Shkencëtarët në Universitetin e Alabamës kanë zbuluar se tatuazhet mund të forcojnë sistemin imun të një personi.
Kështu, sipas shkencëtarëve, njerëzit që kanë më shumë se një tatuazh në trup janë në gjendje që të luftojnë më mirë gripin sesa ata me vetëm një tatuazh apo me asnjë.
Tatuazhet mund të jenë fizikisht rraskapitëse, vunë në dukje shkencëtarët. Autori i studimit, Dr. Chrisopher Lynn tha: “Ato jo vetëm që janë të dhimbshëm gjatë kohës që e bëni një të tillë, por edhe mund t’ju rraskapitin”.
Ai shtoi se kur një person bën më shumë se një tatuazh, pas stresit të vizatimit të tatuazhit në trup, sistemi imun i trupit bëhet më i fuqishëm.
Për të arritur në këtë përfundim ata analizuan disa vullnetarë të cilët dëshironin të bënin tatuazhe. Shkencëtarët analizuan ata para dhe pas marrjes së tatuazheve.
Shkencëtarët zbuluan se nivelet e imunoglobinës A kishin rënë dukshëm në personat që bënin vetëm një tatuazh, në përgjigje ndaj stresit të tatuazhit.
Megjithatë, tek ata që bënin më shumë tatuazhe, vihej re një rënie e vogël e imunoglobinës. Dhe, trupi i tyre kthehej në gjendjen fillestare më shpejtë se i atyre që bënë vetëm një tatuazh.
