Hetim në dy shtete për pilotin italian, ekspertët: Ja kur u dëmtua avioni

Elton Tafaruci

Prokuroria e Krimeve të Rënda nuk i beson dëshmisë së dhënë nga piloti i avionit tip “Piper” të rrëzuar tri ditë më parë në Ishëm.

Për këtë arsye, thëniet e shtetasit italian Guido Andrea Guidi, i janë dorëzuar misionit Interforce në Tiranë për t’ia kaluar Policisë dhe Prokurorisë italiane me qëllim kryerjen e verifikimeve.

Mësohet se palës italiane i është vendosur në dispozicion pjesa e dëshmisë së pilotit për shtetasin italian dhe shqiptarin me të cilët ai pretendon se është takuar rreth 3 muaj më parë, në një lokal në Milano.

Për këtë arsye, bashkë me dëshminë e pilotit italian, Prokuroria ka kërkuar me anë të letërporosisë urgjente këqyrjen e kamerave të sigurisë së lokalit në fjalë, nëse ka kamera, për të verifikuar vërtetësinë e deklarimeve që ka dhënë piloti 69-vjeçar.

Ai mësohet se ka përmendur emrat me të cilët i janë prezantuar shtetasi italian dhe ai shqiptar, të cilët sipas tij i kanë ofruar mundësinë e transportimit të drogës me avion nga Shqipëria.

Nga verifikimi paraprak në Itali për këta dy emra, konfirmohet ajo që ka thënë edhe piloti, se të dy personat janë me precedentë penalë në fushën e trafikut të drogës dhe të armëve.

PILOTI NË RUAJTJE

Me urdhër të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, piloti 69-vjeçar Guido Andrea Guidi është vendosur në dispozicion të Drejtorisë për Mbrojtjen e Dëshmitarëve e Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë.

Ndërsa pasaporta po i mbahet e bllokuar, italiani është marrë në ruajtje si kandidat për t’u bërë dëshmitar i Drejtësisë, gjithnjë nëse thëniet e tij rezultojnë të vërteta. Kjo për arsye se deri tani, Prokuroria nuk ka arritur të verifikojë asnjë nga të dhënat që ka bërë me dije piloti italian, i cili në momentin e parë kur u pyet në Durrës, pretendoi se kishte ardhur në Shqipëri për turizëm, pasi kishte defekt në avion.

Më pas, në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, kur iu ofrua mundësia e bashkëpunimit me Drejtësinë, piloti “nxori” sekretet e tij, duke thënë se kishte ardhur për inspektimin e provën e pistës dhe se do të merrte nga fundi i shtatorit e në vazhdim 20 mijë euro për çdo ngarkesë kanabisi që do transportonte me avionin e tij në Itali.

Për këtë arsye, pavar- ësisht se akuzohet për “shkelje të rregullave të fluturimit” dhe “kalim të paligjshëm të kufirit”, 69- vjeçari italian do të ndiqet penalisht në gjendje të lirë dhe nuk do të dalë për masë sigurie para gjykatës.

AVIONI TENTOI TË NGRIHEJ

Nga ana tjetër, ekspertë aviacioni të thirrur nga Prokuroria në ndihmë të hetimit kanë konfirmuar dëshminë e dhënë nga piloti për tentativën e ngritjes së avionit nga pista ku ishte ulur në Ishëm.

“Ekspertët konstatojnë se lëvizjet e fundit të avionit janë me drejtim nga deti (nisur nga pozicioni i përplasjes së avionit dhe dëmtimeve të tij)”, thanë burimet nga hetimi i çështjes. Sipas tyre, kjo shton dyshimet se avioni është ulur pa probleme dhe dëmtimet te rrota duhet t’i jenë shkaktuar gjatë udhëtimit të kthimit për në Itali, më saktë pas kthimit në pistë dhe tentativës së ngritjes me qëllim fluturimin drejt Italisë./PANORAMA

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *