Këshilltari i ministrit të Shëndetësisë së Kosovës, Zejdush Tahiri është shkarkuar nga detyra që mbante prej dy vitesh.
“Koha Ditore” ka mësuar nga tri burime të ndryshme se Tahiri është shkarkuar për shkak të dyshimit për sjellje të pahijshme dhe ngacmim seksual të familjares së një deputeteje të Kuvendit të Kosovës.
Vetë deputetja e ka njoftuar ministrin Imet Rrahmani për rastin dhe i ka kërkuar atij që të shkarkojë nga ministria e Shëndetësisë Tahirin, kanë thënë burimet.
“Koha Ditore” shkruan sot se e ka të njohur identitetin e deputetes dhe të familjares që ka ngacmuar Tahiri, por për shkak të ndjeshmërisë së çështjes ka vendosur që të mos i bëjë publike identitetet.
Në një bisedë për gazetën deputetja nuk e ka mohuar se një situatë e tillë ka ndodhur.

