G7: Stimuli i rritjes ekonomike nëpërmjet bankave

anazapta

Ministrat e Financave dhe Guvernatorët e bankave qendrore të G7 përfunduan takimin dy ditor të zhvilluar në Britaninë e Madhe. Ata evidentuan mënyrat për të nxitur ekonominë botërore nëpërmjet reformimit të bankave dhe politikave monetare. Zyrtarët nga Shtetet e Bashkuara, Kanadaja, Gjermania, Franca, Japonia, Britania e Madhe dhe Italia, ranë dakord se nxitja e ekonomisë duhet të vijë nëpërmjet bankave. Ministri britanik i Financave, George Osborne, i cili kryesoi takimin, mbështet vazhdimin e masave shtrënguese ekonomike. “Lajmi i mirë është se ka pasur stabilitet në kohët e fundit dhe besimi në ekonominë botërore është përmirësuar. Por na mbetet ende shumë për të bërë, dhe për sa i përket Britanisë, ne kemi parë gjatë viteve të fundit se jemi ndikuar nga çfarë ka ndodhur në vendet fqinje. Jam tepër i vendosur të përqendrohemi  në nxitjen e rimëkëmbjes dhe të mos ta marrim atë si të mirëqënë”, tha Osborne.  Papunësia, veçanërisht mes të rinjve, mbetet problemi kryesor në vendet e G7-s. Ministri gjerman i Financave, Ëolfgang Schauble, paralajmëroi se qeveritë europiane rrezikojnë të humbasin mbështetjen e publikut nëse nuk ulin nivelin e papunësisë. “Problemi kryesor në Europë tani është lufta kundër shkallës së lartë të papunësisë në disa nga vendet anëtare të Bashkimit Europian që është problemi ynë kryesor. Madje na duhet të përshpejtojmë masat për të luftuar papunësinë e të rinjve, sepse përndryshe do të humbasim mbështetjen në disa vende të Bashkimit Europian”, tha Schauble.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *