Mbetjet bota i sjell pa para, tonat do bëhen kapicë

redaktor

Po bëhet legjendë importi i mbetjeve të riciklueshme, si lëndë e parë për industrinë plastike. Shtetet eksportuese për shkak të sasive shumë të mëdha e eksportojnë këtë mall me transport falas, madje japin dhe një shumë për ton/mall. Këtu është dhe interesi i pajisjeve ricikluese të akredituara në Shqipëri, d.m.th kosto zero e lëndës së parë. Deri këtu në dukje interesi edhe i kompanive ricikluese dhe i shtetit është normal. Por kompanitë ricikluese nuk janë të çmendura të marrin me një kosto plehrat tona të riciklueshme, kur i marrin me kosto zero nga importi, madje dhe me një fitim nga sekserët për ton/mall. Ç’do bëhet me plehrat tona të cilat do mbesin rrugëve dhe aq më tepër do mbesin pa të ardhura dhe ata njerëz që i shikojmë çdo ditë kur mbledhin plastmaset etj.? Nëse shtetit tonë i vjen keq për kapacitetet e pashfrytëzuara të këtyre pajisjeve të vendosura në Shqipëri pa më të voglën llogari nga investitorët, mendoj se s’duhet ta vuajë populli me plehrat që në të ardhmen do bëhen burim i të gjitha të këqijave për shëndetin. Nëse duhet të shkojmë në Europë me kusht që vendi ynë të shndërrohet në kosh plehrash, kjo s’është normale. E themi këtë se drejtuesit tanë për veprimet që kryejnë në drejtimin e këtij vendi nuk mbajnë as dhe një përgjegjësi, nuk japin as dhe më të voglën llogari, a thua se i japim votën për t’u bërë pronarë të këtij vendi. Faktet e shumta që duken, po ashtu dhe korrupsioni galopant, janë tregues të një mungese që s’mund të konceptohet.

Letër e nënshkruar

Bardhyl Myftiu

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *