Që nga janari i këtij viti, Prishtina dhe Beogradi nuk kanë zhvilluar takime në nivelet e larta politike në Bruksel, në kuadër të dialogut që po ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian. Është kjo një nga pauzat më të gjata të dialogut në nivelin e kryeministrave, që sipas qëndrimeve të zyrtarëve në Bruksel, ndërlidhet me procesin e zgjedhjeve e më pas edhe konstituimin e qeverisë së re të Serbisë.
Zyra e kryeministrit në Kosovë nuk ka mundur të konfirmojnë ndonjë afat kohor për vazhdimin e negociatave, ndërkohë që shefi i kabinetit, Sokol Havolli, tha për REL se “deri më tani, këto çështje kanë shkuar në koordinim me Bashkimin Evropian”.
Ai tha se “përderisa nuk kemi ftesë, nuk mund të themi se kur do të ketë vazhdim”.
Deputetja austriake në Parlamentin Evropian dhe njëkohësisht edhe raportuese për Kosovën, Ulrike Lunacek, tha se projekti paqësor evropian nuk do të përfundojë deri sa të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor të mos bëhen anëtare të BE-së.
“Serbia është e vetëdijshme se, pas rastit të Qipros, BE-ja nuk do në anëtarësinë e saj të pranojë asnjë shtet, kufijtë e të cilit nuk janë qartë të përkufizuar, prandaj jam optimiste se procesi i dialogut do të ndihmojë Serbinë të normalizojë marrëdhëniet me Kosovën, dhe kjo do të thotë që ta pranojë”, tha Lunacek.
