Lulëzon “hija e punës në të zezë” mbi ekonominë e Ballkanit

Elton Tafaruci

Sipas një sondazhi të ri, një përqindje e madhe njerëzish punojnë në të zezë në rajonin e Ballkanit si pasojë e mosbesimit që kanë ndaj institucioneve shtetërore – dhe sistemit të padrejtë të taksave që penalizon, sidomos ata që kanë të ardhura të ulëta.

Mungesa e besimit ndaj institucioneve shtetërore dhe sistemeve të padrejta tatimore në Europën Juglindore ka ndihmuar në rritjen e përqindjes së personave që punojnë në të zezë, tregojnë të dhënat e një studimi për demokracinë e lidershipit në Europën Juglindore për Zhvillim dhe Integritet me bazë në qendër të Bullgarisë.

Sipas rezultateve paraprake të studimit, të paraqitura në një konferencë ndërkombëtare në Sofje, përqindja e punësimit në të zezë varion sipas vendeve të ndryshme të Ballkanit, nga një e pesta në Kroaci në katër të pestat e të gjithë njerëzve të punësuar në Kosovë.

Në Bullgari, rreth 17.5% e njerëzve punojnë në sektorin informal, përqindje kjo që është më e lartë se norma mesatare e Bashkimit Europian.

“Arsyeja për krijimin e kësaj ‘hije’ mbi ekonominë e vendeve të Ballkanit është sepse aty ne ndeshemi me institucione të pafuqishme shtetërore. Ura lidhëse ndërmjet asaj se çfarë mendojnë njerëzit se duhet të ndodhë dhe asaj se çfarë ndodh me të vërtetë ka kohë që është thyer, shprehet profesor Colin Williams, nga Universiteti i Sheffield.

Ndërsa sipas profesor Arnis Sauka, nga Shkolla e Ekonomisë të Stokholmit në Riga, kjo hije mbi ekonominë shfaqet më shpesh në formën e punësimit, pa kontrata apo në deklarimin e vetëm të një pjese të të ardhurave nga punëdhënësi.

Në Maqedoni, vetëm, 37.3% e të punësuarve u paguhen sigurimet shoqërore nga punëdhënësit e tyre. Por edhe këto sigurime jepen jo mbi vlerën e vërtetë të pagës së punonjësve, por mbi një vlerë më të ulët, vuri në dukje Marija Risteska, drejtore e Qendrës së Kërkimeve dhe Politikëbërjes, në Shkup.

Është vështirë të jepet një shifër e saktë mbi përqindjen e personave që punojnë në të zezë në Bullgari, sepse një pjesë e madhe njerëzish nuk punojnë plotësisht në të zezë, por deklarojnë vetëm një pjesë të të ardhurave të tyre.

Numri i njerëzve në Bullgari, të cilët punojnë pa kontratë është shumë e ulët, në rreth 1 ose 2% të të gjithë të punësuarve, ndërsa në Turqi dhe Kosovë punësimi jokontraktual është shumë më i përhapur.

Për të zgjidhur problemin e punës në të zezë dhe të ardhurave të padeklaruara, vendet e Ballkanit duhet të kuptojnë paraprakisht shkaqet e krijimit dhe më pas ta luftojnë atë, thotë profesor Williams.

Ai tha gjithashtu se kjo hije mbi ekonominë është zgjeruar edhe si pasojë e mungesës së besimit në institucionet shtetërore dhe se sistemi i taksave është i padrejtë, sepse pesha më e madhe bie sidomos mbi njerëzit me paga më të ulëta./MONITOR

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *