlerësuesit të pasurisë, si dhe akti origjinal i vlerësimit të pasurisë, të nënshkruar dhe vulosur nga eksperti vlerësues i pasurisë”, thuhet në udhëzimin e nxjerrë nga ministri i Drejtësisë dhe ai i Financave.
Po ashtu nuk lejohet që pagesa e taksës 2% të jetë më e vogël se çmimi fiskal në hartën e tokës. “Baza e tatueshme, në këtë rast, llogaritet si diferencë ndërmjet vlerës së pasqyruar në aktin e vlerësimit të pasurisë, vlerë e cila nuk mund të jetë më e vogël se çmimi minimal fiskal dhe vlerës së pasurisë sipas aktit të regjistruar ose vlerës së rivlerësuar për të cilën është paguar tatimi”, nënvizon udhëzimi.
Rivlerësimi zgjat vetëm 5 muaj. Ky proces përfundon më 28 shkurt, për këtë arsye institucionet shtetërore bëjnë thirrje që qytetarët të mos humbin kohë. “Afati i rivlerësimit është deri në datën 28 shkurt 2017.
U bëj thirrje të gjithë qytetarëve që t’u drejtohen zyrave të regjistrimit për të përfituar nga kjo e drejtë që u jep ligji. Zyrat e regjistrimit do të jenë të hapura edhe përtej orarit zyrtar, nëse numri i qytetarëve do të jetë i lartë. Duke qenë se afati është vetëm 5 muaj u kërkoj që të gjejnë mundësinë brenda këtij afati dhe të vijnë të bëjnë rivlerësimin. Procesi është shumë i thjeshtë, nuk zgjat shumë dhe përfitimi është i madh”, – thotë Ilirjan Muho.
Përfituesit e rinj
Këtë herë, rivlerësimi vjen me një mundësi edhe për ata të cilët nuk kanë ende në dorë tapinë e shtëpisë. Fjala është për individët që kanë pronën e tyre në proces legalizimi ose kanë një çështje për këtë pronë në gjykatë.
Përjashtim nga procesi bëjnë vetëm pronarët që nuk kanë hipotekë, por vetëm kontratën e shitblerjes. Edhe pse gjatë diskutimit të ligjit në Komisionin parlamentar të Ekonomisë, grupet e interesit kërkuan që të përfshihej edhe kjo kategori, nuk u bë e mundur që të gjendej një formulë për të futur pronat e paregjistruara zyrën e regjistrimit të pasurive.
Udhëzimi i cili futi në fuqi rivlerësimin e pasurive përcakton që edhe ata që kanë një leje legalizimi dhe janë drejtuar në ZRPP-të rajonale për të bërë regjistrimin mund të përfitojnë nga ky proces. “Në rast se rivlerësimi i pasurisë do të bëhet nga një ekspert i licencuar, formularit të aplikimit duhet t’i bashkëlidhet fotokopje e licencës së vlerësuesit të pasurisë, si dhe akti origjinal i vlerësimit të pasurisë së nënshkruar dhe vulosur nga eksperti vlerësues i pasurisë.
Në këtë rast, baza e tatueshme llogaritet si diferencë ndërmjet vlerës së pasqyruar në aktin e vlerësimit nga vlerësuesi (eksperti), vlerë e cila nuk mund të jetë më e vogël se çmimi minimal fiskal dhe vlerës së pasurisë së aktit përkatës që evidenton pasurinë e paluajtshme.” thuhet në udhëzim.
“Në rast se individi zgjedh që rivlerësimin e pasurisë do ta bëjë zyra vendore e regjistrimit të pasurisë, kjo do të bëhet me çmimet minimale fiskale që janë në fuqi në momentin e kryerjes së procesit të rivlerësimit dhe sipas përcaktimeve të udhëzimit nr. 9, datë 26.2.2008, “Për tatimin e kalimit të së drejtës së pasurisë së paluajtshme”, i ndryshuar.
Në këtë rast, baza e tatueshme llogaritet si diferencë ndërmjet vlerës së rivlerësimit me çmimet minimale fiskale në fuqi dhe vlerës së pasurisë së aktit përkatës që evidenton pasurinë e paluajtshme”, është alternativa tjetër.
Kreu i Hipotekës Muho, sqaron se më parë duhet të krijohet një titull i pronësisë, ndryshe rivlerësimi nuk përfitohet.
“Qytetari duhet më parë të marrë lejen e legalizimit, më pas t’i drejtohet zyrës së regjistrimit të pasurisë, sepse ne nuk mund të merremi me një kërkesë që është depozituar pranë zyrave të legalizimit, pasi nuk e dimë çfarë fati do të ketë kërkesa e tyre, sepse dhe mund të mos legalizohet.
Gjithmonë për rivlerësimin duhet të krijohet një titull i pronësisë, duhet të merret leja e legalizimit dhe më pas, qytetari mund t’u drejtohet zyrave tona për të rifilluar procesin e rivlerësimit. Ligji e ka zgjeruar gamën e përfshirjes, nëse më parë kishim vetëm pasuri të regjistruara, tani kemi dhe pasuri në proces regjistrimi”, sqaron Ilirjan Muho.
Si do të llogaritet tatimi 2% për shtëpitë e vjetra
Të gjithëve iu lind pyetja se çfarë do të merret për bazë me shtëpitë të cilat u privatizuan në vitet ‘90. Në atë kohë çmimi i privatizimit ishte simbolik dhe diferenca që del mes vlerës së shitjes sot e të asaj periudhe është shumë e madhe.
Automatikisht dhe taksa që paguhet është e lartë. Është vendosur që si çmim reference të merret vlera fiskale që ka pasur trualli në vitin 1995, sipas hartës së tokës në atë kohë. Të gjitha pallatet e vjetra duhet të dorëzojnë dokumentet e privatizimit dhe hipotekën për të bërë këtë rivlerësim. “Çmimi që do të merret për apartamentet e vjetra është çmimi minimal fiskal në vitin që u bë privatizimi.
Do të përdoret çmimi që ka pasuria në momentin e krijimit të saj. Kur dikush ka përfituar nga procesi i privatizimit të banesave gjatë viteve 1991 apo 1992, kur çmimi ishte simbolik në kushtet e sotme, shtëpi që janë privatizuar me 20 mijë apo 30 mijë lekë.
Procesi i rivlerësimit parashikon që qytetari do të paguajë 2% të diferencës së çmimit real të sotëm dhe çmimeve fiskale referencë të miratuara në atë kohë”, sqaron Ilirjan Muho. Për Tiranën, çmimi fiskal në ato vite është 16.000 lekë.
Rivlerësimi për personat juridikë
Personat juridikë ose bizneset duhet të paguajnë më shumë se qytetarët kur të rivlerësojnë pasuritë e tyre. 3% të diferencës mes çmimit të shitjes me atë të blerjes. Dokumentet që ata duhet të dorëzojnë janë po ashtu të ndryshme.
Fillimisht ata duhet të kenë të regjistruar pasqyrat financiare të vitit 2015, të ndara sipas zërave të aktiveve: afatgjata materiale dhe pasuri të paluajtshme.
“Përfaqësuesi i personit juridik paraqet pranë drejtorisë rajonale tatimore, ku personi juridik është i regjistruar, dokumentet e mëposhtme: a) Deklarimin vullnetar për rivlerësimin e pasurisë, sipas shtojcës nr. 2, bashkëlidhur këtij udhëzimi; b) prokurën për përfaqësuesin ligjor nëse kjo procedurë kryhet nga një përfaqësues ligjor i caktuar prej tij; c) kopje të licencës së ekspertit të pavarur të vlerësimit të pasurisë; d) kopje të faturës së shërbimit të ekspertit të vlerësimit të pasurisë; e) aktin origjinal të vlerësimit të pasurive të paluajtshme, të nënshkruar dhe të vulosur nga vlerësuesi i pasurisë; f) pasqyrën financiare (bilancin kontabël) të vitit 2015, ku rezulton e regjistruar në zërin aktive afatgjata materiale, pasuria e paluajtshme që rivlerësohet, përfshirë anekset shpjeguese për aktivin afatgjatë material që rivlerësohet. g) kopjen e mandatit të pagesës për vlerësimin e pasurisë në masën 3% të diferencës ndërmjet vlerës së rivlerësimit dhe vlerës kontabël për pasuritë e paluajtshme të regjistruara në pasqyrat financiare. Pagesa kryhet në njërën nga bankat e nivelit të dytë për llogari të thesarit të Ministrisë së Financave”, thuhet në urdhrin e ministrit Ahmetaj e Manjani./MONITOR




