Nga Plehrat, te Blushi

redaktor

Nga Viktor Malaj

“Sigurisht që e vërteta është pjesë e moralit dhe, madje, shumë e rëndësishme për shoqërinë” – Tomas Xheferson

Kundër Vetes

Ndryshimi i ligjit për importimin e mbetjeve nga ana e shumicës parlamentare ka ngjallur me të drejtë një debat të gjerë shoqëror dhe politik. Nga njëra anë është një pjesë e shoqërisë civile që, megjithëse duket që nuk e ka sa duhet të qartë situatën, proteston kundër importimit të mbetjeve plastike, atyre prej druri, kartoni dhe hekuri. Megjithëse jam i vetëdijshëm se këto lloj ambalazhesh nuk sjellin rreziqe nëse administrohen si duhet, unë i bashkohem shqetësimit të tyre.

I bashkohem këtij shqetësimi sepse ndryshimet e sotme mund të jenë fillimi i ndryshimeve më të mëdha dhe më të dëmshme nesër. Mbi të gjitha, e konsideroj të padenjë qëndrimin dhe veprimin e qeverisë lidhur me këtë problem, jo për shkak të dëmit që mund të sjellë akti, por për shkak të paqëndrueshmërisë së parimeve, normave dhe qëndrimeve të kryeministrit të sotëm.1

Të kesh qenë prerazi kundër importimit të plehrave dhe mbetjeve, pa kurrfarë dallimi, kur ishe në opozitë, të anulosh në mënyrë demonstrative një ligj sapo vjen në pushtet dhe pastaj ta rikthesh këtë ligj, qoftë edhe pjesërisht, kjo do të thotë të ulësh ndjeshëm besimin popullor në premtimet dhe qëndrimet e tua, do të thotë të vetëzhvlerësohesh dhe të punosh kundër vetes.

Se cila është arsyeja e këtij veprimi, nëse është nevoja e madhe për shtim të ardhurash buxhetore, ndikim i politikës së BE-së apo ndikime të errëta, nga të cilat nuk i ndahet shpirti Saliut, unë nuk jam në gjendje ta përcaktoj. Ajo që di me siguri është vetëvrasja graduale e shumicës qeverisëse. Lejimi i importimit të mbetjeve të kategorive të lartpërmendura nuk e bën Shqipërinë më të pastër, siç thotë kryeministri, por nuk është as “katastrofë kombëtare” siç pretendon klouni i opozitës që dikur e ka propaganduar dhe votuar një ligj që lejonte importimet e mbetjeve të të gjitha kategorive.

Ndjesa e tij e sotme për votimin e atij ligji në 2011 është hipokrizi e kulluar, pasi po të ishte i ndershëm do të duhej të kërkonte ndjesë për 330 milionë dollarët e shpërdoruar të rrugës Milot-Morinë, për nënshkrimin e Marrëveshjes Antikombëtare të Detit me Greqinë, vrasjen e 4 protestuesve të pafajshëm, falsifikimin e zgjedhjeve për bashkinë e Tiranës etj. Sikur opozita e sotme të kishte qenë gjithnjë kundër importimit të mbetjeve dhe të mos thoshte sot në mënyrë hipokrite dhe mikluese se “mbetjet janë helm” (kjo është arsyeja pse ato administrohen, veçohen, përpunohen dhe riciklohen në të gjitha vendet perëndimore), atëherë unë do e përshëndesja qëndrimin e saj.

Por, një grupim politik i cili, para 5 vitesh, thoshte “duhet ta votoni ligjin që lejon importimin e mbetjeve për hir të së ardhmes së fëmijëve tuaj” dhe sot hiqet si e penduar, është një opozitë që meriton të tallet nga shqiptarët. Meriton të tallet ngaqë pendesa është akti i fundit që ajo zgjodhi të shfaqë, çka është kryekëput në kundërshtim me natyrën e saj.

Në gjithë jetën e saj politike të zhveshur nga arsyeja, morali dhe ligjshmëria karakteristikë ka qenë dhe është këmbëngulja marrake për të fshehur dhe tjetërsuar të vërtetën, për të shkelur ligjin dhe parimet. Qëndrimi i saj i sotëm synon t’i shtojë nja 100 vota në zgjedhjet e vitit tjetër dhe s’ka të bëjë fare me parime që mbrojnë shëndetin e popullit dhe as me pendesën e shprehur nga Lulëzimi me porosi të mentorit të tij.

Banditët e fuoristradave

Në harkun e një jave tre gangsterë që drejtonin makina të shtrenjta nuk iu bindën policisë dhe madje edhe e aksidentuan makinën e shërbimeve policore duke vrarë një polic e plagosur disa të tjerë. Tipi social i gangsterit me xhepa plot me para të fituara nëpërmjet krimeve dhe që zotëron e drejton makina luksoze është pjellë e “Demokracisë” çerek shekullore. Tiparet e përbashkëta të këtyre individëve që përfaqësojnë “njeriun e ri” të shoqërisë shqiptare janë injoranca mbresëlënëse, shpërfillja e familjes, shoqërisë dhe shtetit, të cilat demonstrohen për të shprehur sa më dukshëm kundërvënien ndaj ligjit dhe rregullave të bashkëjetesës qytetare. Më shumë se këto tipare të tyre të trondit paaftësia dhe mosdashja e vazhdueshme e shtetit për t’i bërë zap këta tipa antisocialë dhe mjaft të dëmshëm. Ata gëzojnë antipatinë dhe neverinë e shumicës së popullsisë, por janë joshës për individë të kategorisë së tyre dhe disa femra mendjezbrazura rrugësh apo ekranesh që shiten lirë dhe vazhdimisht me zbritje çmimi për shkak të formimit të deformuar kulturor dhe karakterit të tyre pa asnjë parim moral.

Guximi i gangsterëve të fuoristradave, përveç papërgjegjësisë së tyre individuale e sociale, vjen edhe nga besimi se mund t’i shmangen ndëshkimit ligjor për shkak të lidhjeve me zyrtarë shtetërorë, apo sepse mund të korruptojnë lehtësisht drejtësinë. Është e çuditshme se si asnjë qeveri nuk heton dhe verifikon se si disa banditë adoleshentë apo fare të rinj zotërojnë dhe drejtojnë makina dhjetëra mijëra eurosh pa punuar askund.

Nga ana tjetër, gangsterizmi i këtyre banditëve ordinerë merr zemër edhe nga sjelljet e padenja dhe banditeske të disa deputetëve siç ishin dy rastet e fundit në Dibër (Ndoka dhe Shehu) dhe rasti i një deputeteje torollake që, kur e ndaloi polici në Lezhë para dy muajve, iu hakërrye në mënyrën urdhërore: “Shko mblidh hashashin!”. Sjelljet prej të forti të parlamentarëve, qeveritarëve dhe të shtetarëve të tjerë  vazhdojnë të jenë frymëzim për gangsterët e rrugës.

Çfarë ndryshimi ka sjellja e gangsterit injorant në Kukës që i thoshte policit: “E shka je ti bre burrë? Hiqe kapelen e hajde të rrahemi dhe do ta shohësh”, me sjelljet e deputetit dhe kandidatit për kryetar bashkie të Dibrës, Sh.Shehu që i hakërrehej policit: “Shko preke po deshe dhe do ta shohësh!”?

Çfarë ndryshimi ka sjellja e këtij gangsteruci provincial të Kukësit që i thotë policit: “Ta shij nanën” me sjelljen në parlament të ish-kryeministrit Berisha që i thoshte deputetit opozitar: “Po nëna dhe motra jote çfarë do të bëhen? Prostituta do të bëhen?” Për të ndryshuar të ardhmen tonë duhet të fillojmë ndryshimin nga lart, të “qërojmë” së pari gangsterët me imunitet, të çdo krahu qofshin.

Verbëria ndaj të verbërve

Gjashtë pjesëtarë të familjes Hatia në Roskovec, të gjithë të verbër dhe pa prindër, kërkonin ndihmë nga bashkia dhe shoqëria para pak ditësh. Ata nuk kërkonin makina luksoze, as vila shumëkatëshe, as udhëtime e pushime përrallore në Maldive, por thjesht shtimin e një dhome shtëpie dhe asfaltimin e një rrugice pranë shtëpisë së tyre për të mos u rrëzuar gjatë ecjes. Mjerimi s’ka fat, ka vetëm zhele,- thoshte Migjeni para 90 vitesh.

Po sot, cili është fati i mjerimit?

A janë të verbërit qytetarë të shoqërisë sonë dhe a iu përket pushteti edhe atyre, sadopak? Ku janë biznesmenët tanë “të ndershëm” e “të ndjeshëm” që aq para sa iu nevojiten gjashtë të verbërve të sipërpërmendur i shpenzojnë në një fundjavë me dashnoret e radhës? Ku është humanizmi i shoqërisë dhe i shtetit? A e meritojnë fëmijët shqiptarë që edhe pas një shekulli përsëri “Janë fëmijët e padijes e flitë e përbuzjes, të mbetunat e fëlliqta rreth e qark tryezës, mbi të cilën hangri darkë një qen i pamëshirshëm, me bark shekulluer gjithmonë i pangishëm”?

Lojërat Politike Kundër Vendit

Pas shumë spërdredhjeve dhe pengesave që i bëri miratimit të Reformës në Drejtësi, opozita aktuale shqiptare po përpiqet të bëjë një lojë tjetër që ka si qëllim të vetëm vonimin e plotësimit dhe zbatimit të kuadrit përkatës ligjor dhe, rrjedhimisht, pengimin dhe shtyrjen e kohës së fillimit të negociatave për pjesëmarrje në BE.

Loja “e ligjshme” me të drejtën për të dërguar në Gjykatën Kushtetuese ligjin e Vetingut (verifikimit) është haptazi një veprim i qëllimshëm i menduar nga i Marri i Facebook-ut dhe i zbatuar pa ngurrim nga palaçot e tij të oborrit politik. Gjithsesi, shqiptarët do të kenë rastin të jenë edhe një herë spektatorë të një akti tjetër të dramës shqiptare e ngjashme me atë që na përcjell legjenda e Kalasë së Rozafës.

Asnjë nga aktorët e dramës nuk do të muroset fizikisht, por do të muroset moralisht pas zhvlerësimit të pandalshëm përgjatë shumë viteve.

Parti apo Kauzë

Në shumicën e herëve e kam mbështetur qëndrimin e z.Ben Blushi, pasi në bindjen time ai ka pasur dhe ka të drejtë për shumë nga ato që thotë. Gjithashtu, nuk e konsideroj të gabuar, ndonëse pak të tepruar, mënyrën e ngritjes dhe interpretimit të problemeve që ai trajton. Duke pasur parasysh eksperiencën shqiptare, por duke iu referuar edhe asaj jashtë Shqipërisë, dëshira dhe tentativa për të krijuar parti të reja sa herë ndeshesh me murin brenda formacionit tënd politik, më duket sa e gabuar aq edhe e padobishme.

Me gjithë respektin për Blushin dhe Hafizin, më duhet të them se aftësia dhe zotësia e një politikani qëndron në rezistencën dhe këmbënguljen e tij për të bindur dhe imponuar idetë e tij brenda partisë që i përket. Kjo është rruga më e gjatë dhe më e vështirë, por kjo është edhe rruga që i shërben më shumë vendit dhe popullit.

Duke qëndruar dhe luftuar brenda “shtëpisë” tënde politike janë mundësitë ta ndreqësh atë godinë, ndërsa duke krijuar parti “për kunj”, sepse është e qartë që s’mund të arrish asgjë më shumë se heqjen e 1% të votave formacionit ku bëje pjesë, individi politik as nuk arrin të hipë në pushtet dhe, aq më pak, të përmirësojë punët e Shqipërisë.

Për aq kohë sa nuk të është hequr e drejta e fjalës dhe kundërshtimit brenda partisë dhe nuk je përjashtuar prej saj për këto arsye, qëllimet e krijimit të një partie tjetër nuk janë as të qarta, as bindëse dhe as të dobishme. Nga PD-ja u përjashtuan apo u vetëlarguan qindra figura dhe u krijuan disa parti politike. Ky fenomen nuk e përmirësoi fare PD-në, përkundrazi e degradoi dhe  shumica e partiçkave u rikthyen në gjirin e “nënës parti” atëherë kur kjo “nënë” kishte degjeneruar shumë më tepër se në kohën e “disidentëve”.

Kush do të përmirësojë partinë e vet dhe, rrjedhimisht, edhe Shqipërinë, duhet të jetë një kalorës luftarak i pamposhtur brendapërbrenda “kështjellës” së vet politike. Përndryshe, do të mbetet një luftëtar i vetmuar që vringëllin shpatën rreth mureve të kështjellës pa u bërë kurrë as komandant dhe as zot i kështjellës.

Botuar sot në DITA

 

Share This Article
1 Comment
  • VETE-VRASJE POLITIKE(e detyruar)!?
    ——————————-
    Nuk duhet shume ‘mend e kalem’ te pakten per te kuptuar vetem 7gjera pas 25 vjetesh shqipetaret:
    1.-Sovraniteti i popullit shqipetar eshte shkelur me kembe 25 vjet e ky sovranitet u eshte deleguar 126 bandave parti e ‘ambasadoreve’.Populli shqipetar 25 vjet nuk e ushtron sovranitetin as DIREKT e as INDIREKT nepermjet perfaqesuesve te tij!
    2..-Populli shqipetar ka 25 vjet qe ju vodh tere pasurija kombetare ka humbur pavaresine ekonomike e per rrjedhoje ka humbur pavaresine politike .Gjendja eshte shume me keq se ne kohen e ‘Princ Vidit’
    3..-Popullit shqipetar i mungon kryesorja INTELIGJENCA e mbi te gjitha INFORMACIONI qe per fatin tragjik jo vetem nuk ka qene i lire i pa varur e profesionist por ne sherbim te KRIMIT,KORRUPSIONIT TE HUAJVE SHPERBERJES
    4.-Qellimish eshte ‘HARRUAR’ 25 vjet qe ne me kushtetute te kthyer ne leter higjenike jemi ‘RREPUBLIKE PARLAMENTARE’ e pushteti kryesor eshte parlamenti i popullit ndersa dizinformacioni ne duar te te agjenturave e mafjes ne çdo qelize te ‘shtetit’ ka propoganduar nen moton:’K”ur themi Salija (kryeministri)kuptojme Shqiperija kur themi demokracija kuptojme Salija ?!
    5.-Ne kete vend asnjehere ne 25 vjet nuk ka DREJTUAR shumica por PAKICA perfaqesuar nga militantizmi ,rrugaçerija e investuar nga jashte dhe te ‘huajt’. Kete e tregon me se miri pjesemarja ne ZGJEDHJE per te cilen nuk flitet KURRE!
    6.-I ashtuquajturi parlament qe 25 vjet nuk perfaqeson popullin e ku jane ngujuar 25 vjet te njejtet persona si ne oborret mbreterore nuk mund te bejne asnje reforme sepse perfaqeson vetem krimin e korrupsionin e eshte ne konflikt te rende interesi qe nga ‘kryetari’ e deri tek pastruesi!

    Sa me siper pas 25 vjetesh populli shqipetar i VETEDIJSHEM kerkoi NDRYSHIMIN nga poshte baza dhe e beri ate edhe pse me SOVRANITET te kufizuar ku i eshte hequr e drejta te VOTOJE direkt PERFAQESUESIT e tij,megjithe ate beri ‘rrevolucion’ duke permbysur kliken BERISHA por jo SISTEMIN !?
    E vetemja gje e prekeshme i dha perhere te pare LEGJITIMITET ekzekutivit pse jo edhe istitucionit te KRYEMINISTRIT RAMA!
    Nuk duhet te harrojme se 1 milion ‘shuplakat’ nuk ishin vetem kunder sistemit berishjan ,por nuk ishin as fitore thjesht e PS por edhe direkt e EDI RAMES qe ashtu si 25 vjet nuk kane qene te PD qe asnjehere nuk ka patur alternative por votat i jepeshin dhenderrit serb !

    Pra pas 25 vjetesh i vetemi istitucion apo pushtet qe ka LEGJITIMITETIN e popullit eshte kjo qeverri e KRYEMINISTRI RAMA duam apo nuk duam!
    Prandaj dhe tere lufta e qarqeve me reaksionare mbeshtetur nga nje Informacion antishqipetar i blere e ne sherbim te PARASE kerkojne te GODISIN:TE VETEMIN PUSHTET LEGJITIM QE KA NGELUR QEVERRINE -KRYEMINISTRIN!

    Futja neper PATOZE e plehera ne kete situate tragjike jo vetem ekonomike po edhe politike sociale etj jo vetem qe nuk eshte e RASTESISHME kur flitet per permbysje te antishtetit e rilindjen e DREJTESISE por eshte edhe nje ‘KURTH’ i studjuar e investuar me kohe e shume mire per te deshtuar ‘reforma ne drejtesi’.Fajtoret apo personat ne ‘PRAPASKENE’ nuk duhet ti kerkojme tek nje opozite qe nuk ka egzistuar asnjehere por si gjithmon nga JASHTE dhe nga ‘KUJSLINGE’ brenda te ashtuquajtur ‘maxhorance’!
    K Y KURTH ESHTE NGRITUR QYSH KUR U ‘NGJIRIZ’ ALEANCA E NGJALAVE-MEKATI ORIGJINAL!

    P.S -Kryeministri Rama nepermjet strukturave qe ka ne qeverri dhe strukturave te subjektit politik duhet jo vetem te terhiqet nga PLEHERAT por duhet te distancohet nga krimi e korrupsioni! Kryeministri duhet ta kete te qarte qe nuk e mban kjo maxhorance ne pushtet por e mban POPULLI prandaj do jete vetem e vetem AI qe do beje reformen elektorale nga kjo qeverri,do kerkoje shperndarjen e parlamentit sipas kushtetutes po nga AI, do organizoje e drejtoje e numuroje votat po nga qeverrija qe drejton po AI e nese nuk ka mundesi te mos krijohet qeverri me shumice do drejtoje kjo qeverri po nga AI se eshte e vetemi pushtet e istitucion qe ka LEGJITIMITET!
    Protestat ‘shoqja civile’ po qe se nuk eshte e manipuluar per mbetjet pleherat apo ‘lendet e para’ duhet ti drejtoje para parlamentit te LIKES qe e perfaqeson jo para tullave ku ka zyrat qeverrija- Kjo eshte demoKroacija!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *