Adrian Çollaku
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj në një intervistë ekskluzive të dhënë për Gazetën Blic ka theksuar se ai do të jetë në stadium për ta parë kombëtaren e Kosovës në futboll, për eliminatoret e botërorit “Rusia 2020”.
“Nuk e di saktësisht a do të jem në këtë ndeshje, mirëpo nëse ma lejon agjenda do të jem”, ka thënë ndër të tjera Velijaj.
Velijaj ka theksuar se hapja e debatit për çështjen e kombëtarëve të futbollit, më tepër është ikje nga punët e përditshme, nga dështimi në rritjen e punësimit, të zhvillimit ekonomik, të zhvillimit të vendit, se sa një temë që vlen të merremi me të.
“Besoj se një mënyrë për t’i evituar këto pyetje të sikletshme është duke u marrë me futboll. Më duket pak hipokrizi”, ka theksuar ai.
I pari i Tiranës në këtë intervistë të dhënë për Gazetën Blic ka folur edhe për të ardhmen e tij politike. Ai ka paralajmëruar se do të rikandidoj edhe për një mandat 4 vjeçar për kryebashkiak të Tiranës, derisa nuk e ka përjashtuar mundësinë që në të ardhmen të jetë edhe pasues i Edi Ramës, në krye të Partisë Socialiste.
Velijaj në këtë intervistë flet edhe për reformat në drejtësi, bashkëpunimin me komunat tjera shqiptare, demarkacionin Kosovë – Mali i Zi…, e shumë tema tjera.
Gazeta Blic: Z. Veliaj, në Kosovë tash e sa kohë ka filluar një debat për çështjen e kombëtareve në futboll, duke u përfshirë edhe politikanët. Një pjesë është që ta kemi një kombëtare, pra atë të Shqipërisë dhe një pjesë është për dy kombëtare. Si e komentoni këtë debat?
Erion Veliaj: Besoj që është një mënyrë për ta mbushur një vakum edhe për të evituar çështje më të rëndësishme. Unë mendoj se çështje më e rëndësishme se sa kush po bën golin me çfarë uniforme, është më e rëndësishme se sa punësim ka në Shqipëri e në Kosovë, sa njerëz kanë mundësi që të ofrojnë bukë në familjet e tyre, sa kemi infrastrukturë në vendet tona… Besoj se një mënyrë për t’i evituar këto pyetje të sikletshme është duke u marrë me futboll. Më duket pak hipokrizi. Pak a shumë është e njëjta racë e politikës ose njerëzve që krenohen se e kanë anëtarësuar apo kanë ndihmuar në anëtarësimin e Kosovës në këto institucione, federata, asociacione, unione, komisione… Dhe janë po të njëjtin njerëz që pastaj, pasi i kanë marrë lëvdatat për këtë kontribut, janë gjithashtu të shqetësuam se Kosova tash po merr pjesë aty ku kanë ndihmuar. Kjo në rastin më të mirë është hipokrizi, në rastin më të keq është skizofreni. Duhet të dimë se çfarë beson: ke kontribu që Kosova të jetë, dhe pasi të jetë pranuar, që Kosova të mos shkoj të paraqitet në ato institucione?! Personalisht jam gëzuar shumë kur e kanë bërë golin me Finlandën, jam gëzuar shumë kur Majlinda Kelmendi e ka marrë medaljen dhe jam gëzuar për individë shqiptarë, pa i vërejtur sfondet e uniformës.
Gazeta Blic: A mund t’ju shohim ta shikoni ndonjë ndeshje të Kosovës, sidomos kur kemi parasysh se ndeshjen e ardhshme për kualifikime për në Botëror e luan pikërisht në Shqipëri?
Erion Veliaj: Nuk e di saktësisht a do të jem në këtë ndeshje, mirëpo nëse ma lejon agjenda do të jem. Por nuk e kam aspak problem. Duhet me qenë pak praktik. E kemi zakon që në pamundësi që t’i zgjidhim gjërat e të tashmes, mundohemi me i kthye pas gjërat e të kaluarës. Sfida për dikë që ka marrë përgjegjësi publike, është mos me u bashku në sportin më të lehtë. E sporti më i lehtë nuk është futbolli, por është folklorizmi patriotik. Atë lloj sporti e luajnë të gjithë. Pyetja është sportet e vështira që të sigurohet punësim, infrastrukturë, për të pasur qytetet më të pastërta, të ndërtohen më shumë kopshte, shkolla…, a mund të luhen? Nëse i luajmë këto sporte, të tjerat janë shumë më kollaj.
Kjo është iniciativa ime për komunat shqiptare
Gazeta Blic: Në një deklaratë që e keni dhënë dje sa ishit me kryetarin e Prishtinës, folët për bashkimin kombëtar. Si e keni mendu saktësisht këtë çështjen e bashkimit kombëtar?
Erion Veliaj: Nuk jam një shërbëtor i nivelit kombëtar, por jam një shërbëtor i nivelit lokal. Dhe në këtë sens për mua bashkimi kombëtar do të thotë me bashkua praktika që përmirësojnë jetën e shqiptarëve, kudo ku e kanë GPS e tyre, dhe nëse ky GPS është në Tiranë, Tetovë, Prishtinë, apo në Ulqin dhe të gjitha bashkitë për rreth tyre dhe kombi jeton mirë, dhe kombi që jeton mirë është edhe i madh. Një komb që jeton vetëm të bëhet i madh, por që jeton shumë keq, s’ka ndonjë shpresë. Dhe unë mendoj që është më mirë që ta bëjmë një strategji konkrete se sa të bëjmë slogane politike. Strategji konkrete është që t’i mbledhim në Tiranë kryetarët e bashkive, të tregojmë 3 gjëra, 5 gjëra që funksionojnë në Tiranë, me digju çfarë funksionon mirë në Prishtinë, çfarë po bëjnë ata në Preshevë e Tetovë. Dhe në këto komuna jetojnë 1/3 e shqiptarëve të rajonit dhe pastaj komunat e tjera rreth tyre t’i implementojnë këto politika të mirëqeverisjes vendore. E them se kjo është shumë më praktike, se është një projekt konkret, se sa projekte politike, edhe pse e dimë që nuk do të materializohen në këtë kontekst që është Evropa sot, Bashkimi Evropian, vendimet që i kemi marrë me ndërkombëtarët… Kjo është praktikë e realizueshme, se sa aspirata të parealizueshme, në këtë kontekst ku jemi sot. Ndaj siç jam pragmatist për punët e Tiranës jam edhe këtu. Më mirë është një platformë reale konkrete, se një slogan që nuk ndodh.
Gazeta Blic: Kjo si iniciativë natyrisht që duhet vlerësuar. Në anën tjetër, ne kemi parë disa mbledhje të përbashkëta të dy qeverive, të kësaj në Prishtinë dhe asaj në Tiranë. Mirëpo, nuk shohim realizim në praktikë të atyre marrëveshjeve që janë nënshkruar, madje edhe në çështjen e shkëmbimeve tregtare. A ekziston rreziku që e njëjta të na përsëritet edhe në këtë inciativën tuaj, pra në nivel lokal?
Erion Veliaj: Ke absolutisht të drejtë. Nuk mjafton që vetëm ta konstatojmë problemin, por duhet edhe të hulumtohet se ku ka ngecur puna. Ta jap një rast konkret. Herën e fundit zyrtarisht në Kosovë kam qenë si ministër i Punës. Kam premtuar dhe kam firmosur që të heq lejet e punës për qytetarët e Kosovës dhe kam hequr lejet e punës, mirëpo nuk është realizuar në Kosovë. Nuk po them që ta gjejmë fajtorin, por duhet të hulumtohet pse nuk ka ndjekje të premtimeve dhe të deklaratave. Shumë shpejt më rezulton që Edi Rama, vendimin për hapjen e një terminali në Durrës vetëm për kamionët që kanë destinacion Kosovën dhe për t’i procesu në Durrës, do të bëhet realitet. Është punë ditësh, ose javësh. Pra, për secilin angazhim duhet të merret lista dhe ky ministër me këtë ministër dhe cili e ka bërë angazhimin.
Nën shembullin që të përmenda, si ministër një angazhim kam pasur nga mbledhja e përbashkët e dy qeverive, dhe e kam realizuar, me të njëjtën qëndrim do të futem edhe në këtë iniciativë, apo në këtë marrëdhënie të re, si kryetar bashkie. Çfarë them edhe e bëjë. Çfarë nuk e them nuk e bëjë.
Ja çka synojmë me takimin në Tiranë!
Gazeta Blic: A mund të na zbuloni konkretisht çka planifikoni konkretisht të realizoni nga kjo iniciative, për mbledhje të përbashkët të këtyre komunave?
Erion Veliaj: Janë disa fusha. Së pari, në planifikim urban, në çështje të lejeve zhvillimore, të taksimit në leje zhvillimore, të koeficienteve të hapësirave publike… Secili prej nesh ka pasur disa përvoja dhe është mirë që të arrijmë një konsensus që funksionon në ruajtjen e qyteteve tona nga shkatërrimi i mëtejshëm, në çështje të inovacionit, ne kemi bërë disa gjetje në Tiranë si me raportu problemet, si me i rregullu, si me themelu kompani publike për parking…, të cilat mund të vlejnë për qytetet tjera. Pastaj në çështjet e ambientit, mjedisit. Çka po na duhet nacionalizimi në qoftë se 500 veta në Tiranë vdesin nga çështja e ajrit. Shumica e fëmijëve tanë po vuajnë nga obesiteti (mbipesha), ngase nuk dinë ta ngasin biçikletën, nuk vrapojnë, nuk merren me sport…
Këto tematika në inovacion, financa publike, urbanizëm, në mjedis janë çështjet ku do ta kemi një platformë të përbashkët. Unë i kam mësuar disa gjëra për këto dy- tri ditë në Prishtinë.
Gazeta Blic: Cilat ishin ato gjëra që mësuar në Prishtinë dhe çka konkretisht mund të merrni si praktika të mira, që mund t’i adaptoni edhe në Tiranë?
Erion Veliaj: Nuk kemi bërë shumë investime bë kopshte, mirëpo këtu pashë një inovacion, një menaxhim i kopshtit “Shkronja”, ku Bordi i prindërve e menaxhon atë kopsht dhe bashkia ka përgjegjësi vetëm të infrastrukturës dhe të godinës, dhe menaxhimin, financat e bëjnë bordi i prindërve. Kjo është një ide që më pëlqeu shumë dhe do ta pilotojmë në Tiranë.
Kosova dhe Shqipëria, kanë shtete të paorganizuara!
Gazeta Blic: Z. Veliaj po ndërlidhem edhe njëherë tek koncepti i bashkimit kombëtar. Edhe andej kufirit, por edhe këndej kufirit, shohim se udhëheqësit e vendit, e sidomos deputetët, ose një pjesë e madhe e tyre janë të përfshirë në vepra të paligjshme, në krim të organizuar, në afera korruptive. Pra, thjesht po na bashkojnë vetëm këto fenomenet negative. Si do të arrijmë që ta pastrojmë politikën në dy anët e kufirit?
Erion Veliaj: Besoj se problemi si në Kosovë dhe në Shqipëri, nuk është krimi i organizuar, por shteti i paorganizuar. Kur shteti është i paorganizuar, të gjithë të tjerët duken më të organizuar se shteti. Kështu që në këtë sens, nëse e organizojmë shtetin…
Gazeta Blic: Mirëpo, ata janë vendimmarrësit kryesor?
Erion Veliaj: Ekzakt. Mirëpo, nuk është se krimi është shumë i organizuar, por shteti është i paorganizuar, dhe çdo asociacion tjetër, duket më i organizuar se shteti. Dhe vendimi i guximshëm i Edi Ramës, për ta bërë një reformë rrënjësore në drejtësi, që kush vret, kush është i korruptuar, kush vjedh, kush merret me prostitucion, kush tregton drogë nuk mund të ketë vend në politikë, dhe nuk mund të rrijë pa u gjykuar. Ishte një vendim shumë i guximshëm dhe shkaktoi shumë debat në Shqipëri, por vendimmarrja u mor. Shqipëria më keq që është në drejtësi nuk do të bëhet. Kaq është e sigurt. Do të bëhet më mirë dhe shumë më mirë, se më keq s’ka se ku të shkoj. Unë them që vendimet e tilla të guximshme, janë historike. Edi Rama do të hyj në histori se ka ndërmarrë një reformë që të gjithë kanë dashur që ta evitojnë. Çdo reformë, patjetër se ka rezistencë. Nëse njerëzit e kanë në dorë, askush nuk do që të paguajë as energjinë, as ujin, as të respektoj vijat e bardha, as pronën publike… Poashtu ajo që na dallon nga bota e kafshëve, është se ne kemi vendosur disa rregulla, ku liria jote mbaron, aty ku fillon liria e dikujt tjetër dhe ku pavarësisht nëse je president i Republikës, apo pastrues i rrugëve të Tiranës, para ligjit duhesh të jesh njësoj. Sot, s’ka qenë kështu. Dhe ky sistem i reformës në drejtësi është një nga reformat historike, që do ta sjellë shtetin në binar dhe për ta bërë shtetin më të organizuar si kurrë më parë.
Edi Rama, ndërmori reforma që e forcojnë shtetin
Gazeta Blic: Mendoni se ka vullnet politik për ta mbështetur këtë reformë dhe kësisoj të arrihet objektivi i kësaj reforme, sidomos kur kemi parasysh faktin se nevojitej edhe kërcënimi i ambasadorit amerikan që të votohej kjo reformë në Kuvend?
Erion Veliaj: Besoj që tani është miratuar kjo reformë, dhe çdo javë po kalojnë ligje të reja plotësuese, nuk besoj që do të ketë kthim prapa. Dhe Edi Rama si kryeministër ka treguar se në reforma të drejta nuk bën kthim prapa. Kemi pasur reformë të energjisë, të ujit, reformë fiskale, një reformë të ndërtimeve pa leje, të legalizimit, dhe sa kohë që dikush e ka provuar se në shtet të gjitha reformat i ka çuar deri në fund, kam të gjitha arsyet të besoj se edhe kjo reformë do të shkoj deri në fund. Dhe sot Shqipëria, është një shtet më modern, më i organizuar, dhe i vjen era shtet, se tre vjet më përpara, ku nga dëshira për të pasur më shumë vota, dhe për të mos ia prishur qejfin askujt, shkatërruam shtetin tonë.
Gazeta Blic: Më intereson t’ju pyes për një çështje krejt tjetër, që ka të bëjë me zhvillimet politike në Kosovë. Demarkacioni me Malin e Zi është një nga çështjet që ka krijuar një hendek të madh ndërmjet pozitës dhe opozitës dhe ka tensionuar situatën në vend. Si e komentoni ju çështjen e demarkacionit?
Erion Veliaj: Nuk e njoh çështjen në detaje dhe nuk dua të jem një gjitholog që flet për çdo lloj teme. Ajo që kuptova edhe nga takimet edhe me krerët e politikës, është që ka një vullnet për ta zgjidhur, në mos në propozimin fillestar, në një propozim më të moderuar, sepse as nuk duhet me leshu territor në mënyrë të paarsyeshme, e as për bërë pengesa në mënyrë të paarsyeshme, që qytetarët të marrin vizat, dhe të kenë një territor më të madh të lëvizjes, se sa në këtë territor. Dhe në këtë sens e pashë që kishte një vullnet për ta zgjidhur këtë ngërç, ndoshta në të kaluarën ka pasur tensione, mirëpo pashë që ka vullnet për ta tejkaluar këtë situatë.
Nuk do të ndërmjetësoja për Demarkacionin!
Gazeta Blic: Duke pasur parasysh se jeni ndër politikanët me më ndikim, mos ju është kërkuar që të ndërmjetësoni për këtë çështje mes pozitës e opozitës?
Erion Veliaj: Jo. Nuk kam ardhur me këtë mision…
Gazeta Blic: Nëse do t’ju kërkohej, do ta merrnit këtë rol?
Erion Veliaj: Nuk do ta pranoja një mision të tillë, sepse jam zgjedhur nga qytetarët e Tiranës që të merrem ekskluzivisht me qytetin, dhe besoj se suksesi ynë në Tiranë, është se kryetari i Bashkisë është i fokusuar vetëm në atë punë. Patjetër që do të vazhdoj ta mbështes dhe ta inkurajoj këtë platformë të kryetarëve të bashkive, por besoj që është pjesë e misionit për ta udhëhequr mirë Tiranën. Angazhimi im në misione, përtej punëve të qytetit, është zhvendosje e vëmendjes dhe shfokusimit, dhe dua ta mbaj fokusin ne pune te qytetit siç ka funksionu në këtë vit të parë dhe tre vitet e ardhshme.

Ja pse Edi Rama do të hyj në histori
Gazeta Blic: Më intereson edhe një çështje, dje e pamë një deklaratë tuaj që thatë se Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama do ta këtë një vend në histori të Shqipërisë. Çka konkretisht mendoni që ka bërë ai si Kryeministër?
Erion Veliaj: Unë besoj që sot kemi një Shqipëri e cila doli nga një stalacion, ishte në një rënie të lirë. Sot, kemi një rritje ekonomike 3%, sot kemi një Shqipëri më të punësuar, sot kemi një Shqipëri shumë më dinjitoze në botë, nuk besoj se ka pasur një Kryeministër Shqiptar që brenda një viti është edhe me Obamën edhe me Merkelin, edhe me gjithë drejtuesit kryesorë të planetit. Në boks kësaj i thonë me godit, me grushtu mbi peshën tënde, pesha e Shqipërisë është shumë modeste, do të thotë që kemi grushtu në një ring të peshave shumë me të larta se sa e Shqipërisë dhe patjetër që kjo është meritë e Edit. Në vendet e vogla një udhëheqës i mirë e ka mundësinë me ngritë vendin shumë më lartë se që është e në vendet e mëdha, pastaj këto janë në rutinë, kështu që për një vend të vogël, ju kujtoj që përpara dy vitesh kur bëhej renditja e progresit në Ballkan, Shqipëria renditej e fundit në gjitha proceset. Sot, nëse e shikoni Edi Rama e kryeson rajonin dhe me një farë mënyrë është lider ballkanik në marrëdhënie me perëndimin, me procesin e Berlinit, Shtetet e Bashkuara dhe besoj që shqiptarët nuk kanë qenë kurrë me dinjitoz se sa që janë në këto vitet e Edi Ramës, me marrëdhënie me jashtë. Sot, kemi një Shqipëri që nuk vjedh energji, sot kemi një Shqipëri që nuk e vjedh ujin, sot kemi një Shqipëri që nuk ndërton në çdo plazh, sigurisht për ta zhbërë gjithë “kapsën” do duhej kohë, ama kapsa nuk vazhdon, ka një demarkacion të kryeministrit shqiptar…
Gazeta Blic: Mirëpo tash nëse flasim për çështjen e sigurisë, pra vazhdimisht shohim vrasje dhe do të thotë kjo të krijon përshtypje sikur se jemi në Teksas, çka po bëhet në këtë drejtim?
Erion Veliaj: Sot të paktën flasë për qytetin e Tiranës, ne kemi shifra të krimit më të ultë se sa në Bruksel dhe në Paris, në një qytet me një milion banorë sigurisht që ka konflikt, ne kemi edhe një fokus shumë të madh të kronika e zezë, por në luftë mes bandave dhe mes aktiviteteve kriminale ka problem kudo. Në Amerikë ndodhin me mijëra vrasje megjithatë, fokusi është të ajo që po bën realisht lajm sesa tek bandat që eliminojnë njëra- tjetrën, dhe porsa flet për krimin që impakton qytetarët në Tiranë ka shumë më pak se sa në qytetet në rajon dhe definitivisht, shumë më pak se sa nëpër disa qytete në Evropë dhe në botë. Dhe për shumice e qytetarëve është edhe ai krimi i vogël i rrugëve që i dëmton, sesa bandat që merren me hesape mes tyre. Sigurisht është mirë që as ato të mos ndodhin, po kur flasë për statistikë, sot statistikat e Tiranës janë shumë herë më të ulëta se sa në shumë vende.
Kjo është e ardhmja politike e Erion Velijajt
Gazeta Blic: Shohim se edhe Kryeministri shqiptar ka një simpati ndaj jush, a i bie që do të jeni pasues i z. Rama në krye të Partisë Socialiste, a i keni këto ambicie?
Erion Veliaj: Nuk e kam atë ambicie, është vetëm viti i parë në bashki, mezi pres edhe tri vitet tejra dhe nëse publiku tiranas është i kënaqur me punën dhe ma shton kontratën edhe për 4 vite tjera, do të kisha shumë kënaqësi të punoja. Edi është një nga miqtë e mijë më të mirë, edhe kryetari i partisë time dhe ai që më ka frymëzuar që ta kem këtë angazhim në politik, por nuk mund ta bësh një punë mirë nëse je duke e ëndërruar një punë tjetër. Kështu që, unë besoj se duke u fokusuar tek kjo punë, do ta bëjë mirë këtë punë, dhe jo duke menduar për punë tjera, pastaj jeta është e gjatë mund të kthehem në Universitet dhe të jem profesor, kam shumë qejf udhëtimin, kam qenë konsulent në shumë vende të tjera, pra mund t’i kthehem prapë asaj pune, çdo gjë është e mundur në jetë. por unë jam i fokusuar këtu.
Gazeta Blic: Do të kandidoni edhe për një mandat pasi ta përfundoni mandatin 4 vjeçar?
Erion Veliaj: Duhet ta përfundojë këtë, dhe duhet të jem i suksesshëm. Nëse Tirana ma shton kontratën edhe 4 vjet, si një menaxher i një ekipi, nëse ekipi ka prodhuar rezultat edhe punëdhënësi im, që janë qytetarët e Tiranës ma rinovojnë kontratën, do e bëja më shumë kënaqësi, por është ende herët, është vetëm viti i parë, është çereku i mandatit të parë.
Gazeta Blic: Z. Velijaj, një pyetje krejt për fund, sot do ta merrni edhe një çmim nga Instituti për Qeverisje Lokale, pra konsideroheni ndër liderët komunal shqiptar më të suksesshëm, si konsideroni dhënien e këtij çmimi dhe çfarë do të thotë për ju ky çmim?
Erion Veliaj: E vlerësoj jashtë mase, ndjehem shumë i përulur, sepse kam vetëm një vit punë edhe nuk e di a jam në gjendje me marrë çmime që pas një vit, por nëse kolegët janë frymëzua prej kësaj ndihem shumë i përulur edhe shumë mirënjohës edhe e marrë si një motivim për ta vazhduar këtë ritëm. Në Tiranë ecim me marsh të pestë në punët e bashkisë dhe e gjithë situata tani nuk mund të krahasohet me vitet e mëparshme si ka qenë, por tani në duhet të krahasohemi me vitin e parë edhe e marrë më shumë përgjegjësi, duke e ditur që shumë njerëz po i kanë sytë të Tirana, se si po vazhdon ky progres.
