Njeriu që vrau muzikantin e njohur britanik John Lennon ka pranuar që ka “një mendje psikopate” dhe se e vrau anëtarin e “The Beatles”, sepse “dëshironte të bëhej i famshëm”, shkruan “The Telegraph”. Lennon u vra në dhjetor të vitit 1980 nga duart e Mark David Chapman në hyrjen e ndërtesës ku artisti jetonte në Nju Jork.

Chapman pranoi krimin dhe aktualisht vuan dënim të përjetshëm. Në raste të përsëritura ka tentuar të fitojë lirinë me kusht dhe në seancën e tij të fundit para një komisioni vlerësues ka përshkruar në detaje krimin e tij. “Ai (Lennon) doli nga shtëpia dhe kjo është një pjesë që më vjen keq realisht që ka ndodhur. Ai doli dhe unë mbaja në dorë albumin e tij dhe një stilolaps. I kërkova që të ma firmoste. E bëri dhe më pyeti nëse dëshiroja gjë tjetër. Gruaja kishte dalë me të, po e priste në një limuzinë dhe kjo është diçka që shpesh reflektoj: si ishte aq i mirë me një të panjohur?! Firmosi albumin dhe hyri në limuzinë”, tha vrasësi. Atë ditë, Chapman u largua por u kthye në mbrëmje me një armë.
Kur Lennon u kthye në shtëpi, ky nxori armën dhe e qëlloi disa herë në shpinë.
” Isha i obsesionuar me një gjë dhe po e bëja që të mund të isha dikush”, rrëfen ai.
Komisioni hodhi poshtë kërkesën e tij me arsyetimin se krimi ishte i paramenduar me dëshirën se donte të bëhej i famshëm. Chapman mund të ketë një seancë të re për të shqyrtuar rastin brenda dy viteve dhe do të jetë seanca e dhjetë. /DITA
