Partia Demokratike ka bërë të ditur se filmimet e mediave nga helikopterët e ushtrisë të parcelave me kanabis në malësinë e Tiranës, i kanë hedhur poshtë deklaratat e kryeministrit Edi Rama se në vend nuk ka më drogë.
“Pa dashje, Mimi Kodheli ka hedhur poshtë deklaratat e Edi Ramës se në Shqipëri nuk ka drogë”, tha gjatë një deklarate për median kreu i Departamentit të Rendit dhe Sigurisë në PD, Enkeleid Alibeaj.
“Ajo ka ftuar gazetarë të televizioneve për të ndjekur një stërvitje ushtarake në Bize të Martaneshit, dhe sapo helikopteri është ngritur, para përfaqësuesve të medias janë shfaqur parcelat me kanabis anekënd malësisë së Tiranës.
Këto janë provat e fundit me pamje, me video, e me foto, që kanabisi ka pushtuar vendin. Mjafton një ngritje rutinë në ajër, për të parë si lulëzon alternativa e Edi Ramës për vendin, droga. Pamjet e filmuara janë publikuar në media, e megjithatë, sërish Edi Rama e mohon, thotë se nuk ka drogë.
Droga ka pushtuar vendin, ka zënë shtëpitë, magazinat, trafikohet nga toka, ajri, nga deti, mediat italiane dhe më gjërë raportojnë cdo ditë për këtë alarm që sjell kanabisi shqiptar, ndërsa Edi Rama thotë se Shqipëria është e pastër.
Shqiptarët e dinë se droga i ka rrënjët në qeveri. Shqiptarët e dinë se droga po rrënon vendin, po sjell krime dhe vrasje, dhe po pasuron një grusht trafikantësh dhe qeveritarët e lidhur me ta.
Droga dhe plehrat janë alternativa e vetme e Edi Ramës për Shqipërinë.
Ndaj dhe Shqipëria pa Edi Ramën është një Shqipëri pa plehra dhe pa drogë”, tha në fjalën e tij, Enkelejd Alibeaj.
