Ministri i drejtësisë, përfaqësues i LSI Ylli Manjani jep garanci se rrjeta e reformës në drejtësi do kapë peshqit e mëdhenj që duhet të bëhen kurban për rekomandimin e statusit nga Komisioni Europian.
“Jemi gati të kapim çdo lloj peshku. Sa më i madh që më mirë është, por që të kapësh peshq të mëdhenj duhet anija e duhur. Anija e duhur janë ligjet që presim të miratojmë që janë praktikisht gjashtë të dytat në datën 6 tetor, pasi ligjin e vettingut e kemi bërë dhe deri në fund të vitit do kemi mbaruar gjithë pjesën e legjislacionit që bën Kushtetutën të zbatueshme. Paralelisht do ngrihen edhe institucionet e reja kushtetuese, që janë ndërtuar me një frymë konsensuale. Ne jemi duke ndërtuar anijen që mundëson kapjen e peshqve të mëdhenj dhe çdo peshku që turbullon ujërat e pastra të Republikës së Shqipërisë”, deklaroi Manjani.
Këto deklarata ministri i Drejtësisë i bëri nga Brukseli ku u takua me komisioneren europiane për drejtësinë dhe barazinë gjinore, Vera Jurova me të cilën ka nënshkruar një memorandum mirëkuptimi për pjesëmarrjen e Shqipërisë në programin e Bashkimit Europian me praktikat më të mira për drejtësinë penale.
