Ekskluzive / Gjyqi kundër Koçi Xoxes, seanca e 7-të. Dëshmitë e drejtuesve të lartë shtetërorë Lefter Goga dhe Gaqo Nasto lidhur me skenarin e sabotimeve nga specialistët jugosllavë në hekurudhë e sektorin e naftës me dijeninë e Koçi Xoxes e Pandi Kristos
Dëshmitari Gaqo Nasto: Pandi Kristo, njeriu më i besuar i të pandehurit Koçi Xoxe mbronte jugosllavët. Ai na thoshte në Komisionin e Kontrollit se “kush dyshon tek jugosllavët, shpejt do të përfundojë në armik dhe tradhtar”!
(Vijon nga numri i kaluar)
Funksionarët e lartë shtetërorë Gaqo Nasto e Lefter Goga, të thirrur si dëshmitarë në seancën e shtatë të gjyqit kundër Koçi Xoxes e katër bashkëpunëtorëve të tij të akuzuar për veprimtari armiqësore kundër vendit e në interes të jugosllavëve, “fundosin” më tej Xoxen e Kriston, të cilësuar si krerët kryesorë të grupit trockist.“Sabotimet e jugosllavëve në naftës e hekurudhë bëheshin me dijeninë e Koçi Xoxes e Pandi Kristos. Pandi Kristo, njeriu më i besuar i të pandehurit Koçi Xoxe mbronte hapur jugosllavët. Ai na thoshte në Komisionin e Kontrollit se ‘kush dyshon tek jugosllavët, shpejt do të përfundojë në armik dhe tradhtar’”, dëshmuan mes të tjerave Nasto e Goga në këtë seancë!
Prokurori(Bedri Spahiu): -Vazhdojmë seancën me dëshminë e dëshmitarit Lefter Goga për të pandehurin Pandi Kristo e të tjerët…
Lefter Goga: -Një herë tjetër, i kam paraqitur të pandehurit Pandi Kristo një raport mbi realizimin në bazë të Konventës Ekonomike, në të cilin përmendej se deri në datën 21.XI.1947, realizimi ishte vetëm 20%. Kjo gjë ju njoftua të pandehurit Pandi, por ky e hodhi poshtë në mënyrë brutale, duke thënë se kush ju autorizoi të kontrolloni në “Impeks”. Na tha pastaj të merrnim raportin dhe të mos ja dërgonim asnjërit.
Një shembull tjetër është ai në lidhje me një raport të dhënë nga fundi i vitit 1947 që i është bërë shoqërisë shqiptaro-jugosllave të naftës. Për këtë qëllim qe formuar një komision special për të parë për se nuk ishte realizuar plani. Në këtë komision bëja pjesë edhe unë. I pandehuri Pandi Kristo më tha që unë të veproja, të mos bija në pozitat e rinisë dhe të Partisë. Atje pamë se teknikët jugosllavë sabotonin me të dy duart. Këtë raport ja sjellim të pandehurit Pandi Kristo, i cili, i inatosur, na ka thënë se “u bëtë ju të zbuloni sabotimet e jugosllavëve”. Raporti qe argumentuar mirë dhe ne kishim me vete dhe teknikët shqiptarë. I pandehuri Pandi Kristo na porositi ta merrnim edhe një herë këtë raport në shqyrtim duke shtuar se nuk duhet të jetë kështu si e keni shkruar ju… Por ne nuk kishim çfarë të hiqnim nga ky raport se ai qe plotësisht i i dokumentuar. Hoqëm nga ai shprehje të tilla që ishin vënë si ‘drazhist’ dhe ‘i poshtër’… Në fund të raportit ne shtuam dhe këtë ia përsëritëm dhe me gojë, se ndodhemi përpara një sabotimi të hapur dhe kërkuam që të bëheshin hetime nga ana e Prokurorisë Publike për 11-12 jugosllavë. Por asnjë masë nuk u mor.
Në fruer 1948 na thërret i pandehuri Pandi Kristo dhe na thotë se ne kishim gabime të mëdha dhe se plani jonë ishte ireal. Dhe na tha se edhe Kontrolli kishte bërë gabime. Kështu që, edhe unë u detyrova të pranoj se ishte gabim puna jonë. Pas disa ditësh, i pandehuri Pandi Kristo më tha se ju atje keni qenë influencuar nga rinia dhe Komiteti i Partisë dhe se kemi bërë siç na ka thënë Liria.
Të gjitha shoqëritë shqiptaro-jugosllave të tjera po në këtë gjendje paraqiteshin. Në shkurt të vitit 1948 erdhi nga Jugosllavia një Komision për të kontrolluar shoqëritë shqiptaro-jugosllave dhe u krijuan nën komisione mikse prej atyre që kishin ardhur nga Jugosllavia dhe shqiptarë. Pandi na orientoi që Shqipëria duhet të bashkohet me Jugosllavinë dhe procesi për Federatën duhet të vinte jo nga ata, por mbi kërkesën tonë. Ne i thamë se në këto komisione kërkonin të vinin edhe teknikët sovjetikë, por Pandi na tha se nuk ka nevojë, pasi jugosllavët kanë teknikët e tyre. Kurse nga shokët shqiptarë që shkuan me këta nën komisione, asnjëri prej tyre nuk ishte teknik. Dhe u pranuan të gjitha ato që thoshin jugosllavët.
Pandi Kristo, për herë ka pasur pikëpamje kundër sovjetikëve dhe këtë dua ta ilustroj me një shembull. Një herë, tekniku jugosllav i quajtur Katriniç, kishte folur kundër sovjetikëve. Atëherë, shoku shqiptar që ndodhej në këtë nën komision i tha jugosllavit (dhe ky në këtë nën komision) se duhej t’i këshillonte teknikët jugosllavë të mos flisnin në këtë mënyrë. Dhe këtë gjë, kur ja sollëm Pandit në dijeni, ai na tha se “kështu e kanë teknikët ndërmjet tyre, prandaj mos e merrni për të keq”.
Përfundimisht, të gjithë këta nën komisione bënë raportet e tyre dhe objeksionet në dy kopje sepse ne e dinim se njërën kopje do e mbante vetë Pandi dhe se tjetrën do ja dërgonte udhëheqjes. Si përfundim, nga këto raporte dilte se gjithnjë qeveria shqiptare e kishte fajin, faj kanë dikasteret që kanë bërë plane jo të drejta, se kanë faj disa shqiptarë që përhapnin tendenca anti-jugosllave dhe kërkonin në këto shoqëri një administrim miks që të ketë lidhje me Komisionet e Koordinimit. Ne i thamë të pandehurit Pandi Kristo se po të pranohet ky organizim nga ana ekonomike, zëvendësohet qeveria jonë. Por i pandehuri na tha se forca e organizimit gjendet, por ky sistem duhet të ndiqet.
Ne i kishim kërkuar Ministrisë së Industrisë listën e materialit që duhej të vinte nga Jugosllavia dhe i kërkonim të na thoshin se çfarë kishte ardhur. Këtë listë e kam me vete dhe ja paraqis trupit gjykues. Një kopje të kësaj liste ja dhamë të pandehurit Pandi Kristo, por ky e futi në dosje pa asnjë veprim. Kjo ka qenë në kohën kur ishte këtu komisioni i Kontrollit, i cili kishte ardhur nga Jugosllavia. Të gjitha konstatimet tona janë ngritur me raporte të dokumentuara, e këto që thashë, janë gjëra zyrtare, të provuara me dokumente, sepse debate me gojë kemi pasur shpesh herë me të pandehurin Koçi Xoxe.
Prokurori: -A ka qenë Pandi Kristo mbështetës i jugosllavëve e njeri që punonte për ta?
Lefter Goga: -I pandehuri Pandi Kristo ka qenë mbështetje e shëndoshë e trockistëve jugosllavë, sepse ky merrte direktiva nga ata. Dhe ashtu siç i merrte, pa asnjë diskutim, i vinte në jetë. Nga kjo mbështetje që u ka bërë ky jugosllavëve, i janë shkaktuar shumë dëme vendit dhe popullit tonë. Pandi ka pasur vazhdimisht takime me Zllatiçin dhe na thoshte se jugosllavët i shikojnë mirë punët. Në një mbledhje nga fillimi i vitit 1948, i pandehuri Pandi Kristo na ka thënë se pa Jugosllavinë nuk mund të bëjmë dhe ata që mund të dyshojnë për një minutë në sinqeritetin e miqësisë me Jugosllavinë, ata patjetër do të përfundojnë në tradhti”.
Pandi Kristo: -Për sa tha dëshmitari ka shtesa dhe nuk ka qenë kështu. Këto i thonë tani se unë ndodhem para bankës së të akuzuarit. Për raportet që jepeshin, sidomos për atë të hekurudhës, unë kam biseduar shpesh herë me Xhoxhi Blushin.
Prokurori: -Të na dëshmojë tani dëshmitari Gaqo Nasto.
Gaqo Nasto(Dëshmitar. Vjeç 33, nga Korça, banues në Tiranë, nëpunës):- Unë kam dy vjet e ca në Komisionin e Kontrollit. Në lidhje me organizimin e punës në Komisionin e Kontrollit, unë di që i pandehuri Pandi Kristo është përpjekur që të besojnë gjithë organet e kontrollit se Jugosllavia i dha indipendencën Shqipërisë dhe se pa Jugosllavinë, Shqipëria nuk mund të jetë dhe nuk mund të shkojë në socializëm. Ky mburrte vazhdimisht gjoja ndihmën e madhe që vinte nga Jugosllavia, duke na thënë shihni se sa sakrifica të mëdha po bën Jugosllavia për të na ndihmuar ne.
Unë di një rast, aty nga fillimi i vitit 1948 kur bisedohej realizimi i planit tonë 5-vjeçar. Në këtë rast, i pandehuri Pandi Kristo na ka thënë se kushdo që mendon ose dyshon për një minutë në sinqeritetin e Jugosllavisë ndaj vendit tonë, ky do të bëhet patjetër armik e tradhtar. Orientimi i të pandehurit ka qenë vazhdimisht për nga Jugosllavia. Dhe megjithëse nuk e thoshte hapur, për eksperiencën sovjetike, nuk e përfillte fare dhe as është vënë në veprim. Ai thoshte se jugosllavët kanë njerëz të përgatitur dhe eksperienca e tyre i përshtatet kushteve të vendit tonë. Ai thoshte se pa ndihmën e jugosllavëve, vendi jonë nuk mund të ecte përpara.
Prokurori: -Çfarë keni tjetër ju për të dëshmuar?
Gaqo Nasto: -Në rast se i intereson gjyqit, dua të ve në dukje edhe diçka në lidhje me të kaluarën e të pandehurit Pandi Kristo. Veprimtaria trockiste e të pandehurit Pandi Kristo, nuk fillon nga Berati, por shumë kohë më parë. Këtë e kam njohur që nga koha e grupeve, në vitin 1935 ose në vitin 1936. Ky ka qenë në një grup me Niko Xoxen. Kam qenë prezent në një mbledhje kur ky ka sabotuar krijimin e shoqërisë së lidhjes së nëpunësve privatë në Korçë. Dhe në çdo rast ky, përpiqej për të përçarë, për të shkatërruar shoqëritë. Ne të tjerët ky na konsideronte si agjentë zogistë dhe po kështu e konsideronte ky edhe shoqërinë jashtë shkollore që u krijua atëherë. Ky ka pasur një taktikë të tillë që të shkonte pranë atij që ishte më i fortë. Prandaj u hodh ky në grupin e Niko Xoxes, sepse ju duk se ky ishte më i fortë në atë kohë. Kur po likuidohej grupi i fraksionistit Koçi Xoxe, që po demaskohej vazhdimisht nga grupi i shëndoshë, i pandehuri Pandi Kristo, me mënyra servile, kaloi nga grupi jonë, sepse e pa të humbur davanë me trockistin Niko Xoxe. Dhe për çudi, e pashë në udhëheqje të grupit. Po ky njeri lidhet më vonë ngushtë me Koçi Xoxen që e konsideronte me mbështetje të fortë për lidhjet e këtij me jugosllavët.
Pandi Kristo: -Nuk është e vërtetë për sa thotë dëshmitari. Këto janë mendime personale të tij.
Prokurori: -Ke thënë ti se propozimi për të shkuar në Federatë duhej të vinte nga vendi jonë, pra kërkesa?
Pandi Kristo: -Nuk e mbaj mend që të kem thënë një gjë të tillë.
Prokurori: -Po në situatën e krijuar me Plenumin e 8-të a nuk kishte mundësi ta thoshe ti këtë?
Pandi Kristo: -Mund ta kem thënë, por nuk e mbaj mend. Po këtyre, dëshmitarëve, nuk ka pasur arsye t’ua thosha, se mos do ta bënin këta Federatën.
Prokurori: -Çfarë di ti të ketë thënë i pandehuri Koçi Xoxe, kur u kthye nga Moska, në lidhje me biografinë e Komandantit?
Pandi Kristo: -Një ditë e gjeta të pandehurin Koçi Xoxe duke kënduar gazetën, në të cilën ishte botuar biografia e Komandantit(Enver Hoxhës) dhe më tha nëse e ka parë Byroja këtë gjë, se ky është një akt me rëndësi të madhe se është dokument dhe se kishte gjëra që i përkisnin vetëm një njeriu.
Prokurori: -A ishte kjo një vërejtje që bënte Koçi Xoxe, i cili, siç e ka thënë edhe vetë këtu, popullarizimin e Sekretarit të Përgjithshëm(Enver Hoxhës)?
Pandi Kristo:- Kjo ishte një vërejtje që bënte Koçi Xoxe për popullaritetin e Sekretarit të Përgjithshëm, që siç e ka thënë edhe vetë këtu, nuk e shihte drejt.
Prokurori: -Po ti si e shihje popullarizimin e Sekretarit të Përgjithshëm?
Pandi Kristo: -Unë popullarizimin e Sekretarit të Përgjithshëm (Enver Hoxhës), të drejtë e shihja.
Prokurori: -Çfarë të ka thënë Koçi Xoxe me rastin e gradimit si gjeneralë të shokëve Tuk Jakova e Hysni Kapo?
Pandi Kristo: -Gjatë analizës që bëhej në frymën e letrave të V.K.P(b), Koçi më tha se ku u gjet momenti që Tuku dhe Hysniu të gradohen gjeneralë. Dhe me këtë donte të thoshte se shihte një afrim të këtyre shokëve me Komandantin(Enver Hoxhën) dhe se Tuku është influencuar nga Enveri dhe prandaj e shtron duke e dënuar me forcë çështjen e fraksionit…
Prokurori: -Këto, a ja ke thënë Sekretarit të Përgjithshëm?
Pandi Kristo: -Jo, nuk ja kam thënë.
Prokurori: -Kush ishte në krye të punës në Komisionin e Kontrollit dhe përgjegjës për punën e atjeshme?
Pandi Kristo: -Unë isha në krye të Komisionit të kontrollit dhe për gjërat që kanë ndodhur, gabimi është imi se nuk i kam studiuar mirë raportet dhe kjo është neglizhenca ime.
Prokurori: -Këto janë akte tradhtie, vepra kriminale në dëm të interesave të popullit dhe të Republikës sonë dhe nuk janë gabime e neglizhenca. Pranon që ke tradhtuar?
Pandi Kristo: -Jo, nuk e ndjej veten se kam tradhtuar.
Prokurori: -Po a nuk janë akte tradhtie këto kur ti je në dijeni të të gjithë sabotimeve që bëheshin në vendin tonë dhe sidomos që je anëtari i Byrosë dhe ja fsheh këto udhëheqjes duke heshtur për ato që bëhen? A nuk ke përgjegjësi ti për të gjitha këto që çuan një shok të udhëheqjes në vetëvrasje, duke bashkëpunuar ngushtë me Koçi Xoxen?
Pandi Kristo: -Jo, këto gjëra nuk kanë qenë të mira.
(Vijon nesër)
Përgatiti: Kujtim Boriçi
NESËR DO TË LEXONI
-Dëshminë e të pandehurit Pandi Kristo lidhur me korrespondencën që ai ka pasur me Kardejlin, Zëvendëskryeministër i Jugosllavisë dhe porositë që merrte nga ai.
-Dëshminë e të pandehurit Vaskë Koleci në seancën e VIII-të(Datë 19.V.1949): Si organizoheshin terroret, provokimet, dhunimet dhe dënimet pa gjyq për persona të veçantë me urdhër të Koçi Xoxes.
-Dëshmia e të pandehurit Koleci: Kush ishin të burgosurit e ekzekutuar pa gjyq me urdhër të Xoxes, motivet dhe rrethanat e ekzekutimit.
