Sopranoja shqiptare Ermonela Jaho do të interpretojë përkrah tenorit amerikan Gregory Kunde në Teatrin Royal në Madrid të Spanjës (Teatër Mbretëror). Jaho do të luajë rolin e Desdemonës në dramën lirike “Otello” (1604), bazuar në veprën e Uilliam Shekspirit me libret të Arrigo Boito-s dhe kompozim të Xhuzepe Verdit. Ndërsa, Gregory Kunde interpreton rolin e Otellos. Tragjedia ka në qendër xhelozin, dashurinë dhe hakmarrjen për pushtet mes të zgjedhurve të Republikës së Venedikut. Otello vjen nga një familje mbretërore, në Afrikën e Veriut. Tërë jetën e tij e ka kaluar në luftëra dhe dallon për trimëri, fisnikëri dhe ndershmëri. Ndërsa, Desdemona është muzikante, e cila luan me delikatesë dhe elegancë të lindur aristokrate. Ajo u bie në sy të gjithë trimave të Venedikut, por mes të gjithëve zgjedh Otellon.
Për herë të fundit, “Otello” në Teatrin Mbretëror në Madrid është vendosur para 17 vjetësh. Gjatë përgatitjeve të fundit të veprës që do të transmetohet live më 24 shtator, ora 20.00, sopranoja shqiptare është shprehur për “TCH” se: “Pas vlerësimit me çmimin e publikut ‘Opera Awards 2016’ jam më në qendër të vëmendjes. Propozimet për interpretime të ndryshme artistike janë të shumta. Mediet kanë filluar të interesohen dhe të flasin më shumë për rolet e mia”. Sopranoja provat gjenerale i ka përjetuar me ndjesi të veçanta, që e kanë lënë pa gjumë në sy, derisa interpretimi para publiku të mobilizuar përfundoi me sukses. Interpretimi i saj përkrah artistit 63-vjeçar, Gregory Kunde, dhe shoqërimi nga kori dhe orkestra prezantojnë energji në shpërthim. “Është hera e parë në jetën time që pothuajse nuk mund të rrija në skenë, sepse realizimi dhe muzika e tillë e fuqishme dhe dramatike, të çojnë në një dimension tjetër, në një planet tjetër”, shpjegon Jaho.
Në koncertin operistik do të marrë pjesë e gjithë familja mbretërore, pjesëtarët e së cilës, sipas sopranos, janë njerëz shumë të thjeshtë dhe që ndihen krenarë kur takojnë artistë. Opera “Otello” e Verdit do të hapë sezonin operistik të Teatrit Mbretëror të Madridit. Kjo shfaqje do të transmetohet drejtpërdrejt në internet nga “Opera Platform”. “Kënaqësi e veçantë që të hap sezonin operistik të Teatrit Mbretëror të Madridit me Desdemonën në këtë produksion të mrekullueshëm të ‘Otellos’ së Verdit. Shfaqja e të shtunës së datës 24 shtator do të transmetohet falas nga Opera Platform në ora 20:00”, shkuan artistja në profilin e saj në “Facebook”.
“Otello” vendoset në skenë nën regjin e David Alden. Ermonela Jaho do të zëvendësohet më pas me një artiste tjetër për këtë rol, por përpos natës së parë që e hap sezonin, ajo vjen në këtë rol edhe më datat 18-21-27-27 dhe 30 shtator dhe 3 tetor.
Fituesja e sivjetme e çmimit të publikut të International Opera Awards 2016 në Londër ndjen se nga ai moment është rritur interesimi për të sa i përket interpretimeve në skenat operistike botërore.
Tashmë ajo është një nga sopranot e pakta shqiptare që gjatë këtyre muajve ka qenë e angazhuar në disa teatro operistikë. Një ndër rolet e saj të fundit, Violeta, ishte te “La Traviatta” në skenën “Orange” në Francë përkrah Placido Domingos. Por, kurrsesi ajo nuk mund që të mungonte as në shenjtërimin e Nënë Terezës në koncertin që u mbajt nga artistët e njohur shqiptarë në Romë në 3 shtator.
Vepra
Babai i Desdemonës shpeshherë ftonte në shtëpinë e tij, Otellon. Edhe sa herë ky luftëtar rrëfente për trimëritë e tij, Desdemona e dëgjonte plot dashuri. Fillimisht ndiente keqardhje për të, sepse ai kishte vuajtur dhe vuante kaq shumë. Kështu nisi të mendonte se ky njeri mund të ishte bashkëshorti i saj ideal. Por kjo gjë do të haste pengesa në mosaprovimin e dashurisë së tyre, nga i ati i Desdemonës, i cili nuk do të lejonte asnjëherë, që vajza e tij të martohej me një të arratisur. Për këtë arsye, ky ndalim u kapërcye, duke u arratisur nga shtëpia për në krahët e Otellos. Më pas në lojë hyn Jagoja, i cili mendonte se bashkëshortja e tij, Emilia e kishte tradhtuar me të. Duke qenë xheloz për të, thur gënjeshtra për Desdemonën dhe një nga miqtë e ngushtë të Otellos, Kasin. Duke menduar se bashkëshortja e kishte tradhtuar me mikun e tij të ngushtë, Otellos i erret arsyeja dhe vret Desdemonën.
