Një sqarim për zëvendësimin tim si kryeredaktor në TCH

redaktor

Nga Mentor Kikia

Nga sot, dt 21 Shtator, unë nuk jam në drejtimin e edicionit të lajmeve të orës 15.00, nëTop Channel. Me pak fjalë, nuk jam më kryeredaktor, detyrë të cilën e mbaj që prej hapjes së këtij televizioni, Maj 2001.

Në respekt të audiencës së Top Channel, në respekt të lexuesve të mi në median e shkruar dhe atë sociale, por edhe për të sqaruar njoftimet e publikuara sot në mediat online, dua të qartësoj atë çka ka ndodhur. Duke i lënë komentet dhe përfundimet për herë tjetër. Jo për Mentor Kikinë, por për kryeredaktorin e lajmeve të televizionit më të madh në vend dhe institucionit më të rëndësishëm të informimit.

E vërteta është se unë nuk kam asnjë vendim të drejtuesve të kompanisë, apo administratorit të përgjithshëm, për shkarkim nga detyra, apo propozim për lëvizjen në ndonjë detyrë tjerë. Ka vetëm një komunikim verbal të drejtorit të informacionit Sokol Balla, në mbledhjen e redaksisë, i cili njoftoi se nga sot drejtimi i këtij edicioni, që nënkupton punën që nga mbledhja e mëgjesit e redaksisë, i kalon një redaktori tjetër.

Ndërkohë që një ditë më parë, në një bisedë informale, Balla më komunikoi se mua më ishte hequr e drejta e “editimit politik”, pra linja editoriale e edicionit, (të cilën nuk është se e kam patur ndonjëherë ekskluzive) sepse me qëndrimet e mia si brenda, e veçanërisht jashtë redaksisë, me komentet dhe shkrimet në median e shkruar e atë sociale, apo qëndrimet në studio të ndryshe debatesh, kisha dalë shpesh jashtë linjës editoriale të televizionit. Dhe se ky ishte edhe mendimi dhe vendimi i administratorit të përgjithshëm. Duke më përmendur si aktin e fundit, edhe debatin publik me një mjeke. Ndërsa si akt të parafundit, më përmendi një artikull mbi rrezikun e kanabizimit të vendit. (Unë nuk di që televizioni të ketë ndonjë linjë editoriale për të mbrojtur mjekët që marrin para apo ata që mbjellin hashash).

Edhe pse nuk ka një linjë editoriale të komunikuar, unë e kuptoj dhe repektoj atë, brenda dhe jashtë redaksisë, e njoh parimin e moscenimit të interesave të kompanisë ku punoj, dhe ky është parim universial që funksionon nga këtu deri në Uashington.

Në ato çfarë unë kam shkruar, kam qenë kritik shpesh, por jo ndaj kompanisë, interesave të saj dhe partnerëve të saj, por ndaj klasës politike në tërësi, fenomeneve negative sociale e shoqërore, ku sundon denoncimi i ndotjes së mjedisit. Kjo nuk është dëshmi e cënimit të linjës editoriale, por tregues i pavarësisë time si gazetar. Por, edhe nëse diku, brenda apo jashtë redaksië, mund të kem prekur diçka, më shumë mendoj se kam prekur ndonjë axhendë private, politike e financiare, dhe jo linjën editoriale të televizionit.

Unë mund të kem bërë shumë gjëra gabim në jetën time, madje edhe me pasoja dramatike. Por një gjë e kam bërë mirë në çdo orë, çdo ditë, çdo muaj e çdo vit: Profesionin e gazetarit, që nga vitit 1993 kur e nisa, shumicën e të cilit e kam bërë në Top Media.

Ndaj mënjanimi im nga detyra e kryeredaktorit, nuk duhet parë si shkarkimi rëndom i një gazetari nga puna. Pasi në Shqipëri media është tregu më kaotik dhe të paktë janë ata që nuk kanë ndërruar nga 3-4 redaksi. Por kjo ka të bëjë me parimet e pavarësisë së gazetarisë.

E vërteta është se unë nuk jam larguar nga Top Media, me të cilën kam në fuqi një kontratë si kryeredaktor prej 16 vjetësh. Dhe, nëse do më duhet ta bëj, nuk do të iki kokëulur, e aq më pak fshehurazi, si një hajdut që e kanë kapur duke vjedhur dhe lutet të mos i nxjerrin fytyrën në lajmet e kronikës së zezë.

Kam punuar këtu me më shumë përkushtim e ndershmëri sesa ndaj familjes time, sepse e adhuroj ende këtë profesion dhe fjalën e lire dhe e çmoj shumë këtë media. Mbi të gjitha Top Media nuk është pronë e asnjë drejtori, e madje as edhe e vetë pronarit. Ajo është një aset i madh publik, një vlerë e madhe e shoqërisë dhe demokracisë sonë.

Unë pres të sqaroj më tej pozicionin në raport me kompaninë, për të mbajtur qëndrimet e mia të mëtejshme.

Share This Article
3 Comments
  • Respekt per ju z.Kikia. Cfare ka ndodhur duket fare qarte. Si nje gazetar dhe njeri me parime,me kurajo dhe me dinjitet ju nuk mund te heshtnit para dyfytyresise se nje doktoreshe qe vetereklamohet ne facebook duke u shtirur dhe duke u paraqitur krejt e ndryshme nga ajo qe eshte ne te vertete,edhe pse behej fjale per vajzen e nje deputeti te njohur. Shkarkimi yt eshte nje prove per ato qe ju denoncuat per vajzen e Namik Dokles. Presioni qe Namik Dokle do ti kete bere Rames per t’ju ndeshkuar juve ndoshta edhe duke e kercenuar me daljen kunder ne parlament apo me denoncim te ndonje afere eshte turp per nje deputet te njohur si “burre i urte” sic eshte njohur ne popull Namik Dokle. I bie qe babe e bije jane arrogante dhe hakmarres te ulet qe kane frike te perballen me te verteten por perdorin pushtetin per tu mbyllur gojen njerezve.
    Turp per Edi Ramen qe ndersa ben arrogantin me njerezit e thjeshte eshte totalisht i kapur e i marre peng jo vetem nga te fortet dhe deputetet por edhe nga femijet e tyre.

  • Mentor, une nuk e dija se çfare pune beje dhe me dukeshe si nje gazetar si Shkullaku shpesh here, por te jeshe kryeredaktor dhe te shkruaja jo pak here si shkruaje ti, shpesh here dhe me mllefe, dukeshe si pjelle e dikujt tjeter. Megjithate ne Shqiperi ka pune per te gjithe llojet e gazetareve, prandaj mos u deshpero qe te paskan lajmeruar. Se Lubonja ishte pajtuar tek opinione Fevzos, si duket atje e merrte rrogen, pasta shkoi tek Agon Cannel, por kur ai u mbyll, heee degjoje Lubonjes se çfare thote per Ramen. Mejdani ishte dhe presiden, burre i urte, por kur i hoqen djalin nga puna, heee degjoje se çfare thote per Ramen. Sonila as vete s’e di se ku noton se nga nje gazetare serioze u be me keq se ato arixhofkat qe shesin unaza bakri e bronxi per flori. Ka plot shembuj, prandaj mos u hidhro. Gazetaria dhe televizionet shqiptare kane nevoje per te gjitha ngyrat e karaktereve te njerzeve. Do ta gjeshe nje vend pellumbash apo dhe sorrash!

  • Z. Kikia e para me vjen shume keq per kete vendim te top_channel-it.Sinqerisht je nje nder te paktet gazetare qe flisni drej pa anash kalimesh per cdo porblem. Si duket edhe top-channelli nuk eshte televizion i pavarur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *