Pas publikimit të 189 faqeve të dokumenteve që lidhen me hetimin e emaileve të Hillary Clinton nga FBI-ja është bërë e ditur se presidenti amerikan Barack Obama ka mbajtur një korrespondencë elektronike me ish-Sekretaren e Shtetit nën një pseudonim, raporton “Politico”, shkruan Dita. Ndër dokumentet e publikuara janë edhe disa intervista me disa nga këshilltarët e afërt të Clinton.
Gjatë një intervistë të FBI -së me këshilltaren e Clinton, Huma Abedin, më 5 prill të këtij viti, Humas i treguan një bisedë të Clinton me një person që sipas mendimit të zyrtarëve të Byrosë Federale të Hetimit ishte Obama. Megjithatë, këshilltarja e ish-Sekretares së Shtetit nuk e njohu emrin e dërguesit. Kur mësoi se agjentët e FBI besonin se ishte një pseudonim i përdorur nga presidenti amerikan, Abedin u befasua.
“Si është e mundur që nuk është i klasifikuar?” tha ajo atëherë dhe kërkoi një kopje të email. Korrespondenca në fjalë mban subjektin “Re: Urime!” dhe daton më 28 qershor 2012. Departamenti i Shtetit ka refuzuar të publikojë këto email-e të Clintonit ashtu dhe të tjerë që ka këmbyer me Obaman për shkak të “privilegjit të komunikimit presidencial”.
Në mars 2015, u zbulua se Clinton kishte përdorur një llogari private e-mail gjatë gjithë periudhës që shërbeu si Sekretare e Shtetit, gjë që konsiderohet një shkelje e politikës së Departamentit të Shtetit. Kjo situatë shkaktoi një breshëri kritikash dhe provokoi nisjen e hetimit të FBI nëse Clinton ka komprometuar informacionin e klasifikuar.
DITA
