Presidenti Bujar Nishani ka uruar besimtarët myslimanë për Festën e Kurban Bajramit. Në mesazhin e urimit të kreut të Shtetit shqiptar theksohet se kjo festë vjen pas ngjarjes historike, për shqiptarët anembanë botës: shenjtërimit të Nënë Terezës. Nishani bën thirrje për bashkëjetesë paqësore mes njerëzve me besime dhe origjinë të ndryshme.
Mesazhi i plotë:
“Të dashur e të nderuar besimtarë myslimanë shqiptarë kudo ku ndodheni! Me rastin e kësaj Feste të madhërishme të Sakrificës dhe Dhurimit, e cila na frymëzon për t’iu gjindur sa më shumë njëri-tjetrit, për të ndihmuar dhe ndarë pasurinë e mirësinë me më të pafatët, për t’i lumturuar fëmijët me dhurata e për t’u përkujdesur për më nevojtarët, duke sakrifikuar diçka apo gjithçka në frymën e besimit tek Zoti i Plotfuqishëm, dëshiroj t’ju përcjell urimet e mia më të përzemërta!
Sivjet këtë Kurban Bajram e festojmë menjëherë pas ngjarjes historike për kombin tonë, për shqiptarët anembanë botës: shenjtërimit të Nënë Terezës, shembulli i së cilës mishëron dhe frymëzon bamirësinë, kujdesin dhe respektin për më të vuajtuarit, më të pafatët, për të sëmurët e të pamundurit, në kuadër të harmonisë dhe bashkëjetesën paqësore mes njerëzve me besime dhe origjinë të ndryshme.
Në cilësinë e Kreut të Shtetit ju uroj nga zemra të gjithëve sa më shumë begati, paqe, mbarësi dhe vëllazëri me njëri-tjetrin!
Gëzuar Festën e shenjtë të Kurban Bajramit! Gëzuar dhe për shumë vjet këtë Festë të mrekullueshme dhe kuptimplotë të sakrificës njerëzore!”

O Bujar Mehmeti, presidenti nuk eshte vetem per te uruar festat fetare, o koqe firmos vetingun ne fillim, pastaj beji fresk saliut.