Magani përballë së kaluarës

redaktor

Gugash Magani përballë së kaluarës, e madje dhe familjes. Flamurtari-Teuta, sfida e javës së katërt të Kategorisë Superore është padyshim e veçantë për teknikun peqinas.

51 vjeçarit i duhet të rikthejë Flamurtarin te fitorja përballë skuadrës me të cilën tejkaloi pritshmëritë sezonin e kaluar pas një viti tejet të suksesshëm dhe pjesë e këtij misioni është dhe ai për të penguar të birin e tij, Arturin të gjejë rrjetën e Argent Halilajt.

Kjo javë në Vlorë ka nisur me “shkundjen” që Magani i ka bërë ekipit pas disfatës me Vllazninë. Reflektimi duhet të fillojë pikërisht nga Teuta, skuadra me të cilën Magani shfaqi vlerat e tij si trajner duke rritur ndjeshëm kuotat pas një sezoni të mbyllur me zhgënjim te Tirana.

Me Teutën arriti Europën, një rezultat i papritur edhe për ata më optimistët, duke i dhënë Teutës fytyrën e tij, atë të një skuadre punëtore që lufton në çdo centimetër të fushës dhe që nuk mbështetet te yjet por te forca e grupit.

Një sukses që i shërbeu padyshim edhe në aspektin personal, këtë verë zgjodhi Flamurtarin dhe një projekt ambicioz, ndoshta edhe për të arritur atë që nuk kishte mundur të bënte në aventurën e tij të parë me vlonjatët, me një titull kampion të ikur prej duarsh vetëm në fundin e një kampionati të rivalizuar në maksimum me Skënderbeun.

Në rrugën e vështirë drejt suksesit tani i duhet të mposhtë pikërisht Teutën dhe të paktën për një herë të bëjë tifo për veten dhe jo për djalin e tij, Artur Maganin sulmuesin e skuadrës durrsake.

Edhe për 22 vjeçarin ky fillim sezoni nuk ka qenë i lehtë, eshtë ende në kërkim të golit të parë sezonal pasi në 3 ndeshjet e para është aktivizuar vetëm një herë si titullar ndërsa në takimet e tjera është futur nga stoli.

Këtë herë në misionin për të prishur agjerimin, do të ketë kundër dhe tifozin numër një të tij, që i duhet të këshillojë mbrojtësat e tij se si markohet më mirë Arturi.

Ata që e njohin Gugashin profesionalizmin dhe vendosmërinë e tij, e dinë se dhe në të tilla raste di të jetë i pamëshirshëm.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *