Pse janë të tillë këta, beratasit?!…

Dita

Para disa ditësh, në statusin e fb të miku tim, Ilir Manka, gazetar i vjetër nga Berati, ishte hedhur një shënim nga kolegu tjetër beratas, shkrimtari dhe publicisti Simon Vrusho. Shënimi, që, për mua, s’ishte thjeshtë shënim, por një ese, pamflet a diçka tjetër më e fortë dhe më e zëshme, që nuk e klasifikoj dot si gjini, mbante titullin “Pse janë të tillë këta beratasit”?!…Dhe më poshtë vazhdonte:

“Këtë pyetje e ka formuluar një krutan, një krutan i veçantë, Xhavit Qesja. Gjimnazist i shkëlqyer -1941, komisar i brigadës 23 gjatë Luftës, sekretar i parë në Shkodër e Berat (1955), kundërshtues i Enver Hoxhës, disident, që këtë kundërshti e pagoi me 30 vjet burgje e internime.
E ka dashur Beratin, i ka dashur beratasit dhe këtë e ka dëshmuar vetëm me një pyetje, një pyetje prekëse, të lënë në ditar, pyetjen e dhimbshme:
-Pse janë kështu, këta, beratasit?

Zylyftar Hoxha
Zylyftar Hoxha


Me këtë pyetje Xhavit Qesja, inteligjent, i zgjuar dhe i mençur, siç ishte, ka nënvizuar, ka qartësuar, ka evidentuar, ka dalluar, ka theksuar, madje, në kontekst, edhe e ka stigmatizuar një tipar të dukshëm të beratasve:
Timiditetin.
Timiditeti. Beratasit e kultivuar, të ndriçuar e kuptojnë fort mirë Xhavit Qesen. Shkaqet, arsyet, rrethanat që kanë sugjeruar dhe përvetësuar këtë tipar duan analiza, shqyrtime, argumentime.
Por kupolistët e Tiranës, jo vetëm në shek. XX, para dhe pas viteve ’90-të, por edhe në fillimet e shek. XXI e kanë parë Beratin dhe beratasin timid deri në atë shkallë, sa në funksione kyçe kanë emëruar apo kanë zgjedhur teleshmënë, molomënë, injorantë, debilë edhe të marrë, deri në funksione prefekti apo zgjedhjeje si deputetë dhe shumica e tyre jo nga Berati, por të importuar, sepse Berati është i urtë, njëlloj si të thonë se Berati është i humbur!
E papranueshme.
Refuzoji Berat horrat që të imponojnë xhahilët e Tiranës”!

Pasi e lexova dy-tri herë, mu duk pak, madje nënvleftësuese, të vendosja shenjën e pëlqimit (like); u hodha te komentet dhe fillova të shkruaj konsideratat, dobësitë dhe nostalgjitë e mia personale për qytetin e lashtë dhe të bukur të Beratit, për të cilin, sa herë e kujtoj, si i thonë fjalës, ngrihem në këmbë, për historinë dhe kulturën e tij, por edhe se aty kam kaluar adoleshencën time në shkollën e mesme pedagogjike dhe më pas kam patur lidhje të vazhdueshme me shumë miq e shokë beratas.

Duke vazhduar të shkruaj, mu kujtua se për Beratin, unë jam shprehur më se një herë publikisht dhe do të qe më mirë, që, në vend të komentit, të postoja diçka nga ato që kam shkruar më parë. Hoqa dorë nga komenti dhe, në vend të tij, zgjodha nga libri im “Orakuj të harruar” pjesën “Berati, për ata që nuk e njohin” dhe bisedën (e pa botuar më parë) me shkrimtarin dhe publicistin e njohur, Ylli Polovinën. Më duket se duke botuar këto dy shkrime, kam plotësuar diçka dhe kam marrë pjesë në merakun që ka miku dhe kolegut im, Simon Vrusho për timiditetin, urtësinë, ndrojtjen dhe modestinë e Beratit dhe beratasve, që politika dhe horrat e saj i shfrytëzojnë keqas.

Berati, për ata që nuk e njohin

Në emisionin “Top Show” të kanalit më të njohur televiziv në Shqipëri, “Top Chanel”, para disa kohësh u paraqit Berati. Jo për meritë të organizatorëve të kësaj shfaqjeje, që, pa dyshim, janë profesionalë dhe mjaft të talentuar, por më tepër të protagonistëve të saj në sallë, disa prej intelektualëve të shquar dhe të qytetarëve të thjeshtë beratas, që me qytetarinë, me thjeshtësinë dhe sinqeritetin e tyre karakteristik dhanë një nga shfaqjet më të realizuara, më pasionantet dhe më mbresëlënëset që kemi parë në këtë kanal televiziv. Të paktën ky ishte një opinion i përgjithshëm i marrë menjëherë pas shfaqjes.

Intelektualët më në zë të Beratit, profesori i mjekësisë Pandeli Çina, Hysen Kordha, Bujar Lybesha, Yzedin Shelegu, Myslim Hotova, Virgjini Mile e shumë të tjerë, por edhe mjaft qytetarë në platé, folën për vlerat e qytetit të tyre, që Berati i ka me shumicë, të pakrahasueshme me të tjerët dhe të gjithanshme: arkeologjike, arkitektonike, historike, kishtare, shpirtërore dhe, mbi të gjitha, njerëzore.

Nga ky emision, por edhe shumë raste të tjera, nxjerr përfundimin se Berati, vlerë mbi vlerat ka njerëzit e tij, banorët e vjetër e të rinj, me një kulturë të trashëguar, por edhe të kultivuar, që e duan aq shumë qytetin e tyre piktoresk, por edhe civilë në të gjitha pikëpamjet, sa nuk gjejnë dot mënyrën për ta shprehur këtë dashuri. Secili në atë sallë ku sundoi patetizmi, donte të thoshte një fjalë për qytetin e tij. Me të drejtë. Jo të gjithë e dinë ç’është Berati, jo të gjithë ia njohin thesaret që ai fsheh nën atë bukuri mahnitëse. Një fjalë e urtë e popullit e që shkon në këtë rast, thotë: “Se çfarë ka tenxherja që zien, e di luga që e përzien”. Ndaj pasioni, patetizmi dhe mburrja e beratasve janë plotësisht të ligjshme.

Nuk është një ngjarje e sajuar apo thjesht një kuriozitet, por një e vërtetë, që e dëshmojnë autoritete të kulturës të asaj kohe, ajo që ka ndodhur aty nga fundi i viteve ‘80-të, kur një grup i huaj turistësh kishin ardhur  për të vizituar Beratin dhe, kur u ngjitën në kala, nga ku qyteti duket si në pëllëmbë të dorës, u shprehën: ”Sikur ta kishim ne këtë qytet, në hyrjen e tij kryesore, te Kombinati do të vinim një portë, ku çdo vizitori të huaj që do të vinte për ta vizituar do t’i duhej të paguante biletën e hyrjes…”.

Bindet për këtë atij që i ka rënë rasti të vizitojë Akropolin e lashtë të Athinës, apo shumë komplekse muzeale nëpër Evropë. Por ne, si ne, mes halleve të tjera, pak na shkon mendja tek këto pasuri, tek këto trashëgimi e vlera të paçmuara që na kanë lënë të parët tanë. Ajo që bëhet, është pak. Edhe për të ruajtur vlerat tona ne shikojmë nga bota, nga ajo botë që, megjithëse e ndjeshme ndaj artit dhe e kulturës, përsëri po na lë pas derës, siç është rasti i dosjes së Beratit nga UNESKO.

Pushtetarë, mbroni Beratin!

14424170_1241347872584651_1829999871_oPas një mjeshtri të kuzhinës karakteristike, i cili tregoi se si një paraardhës i tij, kuzhinier beratas, kishte çuditur Carin e Rusisë me ëmbëlsirën e gatuar me…rrënjë preshi; fjalën e mori një zonjë e vjetër nga Tutulanët e dëgjuar për shpirtin e tyre poetik e shpërthyes; “Çdo gur që rrëzohet nga Kalaja apo muret në Berat krijon dhimbje therëse në shpirtin e çdo banori”, tha ajo, dhe, duke iu drejtuar deputetit të zonës, ngriti zërin përvajshëm: “Pushtetarë, shpëtojeni Beratin, se njërës nga vlerat më të çmuara të vendit, po i ikin gurët në lumë, po shkërmoqet zishëm në mes të ditës para syve tanë. Nuk durojmë dot…”!

Edhe Virgjini Mile s’ndihet mirë në këto çaste. Ajo ka bërë epokë në vitet ’60-’70 me këngën karakteristike beratase, por këtë këngë tani po e shpërdorojnë keqas, po e deformojnë dhe po i marrin autorësinë. Këngës së Qerimesë i dihet edhe autori edhe rrethanat si u krijua, ajo është e vetme dhe s’ka të dytë në llojin e vetë, por fatkeqësisht e dëgjon në Elbasan me variante banale. Po kush ta mbrojë këngën? Grupi karakteristik i këngës së vjetër qytetare, që i kishte dalë për zot asaj, është bërë kokrra-kokrra, s’ka fonde të mbahet e të ringrihet. Po kush pyet për të, kur s’ka fonde për më të dukshmen, restaurimin fizik të qytetit.

Bashkëjetesa, vlerë

Kur profesori i respektuar Pandeli Çina foli për figurat më të ndritura të Beratit, dhe ndër të parët renditi Kahreman Yllin, dikush ia mori për një lapsus. Por profesori e çoi deri në fund atë që tha. Në thelb mendimi i tij ishte se Skrapari dhe Berati janë një, janë ata që kanë ruajtur gjuhën e Naimit, janë ata që bashkë kanë përballuar luftëra e përpjekje, kanë patur dhe kanë një administratë të përbashkët, një fat të përbashkët dhe ngjashmërinë etno-kulturore si dy pika uji.

Në ‘14-ën Berati u bë strehë e skraparasve që iu dogjën shtëpitë nga greku, një pjesë e mirë e tyre qëndruan përgjithmonë aty. Pas çlirimit shumë oficerë e kuadro civilë, të shpërndarë në të katër anët e vendit, kur u dilte transferimi, parapëlqenin Beratin, si vendin e tyre, por edhe për të qenë pranë të afërmve dy çapa më tej. Është kjo një nga arsyet që në Berat skraparasit zënë një pjesë të konsiderueshme të popullsisë, të integruar plotësisht në jetën ekonomike, politike e kulturore të qytetit.

Por le ta lëmë profesorin e nderuar me opinionet e tij dhe të ecim pak më tej. Në një qytet ku kisha dhe xhamia i bëjnë hija njëra-tjetrës, në një qytet ku siç thotë kënga; djemtë e Goricës dhe të Kalasë (krishterë) prisnin të dilnin nga Xhamia e Beqarëve djemtë e Kasabasë (myslimanë) për t’u larë bashkë në lumë, bashkëjetesa kthehet në një vlerë, në pasuri shpirtërore. Se beratasit janë aq të urtë, aq miqësorë dhe tolerantë, sa gjen aty familje me origjinë të lashtë çifute, persiane, greke, sllave, egjiptiane, por që tashmë e kanë harruar origjinën e tyre, janë shkrirë natyrshëm, ashtu siç janë shkrirë edhe skraparasit që kishin dhjetë arsye më tepër për t’u shkrirë më shpejt.

’97-a nuk i dogji dot lulet e Beratit

14455859_1241347889251316_1136339101_oRrëmuja e 97-ës e goditi keqas Beratin, dëshmi e kësaj ngjarje kobë janë qindra viktima të vendosura në një parcelë përmendore që i ngrihet absurdit. Ndaj beratasit nuk kanë dëshirë t’ua përmendësh ’97-ën, ndaj ata bëjnë përpjekje për ta mbyllur atë kapitull të errët, për ta harruar një herë e përgjithmonë.

Grindja dhe hasmëria nuk kanë qenë në natyrën e këtij qyteti, ato dikush i futi si një magji të zezë. Po asht siç erdhën, ikën. Gjërat shumë shpejtë u normalizuan. E keqja s’gjeti dot shtrat të ngrohtë. Se Berati është i gjerë, është i dashur, është miqësor, me një qytetari të kahershme, që di t’i zgjidhë punët e veta. Ai nuk e njeh kanunin dhe hakmarrjen. Në vend të këtij institucioni ai ka institucionin e mirëkuptimit, të pajtimit. Berati është edhe qytet i luleve dhe i trëndafilave; ai ka lule edhe për ata që lanë një borxh që s’ia kishin askujt, e që prehen në qetësi në varreza, por ka edhe lulet e kënaqësisë e të bukurisë që mbushin lulishte e ballkone, lule që ’97-a nuk i përzhiti dot.

Tingëllojnë pak si patetike këto fjalët e fundit të këtyre shënimeve. Por kush shkel në këtë qytet, nuk u shpëton dot ngarkesave emocionale nga ajo që sheh dhe dëgjon në çdo hap që hedh. Provojeni!

  Korrik, 2007

Të mirë, se janë pranë orakujve dhe historisë!…

Bashkëbisedim elektronik me publicistin dhe studiuesin e njohur, Ylli Polovina

14470822_1241347382584700_110916962_n
Ylli Polovina

Një natë, aty nga ora 12, pasi ktheva faqen e fundit të librit më të ri të publicistit dhe studiuesit të njohur, Ylli Polovina, “Gjysma e harruar e Skënderbeut”, vendosa të flisja me të, jo me telefon, jo në ndonjë takim në ndonjë kafe, por on-line me elektronikë. Fat i madh që edhe pse në moshë të dy, si unë dhe ai, jemi aty te vjeshta, e kemi kapur këtë produkt të lartë të mendjes njerëzore që na i ka thjeshtuar shumë punët.

Me Yllin njihemi qysh herët, kur ne të dy, në të njëjtën kohë, ishim kryeredaktorë të gazetave lokale, ai në “Kushtrimin” e Beratit dhe unë në “Jehonën e Skraparit”.

Më pas puna e ka sjellë të takohemi rrallë, por, edhe pse në distancë, e kemi ndjekur dhe kemi pyetur për njëri-tjetrin. Më ka gëzuar çapitja e tij e matur dhe e kujdesshme në jetë, vitaliteti i tij krijues, me gati 20 libra të karakterit politik, historik, diplomatik dhe shoqëror të shkruar brenda një dhjetëvjeçari, zëri i tij i ndjeshëm intelektual dhe polemist në shtypin e përditshëm, suksesi i tij diplomatik në vitet që ai përfaqësonte vendin tonë në Itali; ashtu siç ka ndodhur edhe e kundërta: më kanë hidhëruar peripecitë e telashet e tij me politikën, kur trajta veprore është bërë për të pësore, uljet e ngjitjet e pamotivuara dhe ai pozicion i sotëm i një punonjësi të thjeshtë në Ministrinë e Jashtme, që edhe pse ashtu, herë-herë ia përflasin kërcënueshëm atë të shkretë vend dhe atë të shkretë zyrë, që mezi nxë shpirtin bohem të një diplomati të suksesshëm, por të pafat.

Nejse, ashtu siç thashë më lartë, në mëngjes hapa email-in dhe shkrova:

I dashur Ylli,

Mbrëmë mbarova librin tënd të fundit “Ana tjetër e Skënderbeut” dhe të them të drejtën kisha shumë për të thënë. Por çuditërisht në mëngjes i harrova të gjitha. Kot s’thonë që nata të bën gjeneral dhe të gdhin ushtar. Megjithatë, hulumtimi dhe përpjekja jote është e admirueshme, me vlera të gjithanshme, madje edhe historike, që pasurojnë dhe ndriçojnë pikat më të errëta të legjendës tonë kombëtare.

Ajo që do të theksoja dhe që më ka ngelur në mend, është se me atë urtësinë tipike të një beratasi të kulturuar dhe me nam modest siç je, e ke kapur mirë fillin. Suksesi yt i padiskutueshëm në këtë libër është te qëndrimi yt gjakftohtë, profesionalizmi i padiskutueshëm dhe patriotizmi i ndjerë thellë. Veç kësaj do të shtoja se vështrimi yt nëpër skutat e errëta të historisë në këtë rast është skifterik. Të lumtë!

Kam edhe të tjera për të thënë, por po e lë me kaq për Skënderbeun, ndërsa “Kallashnikovin” sapo e kam nisur.

Ylli: Mik e koleg i dashur,

Në të vërtetë ndodhi që ta “kalova”(?!) Ndërsa i shkëmbyem miqësisht në një ditë unë e mbarova librin tënd “Orakuj të harruar” dy-tre dyzina orësh më parë se ti t’i jepje fund timit, “Gjysma e harruar e Skënderbeut”. Siç e sheh, që të dy shkruajmë për gjëra të shtrenjta që kanë rrezik të harrohen nga poterja e ditëve të sotme dhe që të dy bëhemi një me ata bashkëkombas, të cilët nuk duan që kjo të ndodhë.

 I dashur skraparlli (ta dish se sa me qejf e shqiptoj këtë fjalë, si të jetë varg kënge!) i ke rrënjët në një truall me në gjoks Malin e Tomorrit. Ti dhe kushdo që është rritur pranë kësaj madhështie shkëmbi, pyjesh, ujërash e bore e di shumë mirë se nuk mund të lejohet të bëhet ai mal i lartë, ai rrokaqejsh, një kodër apo një pirg me dhe. Si mund të bëhet xhuxh historik Gjergj Kastrioti?! Nuk ka Skrapar e Berat pa Tomorrin, nuk mund të ketë Shqipëri pa Skënderbeun.

Ky është vëllimi im i parë për këtë temë, do të ketë edhe të tjerë në vazhdim…Ndërkohë po ta them intimisht, i miri Zylyftar, se do të ketë edhe një libërth për Skënderbeun dhe Beratin, ose më qartësisht për Kastriotët, zotërit e Krujës dhe Muzakët, zotërit e Beratit, të Skraparit dhe të Myzeqesë.

Zylyftari: Me që e nisëm, kur kam qenë në pedagogjiken e Beratit, por edhe më pas, pasi unë kam pasur lidhje të vazhdueshme pune me Beratin, kisha dëgjuar se, në se të duhet të dish për familjet e njohura beratase, ato janë shumë, por nëse të duhen pesë apo gjashtë, në këtë numër ke pa diskutim Polovinat. Nuk e di sa e saktë është kjo, por unë veç teje kam njohur edhe një Polovinë tjetër, të cilin e kam patur kujdestar konvikti në pedagogjike, Pajtim Polovina e quanin, një burrë shumë-shumë i mirë, korrekt dhe me kulturë, nuk e di ku është tani.

Ylli: Berati përherë e më shumë më mahnit me thesaret historikë që ka. Prej kohësh po pasuroj një arkivë personale me këtë temë. Duke punuar, kam vënë re se janë me qindra familjet e nderuara të qytetit tim, janë aq shumë, i dashur Zylyftar, sa që Polovinat duken fare modestë, edhe pse kanë kontributin e tyre. Në librin tënd një nga ato që më dha emocione, por edhe dituri, ishte citimi yt pambaruar i fiseve, familjeve apo individëve që kishte jo vetëm qyteti, Çorovoda, por krahina juaj. E veçanta me Beratin është se pjesën më të madhe të bëmës historike ne e kemi në qytet, ju në rrethinat. Por sikur të bashkosh historinë e dy qyteteve dhe fshatrave tanë, pra të Beratit me të Skraparit, a e di çfarë mrekullie del? Sepse racat i kemi përzierë dhe nga martesa mes një beratasi e një skraparlliu, të siguroj edhe pse ti e di mirë këtë gjë, minimalisht del një pasardhës i bukur fizikisht, që vishet mirë e po ashtu di të hajë me qejf, por mbi të gjitha që është i matur dhe i pangutur. Patjetër beratasit kanë patur fat me fqinjin e tyre, sepse urtësinë, ndonjëherë edhe në kuptimin e plogëtisë së veprimit historik, ja kanë pasuruar skraparllinjtë me pasionin për protagonizëm.

Më vjen mirë që kujton Pajtim Polovinën. Gjyshi im ishte vëlla i babait të tij. Me Galo Polovinën, veprimtar në “Vatra”, në emigracion, në SHBA dhe pastaj sepse e mbyti malli për vendin e tij u rikthye në Shqipëri, ne krenohemi. Pajtimi ka disa vite që nuk jeton më. Një sëmundje e papritur zemre e vuri poshtë atë njeri që nuk kishte lodhje e mundim njerëzor ta bënte të dorëzohej. Faleminderit që e kujtove!

Zylyftari: Sa herë që kemi biseduar bashkë ti flet me shumë admirim dhe respekt për Skraparin dhe skraparllinjtë, mos nga që je dhëndër në Skrapar?

Ylli: Po të përgjigjem shkurt, edhe pse diçka për këtë temë thashë më sipër: Unë jam e do të jem gjithë jetën krenar që vjehrrin tim, Skënder Hysin, e kam bir të Skraparit. Ndihem i nderuar që kam marrë vajzën e tij, Fatbardhën.

Zylyftari: Faleminderit për telefonatën dhe mendimet për librin tim “Orakuj të Harruar”. Më fole me superlativa, por si publicist profesionist të kam marrë për të vërtetë dhe që më nxit mendimin për stilin dhe mënyrën e të shkruarit.

Ylli: Ti je njeri i tokës, i tabanit. Ti je vërtet tomorrian. Tomorrian do të thotë forcë Anteu. Nëpërmjet librit tënd kuptova më mirë sa afër legjendës dhe Dodonës hyjnore, sa afër orakujve dhe thellë historisë jeni ju, skraparllinjtë. Tomorrian do të thotë edhe njeri i ngrohtë, i ëmbël. Në Shqipëri si malësorë të ëmbël unë deri tani kam njohur vetëm bashkëkombasit që janë rritur në krahinën tuaj.

 Zylyftari: Ke një faqe interneti shumë të ngrohtë dhe intime. Aty, veç Bardhës që e kam njohur me kohë, u njoha edhe me gocat e tua, Albanën dhe Besjanën. U uroj sukses dhe fat në jetë!

Ylli: Faleminderit, gëzime paç edhe ti në familjen tende!

I dashur Zylyftar, tani jetohet edhe në on-line, siç e di. Nëpërmjet webfaqes time dygjuhëshe përpiqem të komunikoj me të tjerët. Atje është vendosur pothuaj e gjithë krijimtaria ime. Kur ka kohë, dëshirë apo mundësi, secili mund të gjejë atje një tashmë një gjashtëdhjetë vjeçar që të paktën nuk i gënjen kurrë në ato të thotë.

Tiranë 23 maj 2008

 

Share This Article
2 Comments
  • Bisede. Mrekullueshme.
    Ashtu si skrapari e berati Jane edhe rrethet e tjera ,Jane shqiperia e Kosova, Maqedonia, cameria qe politika na shkateroi

  • Nga ky artikull mesova qe profesori im i letersise, i cili hartimet e mia i merte dhe i lexonte ne cdo klase,, paska nderruar jete!
    Me vjen shume keq per ate njeri te mrekullueshem.
    Megjithese me vonese ngushellimet e mia familjes!
    Kane kaluar 40 vjet dhe gjate gjithe ketyre viteve asnjehere nuk e kisha harruar dhe nuk do ta harroj kurre profesorin tim,Pajtim Polovinen, i cili hartimet e mia i vleresonte shume dhe me kishte keshilluar te vazhdoja te shkruaja deri sa nje dite te arrija te futesha ne rrugen e letrave, por jeta ime mori nje rruge tjeter dhe endra ime nuk u realizua, por as nuk u shua kurre.
    Edhe ne kete moshe ajo ender vazhdon.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *