Nis hetimi pasuror ndaj oficerit Fatos Lushi

Elton Tafaruci

Prokuroria e krimeve të rënda ka nisur hetimin pasuror ndaj oficerit të policisë gjyqësore të prokurorisë së Tiranës Fatos Lushi që u shfaq në videon e emisionit Stop në Tv Klan duke marrë 18 mijë euro.

 

Organi i akuzës ka nisur verifikimin e llogarive bankare, transfertave, dhe pronave të luajtshme e të paluajtshme në emër të vetë Lushit por edhe rrethit të tij familjar, shkruan “Panorama”.

Ndërkohë që ndaj oficerit është lëshuar një urdhër ndalimi, pasi nuk është gjetur në Tiranë dhe në Kukës, prokuroria nuk përjashton mundësinë e kërkesës në gjykatë për caktimin e masës së sigurisë në mungesë.

Bazuar në përmbajtjen e videos së publikuar, prokuroria vec kërkesës në banka, agjencitë e transfertave, drejtorinë e transportit rrugor dhe hipotekë, ka kërkuar të dhëna edhe në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, për ndonjë biznes në emër të oficerit Lushi.

Nga ana tjetër, prokuroria konfirmoi ditën e sotme, se është vërtetuar se personi që ka dhënë 18 mijë eurot për oficerin është vetë biznesmeni Gani Manollari. Ky konfirmim është bërë ditën e sotme gjatë veprimeve proceduriale të kryera nga ana e grupit të hetimit, shkruan “Panorama”.

Prokuroria dyshonte dje se personi që dha paratë ishte shtetasi A,M, i angazhuar kohë më parë në operacione policore madje në disa çështje hetimore që i kishte drejtuar edhe vetë prokurori Ardian Braho, i përmendur në aferën e fundit.

Por ditën e sotme prokuroria konfirmoi zyrtarisht se paratë janë dhënë nga vetë biznesmeni i cili është vetë në videon e regjistruar pranë prokurorisë së Tiranës dhe më pas në makinën e tij teksa dorëzon paratë tek OPGJ Fatos Lushi.

Nga ana tjetër prokuroria thotë se po verifikon faktin se shtetasi A.M ka pasur dijeni për përmbajtjen e videos para se ajo të publikohej duke qenë se ka treguar tek persona të tjerë se në pamje flitej për një pagesë rryshfeti prej 18 mijë euro dhe se kjo shumë po paguhej për një heqje mase të sekuestros.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *