Veliaj përuron rikonstruksionin e konviktit

Elton Tafaruci

Konvikti i shkollës profesionale Hoteleri-Turizëm i është kthyer plotësisht nxënësve, jo vetëm me kushte më të mira, por edhe me ambiente të plota.

Pas zhvendosjes së banorëve që e kishin zaptuar një pjesë të konviktit prej gati 20 vitesh, Bashkia e Tiranës përfundoi rikonstruksionin e godinës duke mundësuar kushte më të mira për 180 nxënësit që do të jetojnë aty gjatë vitit shkollor.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe deputeti i PS, Pandeli Majko, vizituan ambientet e rikonstruktuara të konviktit dhe vlerësuan punën e kryer, sidomos në ambientet e zaptuara, të cilat ishin në një gjendje shumë të keqe dhe të rrezikshme për jetën dhe shëndetin e nxënësve që jetonin në dy katet e sipërme të ndërtesës.

“Nuk kemi nevojë vetëm për kantiere infrastrukture, por edhe për kantiere sociale dhe ajo që po hapim sot është një kantier social. Ky është një konvikt i cili strehon 180 nxënës që vijnë nga rrethe të ndryshme të Shqipërisë, që kërkojnë një mundësi suksesi në Tiranë, pranë një shkolle shumë të kërkuar, të cilën ne po e promovojmë edhe me politika qeverisëse, si Hoteleri-Turizmi”, tha kryebashkiaku Veliaj.

Më tej, duke iu referuar ambienteve të reja të përfituara nga lirimi i dhomave të zaptuara, ai theksoi se bashkia ka vendosur t’i zgjidhë të dyja problemet, kthimin e këtij konvikti nxënësve, dhe nga ana tjetër gjetjen e strehimit për banorët e larguar.

“Sindromat e vitit ‘97 nuk mund të vazhdojnë edhe 20 vjet më pas. Kemi ende territore të zaptuara, disa herë nga njerëz që kanë pasur një strehim tjetër që e kanë lëshuar me qira dhe ndërkohë përfitonin qyl nga shteti. Kjo nuk funksionon”, theksoi kryetari i bashkisë.

Ndërkohë, deputeti Pandeli Majko përshëndeti punën e kryer nga bashkia në këtë konvikt.

Konvikti i Hoteleri-Turizmit ka një kapacitet prej rreth 180 nxënësish, të cilët janë përkatësisht të shkollave: Ndërtim, Elektrik dhe Hoteleri-Turizëm. Gjatë periudhës Dhjetor 2015-Gusht 2016 në këtë konvikt janë kryer një sërë punimesh, u bë kolaudimi i bombolave të gazit për të garantuar siguri maksimale për jetesën e nxënësve, si dhe u rregullua sistemi elektrik dhe ai hidraulik, të cilat më parë ishin jo funksionale.

Është krijuar një ambient komod për studim dhe takime me nxënësit.

Gjithashtu, është ndërtuar një ambient i këndshëm sportiv, ku nxënësit mund të ushtrojnë tre disiplina sportive si: futboll, basketboll dhe volejboll, si dhe u realizua vendosja e gjashtëmbëdhjetë kamerave në ambiente të ndryshme të konviktit, për të mbikëqyrur mbarëvajtjen ditore dhe për të krijuar siguri te nxënësit dhe stafi i punonjësve.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *